in

Sekreti i Qifqive të Gjirokastrës për të apasionuarit e gatimeve tradicionale sipas Parete Kotonit

Një nga gatimet tradicionale më të famshme të Gjirokastrës është qifqia. E veçanta e këtij gatimi në fakt nuk lidhet më shumë me përbërësit sesa me mënyrën dhe mjetet e gatimit të saj. Sekretin na e zbulon Parete Kotoni. Ja se c’thotë ajo:

 

“Sekreti është te tigani. Tiganin me gropa te qifqive, 80 vjet tigan, e ruaj të shenjtë. Nuk e nxjerr nga dera e shtëpisë, më duket sikur s’do ma kthejnë më. Qifqitë në shtëpinë tonë, brez pas brezi, i kemi gatuar shpesh, edhe pse më parë nuk ishin ekonomike, duan nga pak e shume gjëra. I bënim më shumë për një grua lehonë (shtatëzënë) që t’u vinte qumështi.

 

Ja si i bëj dhe sot:

 

 

Marr 1 kile oriz, e shplaj disa herë, e ziej në zjarr të avashëm dhe pasi zihet plotësisht i shtoj 100 gr. gjalp ose vaj dhe e lë të ftohet, i hedh 5 koqevé të rahura rëndë, pastaj dhjózmo, piper të zi, kripë dhe pak djathë të grirë.

 

 

I përziej të gjitha bashkë. Me një lugë masën e përgatitur e ndaj pjesë pjesë dhe i shtyp lehtë me dorë. Një nga një i vendos në gropat me vaj të tiganit. Deri sa të skuqen i kthej nga të dy anët. Bëhen dhe 30 copë që ç’të haç.

 

 

 

Qifqitë i kam patur dhe i kam pikë të dobët. I shijojnë shumë dhe këta, djemtë e nuset e sotme, fëmijëve më shumë, u pëlqejnë aq shumë sa lëpijnë gishtat.“

 

 

 

Këto thotë Parete Kotoni që, edhe pse në moshë të madhe, shërbën bashke me djalin, Aurelin, në kafen e familjes në krye të Qafës së Pazarit. Shkoni dhe e takoni. Pini një kafe. Do ta shijoni dhe, siç thonë në Gjirokastër,“ kafia e mirë të vete në bark“.

 

 

 


 

What do you think?

Written by admin

“KUKUREC ME DHJAMË KEC”, siç vetëm Kane Lula i bënte në Qafën e Pazarit

Bakllavaja e Gjirokastrës! Si e shtronin gratë gjirokastrite bakllavanë më 80 dhe 100 petë?