Kujtesë/Muzikant dhe etnomuzikolog, Haxhi Dalipi (1943-2006) nga Gjirokastra

Muzikant dhe etnomuzikolog, Haxhi Dalipi (1943-2006) u lind në Gjirokastër. Pasi kreu sudimet për flaut në Liceun Artistik “Jordan Misja”, u vendos në qytetin e Vlorës. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, në degën e dirizhimit koral, për vite me radhë ka drejtuar Ansamblin “Labëria” në Vlorës, duke e bërë atë një nga ansamblet folklorike më të mira në vend. Ka meritë dhe kontribut të veçantë në formimin e Orkestrës Simfonike më 1978 dhe Filarmonisë së qytetit.

Pas punës si përgjegjës i muzikës në Pallatin e Kulturës dhe si dirigjent kori në Vlorë, vazhdoi karrierën profesionale në Tiranë si pedagog në Akademinë e Arteve. Haxhi Dalipi ishte drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.

Punën e tij si studiues dhe hulumtues i muzikës tradicionale të shumë fshatrave e zonave etnografike të Labërisë e Myzeqesë e gjejmë në librin e tij me titull “Duke përjetuar këngën labe”. Ky vëllim është një zbërthim i detajuar dhe analitik i folklorit muzikor të trevës së Vlorës me rrethinat.
Haxhi Dalipi mban titullin “Artist i Merituar” e së fundi edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2018 Bashkia e Gjirokastrës e vlerësoi me titullin “Qytetar Nderi”.

Me mrin “Haxhi Dalipi”, QKVT nderon me çmim individë e bartës të njohur folklori në Festivalin Tipologjik të Iso-Polifonisë që organizohet në Vlorë.