Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë -Nga Aleksander Çipa
( Skicë)
Zoti e krijoi botën për shkak të vetmisë,- shkruan diku rumunofrancezi Emil Cioran. Sepse e ndjeu si askush se çështë të jesh i vetëm. Duke ecur, në këtë fillim ditësh të vapta nëpër Lunxhëri, lehtësisht në meditim të mbetet konstatimi se përgjithësisht viset janë të vetme, si bota.
Sa të shumta janë të vetmet në përbashkësinë ekzistuese!!!
Lunxhëria është e bukur si në vetmevete!
Nokova është një fshat në epiqendrën e shtrirjes fizike të saj, në brigjet dhe pjerinat në rrëzë të malit të Çajupit: përkundruall Gjirokastrës.
Lunxhëria është një ndër pasqyrat, ku qyteti sheh si në të linjta, një botë tjetër shijeje dhe estetike që kanë mishëruar brezat njerëzorë të lunxhiotëve. Një botë me drita të shumta fisnikërie, të zhytura në gjelbërim parajsor.
Në Nokovë u afrova kësaj here, të shquaja diçka më tepër prej vetëmsisë dhe vjetërsisë së kishave. Janë kisha të hershme. Janë të Atëhershme,…. domethënë, të një kohe kur nuk kishte ndarje, por vetëm zanafilla e të Vetmes pa mbërrit Vetmia.
Në murret disa qindra vjeçarë të kishave të Nokovës ka hieroglive dhe gurë që të lenë në ndiesinë e shtatëzanisë me kohën e palindshme të së shkuarës.
Ka një fisnikëri si në leximet tona për mesjetën arbërore.
Nën pllaka gurësh të vjetër dergjen njerëz të princtë. Heshtja e tyre vetanake, si element kuptimthënës prej natyre, është për ata që ishin.
Madje vetmia dhe heshtja e fshatit, të krijon iluzionin se i gjegjet këtij urdhri providencial, pra të perëndishëm.
Në sokakë nuk ka njerëz, por ka frymë lirike dhe ajër kangjelik. Si në kangjelet e De Radës, por për një vis pa det. (!)
Kambanat janë të rënda, por me heshtjen e tyre e bëjnë edhe më të pranishme dhe më imponuese vetëmsinë e këtij fshati.
Ka një histori me emra të njohur udhëtarësh të përbotshëm, kryeministra, profesorë, klerikë për vilajete e për peshkopata, zejtarë e barinj trëndelinash, bija dhe bij me dritë lezetesh si në letërsinë e madhe.
Në rreshtin e portave me dryn dhe vetmi, e gjetëm një të hapur. Në pragun e saj, na pret me fjalën e ëmbël ftuese një zonjë me hiret që ia dhuron edhe moshës së rëndë. Na fton duke hapur portën me dorezë dhe trokitës.
Brenda saj nuk ka vetëm sofa, por është obori i brendshëm me lule.
Në këtë fshat të duket sikur fryma e luleve është dhe në jastëkun e dhomave të gjumit. Ndërsa ngjyrat janë segmentet e parajsës në duar zonjëzash e nënash.
Nokova nuk ka shumë njerëz, por kjo vetmi e së Vetmes, nuk është frymë mërzie.
Më shumë është vis si imazh i pritjes edhe për ata që s’vijnë e s’mund të vijnë.
Gjithësesi është fshati që fle në prehër vetmish, por që zgjon si të vetme, çdo ditë e çdo mbrëmje të vetën. Zërat e ujërave nëpër burimet ndanë vreshtave, janë një kod zanor për jetën që vjen dhe shkel mbi të gjumtën nën gurë e në gjuhëza kambanash.
E vetmja thirrje duke ikur, më vjen lehtësisht në gjuhë në formën e një kënge deradiane:” Bini ju kambana, bini!!”