Rrobaqepësi Mihal Llajo, përgjegjës i repartit të rrobaqepsisë të kostumeve me porosi në njësinë e dikurshme të shtetit në Qafë të Pazarit ishte nga specialistët më të mirë në prerjen dhe qepjen e kostumeve për burrat dhe të rinjtë.
E thoshnin klientët, e vleresonin kolegët:
“ Ku vinte syrin, vizoren, gjëlpërën dhe gërshërën, kostumi në kremastar dhe ne trupin e klientit kishte dukje.“
” Më shkon fiks sipas trupit”, thoshnin klientët pas provës.
“ E rregullojmë …”-ishte fjala e tij kur bëntë dhe ndonje korigjim.
I specializuar për kostumet e burrave por edhe për veshje te tjera me porosi, ishte mbeshtetesi kryesor i kerkesave te intelektualëve dhe autoriteteve ne qytet për “kostumet zyrtare e të festave”.
Tek ai porositnin kostumin e dasmës edhe dhëndurët nje pjesë nga fshati që zinin radhë, dhe gjashtë muaj, mbasi qytetaret e kishin dyqanin dhe nje hap.
Për realizimin e kostumeve me porosi Mihali kishte ne krah dhe rrobaqepsin e talentuar Pëllumb Xhezo si dhe gra rrobaqepëse ndihmese që punonin me merak, po të padukura, mbasi qepnin me dorë e makinë në katin e dytë të dyqanit shtetëror.
Mihali, si i pari në zanat dhe pergjegjes per “punen kolektive”, ne grup, siç thuhet sot, ndiqte me perparesi “levizjen” e modës, standarte në repartet e medha te ndermarrjes se veshjes ku kostumet per burra, te rinjtë, gratë e vajzat hidheshin ne seri e mbulonin tregun e vendit.
Ai vriste mendjen si te nxirrte nje model ndryshe e mbi bazen e porosive te klienteve. Per të rinjte që donin të shfaqeshin të paraqitshëm, me veshje jo te njëjtë, shfletonte revista te huaja, bënte skicime, “vidhte dhe vinte dorë” në modelet e huaja po larg syrit të “kontrollorëve të cilësisë”, të gatshëm t`i prisnin rrogën, ta pushonin nga puna por dhe më keq akoma, të “binte dhe brenda”, nëse modelet etiketoheshin ekstravagante – fjale e rende, me pasoja për atë kohë.
Mjeshtër Mihalin sistemi i ri, tregu i hapur, i lirë, pa shtrëngësat në modë e modele, pas 40 vjet aktivitet, e zuri në moshë të madhe, me sy dhe duar të lodhura, të munduara.
Veç një gjë: përsëri mbeti i kërkuar nga klientela, nga “buka e vjetër” që tani i trokiste ne derën e apartamentit, punë që e vazhdoi per pak kohë dhe që e kalonte edhe me një kostum në muaj.
Mjeshtri i vjetër më pas bëri një zgjedhje tjetër. Iu largua zanatit për t`iu gëzuar pensionit, shëtitjeve ne natyrë dhe pushimeve në ditët e nxehta te verës ne bar-kafen e stadiumit. Aty çdo ditë, jo kafe e raki, po nje shishe birre e pinte në shoqëri me miq e klientë të dikurshëm që i kujtonin kostumet që mbanin akoma veshur – ne dukje akoma të reja, qepur nga ai dhe 20 vjet më parë…