! Ode në dimër pandemik
Kishte kohë që borë e re nuk shtronte mbi borë të vjetër,
Botë e shkuar veç rëndon, njëjtësisht mbi shpirtin tjetër.
Frymë të reja po shumojnë ca rënkime si dikur,
Dhe të tjerë që kurmin çojnë tek një tretje, nën dy gurë.
Është kjo kohë me pandemi që merr njerëz krejt pa radhë,
Dhimbja është ushqim i shtuar, loti mbetet pjatë e parë.
Në lëngime tkurret jeta dhe kambanë e humbjes bie,
Në eter shpërndahet vreri, një vullkan prej njerëzie.
Ku po shkojmë e për ku shkelim në këtë mjegull horizont?!
S’ka të nesërme me dasëm, ka të sotme që shton mort.
S’ka qëndrim e lindje pragu, po veç plakje dhe mërgim,
Nëpër vatra shtohet hiri, në tymtarë asnjë fjollë tym.
Merr vendime qeveria për çdo lindje pak shpërblim.
Në bashki nuk ka martesa, sa pak akte celebrim!?!
Shqipëria po humb djepe, komb në mors për zvogëlim.
Gjysëm viti thatësirë, çerek muaji rrebesh- gjym.
Dhe kjo kohë, kjo shoqëri prishi rend e humbi norma,
Boshatisen keq qytetet, pleqërohen bijat e njoma,
Shterpëzohen tokë e arra, shton këneta në trojet tona.
Syve po u bje shikimi dhe ka humb qeshja në buzë,
Në parti kushtojnë foltoret, fat i vendit si tërkuzë.
Shtoi dimër për pak ditë, nëpër viset gri të dheut,
Vjen e trishtë e gri pa fund ky fundvit prej shënëndreut.
O moj botë e njerëzisë, në këtë Shqipëri të sotme,
A e kthen dot frymën e gaztë që ka raca arbërore?!
Në s’e bën e, në s’e zgjon, për pak kohë dhe jo shumë mote,
Jo më shqipja, po vajtojca do të jetë ikona jote.
***
Kishte kohë që borë e re nuk shtronte mbi borë të vjetër,
Botë e shkuar veç rëndon, njëjtësisht mbi shpirtin tjetër.
Kohë e sotme kërkon frymë, një ringritje shpirtërore,
Prandaj syri i një fëmije, le të na bëhet brerore!