Kur e pashë këtë djalë në një berberhane të Gramshit u habita.
Nga vetullat e trasha mu duk si një përbindësh që po qethej te berberi.
Hyra brenda dhe i kërkova t’i bëj një fotografi, i sigurt që do refuzonte për të mbuluar defektin e vetullave, që dukeshin si dy tufa me flokë mbi sy.
Në të kundërt berberi më tha se mund të bëja fotografi sa të doja dhe djali pranoi.
Pasi u rrotullova në të gjithë cepat e dyqanit dhe bëra shumë fotografi të djalit, të berberit dhe të të dyve bashkë, e kuptova se vetullat e tij të zeza, si të veshura me musht të trashë, ishin njëlloj xheli që përdoret për të hequr pushin e adoleshentëve.
Djali po pastrohej nga pushi i moshës.
Me sa duket kishte hyrë në atë fazë të jetës kur ke bezdi të dukesh një kalama me qime dhe mezi pret të bëhesh një burrë me mjekërr.
Megjithatë më shumë u habita kur më tha se nuk banonte në Gramsh, por në Tiranë dhe prindërit kishin ardhur aty për një vizitë e pas pak gjithë familja do largohej për në Korçë.
Po pse po qethesh në Gramsh, e pyeta.
Këtu më pëlqen, tha djali, çka mu duk edhe më e habitshme.
Çfarë qyteti mu duk atë moment Gramshi dhe fillova të fantazoj.
Në kohët e komunizmit, vendet ku gratë rregullonin flokët i quanin permanent. Ende nuk e di nga vjen kjo fjalë. Dmth e di se cdo të thotë permanent por nuk di pse i quanin permanent dyqanet e zbukurimit të grave,cka nuk ndodhte me burrat.
Kur burrat shkonin të rregullonin flokët thonin po shkojmë te berberi. Kur gratë shkonin të rregullonin flokët thonin po shkojmë në permanent.
Ndoshta këto vende quheshin permanent sepse aty ndodhte një zbukurim permanent pra i pandërprerë. Ose ndoshta sepse dyqanet e grave premtonin se, një krehje, një valëzim, një dallgëzim, një kapje, një gërshet, një balluke apo një lyerje flokësh do zgjaste përgjithmonë. Përjetësisht. Në mënyrë permanente.
Çfarë reklame. Ndryshoji flokët në mënyrë permanente duke e ditur se pas tre ditësh do vish aty sërish për të bërë prapë një ndërhyrje permanente që nuk do jetë permanente sepse s’mund të jetë permanente.
Edhe djali me vetulla me push me siguri po besonte se Gramshi ishte vendi i duhur për të bërë një ndërhyrje permanente në fytyrën e tij. Një operacion veshtullor, pra edhe në vetull edhe me veshtull,që është një lloj lëngu, që të largon përfundimisht nga adoleshenca duke të hequr nga fytyra pushin e fëmijës.
Imagjinoni sikur shumë fëmijë, gra e burra të besojnë se Gramshi ka fuqinë dhe magjnë për të kryer ndërhyrje estetike permanente,çfarë do ndodhte në këtë qytet.
Imagjioni sikur Gramshi të kthehej në një permanent gjigand dhe çdo shtepi në buzë rrugës të bëhej floktore, berberhanë dhe njerzit të niseshin nga Tirana, Vlora e Shkodra e gjithë Shqipëria për tu qethur dhe rruar në Gramsh.
Imagjinoni sikur në hyrje të qytetit, për të stabilizuar trafikun dhe për të garantuar rend dhe rregull, policia të kishte listën e atyre që kishin prenotuar të parët për t’u qethur ne Gramsh.
Pra te trau i qytetit, polici i turnit, me siguri do t’i thoshte dikujt. Shko fli sot në Cërrik se rradha jote për tu qethur vjen nesër në ora 6 pasdite.
Imagjinoni pra sikur Gramshi të ndryshonte funksionet e veta ushtarake dhe deri diku blegtorale dhe nga një qytet me puntorë që mbushin gëzhoja me barut apo me blegtorë që shesin qumësht të ishte një qytet berberësh.
Do fitonte më shumë?
Me siguri.
Do humbte diçka?
Emrin pa dyshim.
Gramshi me këtë rast do quhej Permanent City.
Qyteti i Zbukurimit të Përjetshëm !
*titulli i origjinalit: “Qyteti i zbukurimit të përjetshëm”