Kjo shprehje ka qënë përdorur shumë më parë, nga brezi i vjeter, por dhe sot eshte e pranishme në fjalorin e gjirokastritëve e të tjerëve.
Dhe të rinjtë e përdorin kur shënjestrojnë ndonjë që vetë flet dhe vetë dëgjon, përsërit të njejtat gjëra. Ia presin fjalën në mes dhe në ndihmë ju vjen pikërisht shprehja AVAZI I MUKËS, për t`u ndarë nga një bisedë e mërzitëshme, e përsëritur shpesh e pa vend.
Po ç`kemi dëgjuar për origjinën e kësaj shprehjeje te vjetër pa vitlindje, pa moshë e do thënë dhe pa autor edhe pse mendohet se mund të ketë dalë nga një rostiçeri e vogël, fillimisht sa “vrima e miut” por që në Qafë të Pazarit, në Gjirokastër ishte e famshme për qoftet, rakinë, verën e bërë vetë, salcën e kosit, ullinjtë dhe vajin e Himarës.
Tregohet per rostiçerinë e Cile Mukës ku shërbeheshin gjithmonë këto produkte. Kur klientët pyesnin: Ç`kemi ndonjë të re? përgjigja ishte: AVAZIN E MUKËS se menya ajo e ajo, nuk ndryshonte, e përsëritur në cdo ditë e në cdo vit, qofte, verë, raki dhe salcë kosi.
Kështu mendohet se kjo shprehje doli nga ajo rostiçeri dhe u ngrit në lartësinë e fjalëve më popullore e të përdorura jo vetëm në Qafë të Pazarit e në shtëpitë gjirokastrite por me hap dhe më të madh, jashtë saj e jashtë vendit. Aq autoritet te madh mori sa i “mbajti këmbët” në Amerikë e gjetkë, kudo ku kishte shqiptarë në emigrim.
Ky është një variant që ky avaz (AVAZI I MUKËS) të ketë lidhje me mbiemrin Muka të të zotit të rostiçerisë së qofteve të largëta në kohë po studjues të gjuhës shqipe mendojnë dhe ndryshe:
Këtë shprehje nuk e lidhin me ushqimin por me të folurën e përditëshme të njerëzve, e “zbërthejnë” si fjalë që ka të bëjë me avazin, me një avaz e melodi që përsëriten se jo më kot edhe vazhdon akoma të thuhet:
“Filani i bie fyellit në një vrimë”, “bjeri legenit”, “Të njëjtat gjëra na thua ngahera”, “ato e ato” “nga mëngjesi në darkë”, “ mbete tek Avazi i Mukës”.
Kaq mundëm dhe ditëm për AVAZIN E MUKËS se nuk eshte dhe kaq e lehte per t`a kuptuar dhe shpjeguar. Në dini nënkuptime apo histori të tjera që lidhen me AVAZIN E MUKËS jeni të mirëpritur të na shkruani ose të komentoni në faqen tonë.