Aktori i Njohur Nikolla Llambro: Historia ime me Lekun Shqiptar me të cilin isha rritur...

Kur po e nxirrja në “fotografi “ këtë 10 lek të cfilitur ime shoqe më tha:
“-Ç’e do ku e gjete?”.

Nuk ju përgjigja!
Vërtet ç’e doja këtë 10 Lek copë cope, të “pistë”dhe tashmë të pa vlerë?

Po ajo me” detyroi”të shkruaj këto rreshta, te bëj gër..gër…

Para tre ditësh një Maune me targa greke po kryente shpërnguljen e një familjeje këtu në rrugën ku banoj.Aty punonin disa punëtorë të moshave të ndryshme.Ata mbaruan dhe ikën.Kur kalova andej,kjo 10 -tëshe e palosur më katërsh,e shkelur ,e bërë pisë,më tërhoqi vëmëndjen.Nuk u besoja syve ,një cëërrr…me kaloi në tërë trupin…

Vite më parë,duke ecur rrugës më ka qëlluar të gjej Dhrahmi greke.Ndjeja gëzim pse ta fsheh se një 5000 apo 10000 Dhrahmi në atë kohë për mua, ishte më tepër se një ditë pune,por…por…ajo cëëëërrr…ato emocione që ndjeva për momentin kur e pashë dhe e mora në dorë, ishin të jashtëzakonëshme,tronditëse,cfilitëse… Ishte LEK-u…Leku shqiptar,me të cilin isha rritur deri në momentin kur u largova me dhimbje në 11 Nëntor të 1991-shit.

Shumë mund të qeshin me këto rreshta,të tjerë do tharrtojnë buzët,dikush do thotë …iku dhe ky…Ashtu vërtet,por me Lekun është e lidhur dashur pa dashur jeta ime, jeta jonë.

Mbase vërtet është për të qeshur qe rri e shkruaj për të.Ka njerëz që kanë kartmonedha të tilla me Lek fare të ri,koleksionist etj.Bile shpesh në ca dyqane greke kam parë kartmonedha shqiptare të madhësive të ndryshme,por kjo për mua është e veçantë se e gjeta…e gjeta në rrugë dhe…

Kanë kaluar plot 57 vjet që kur është nderuar Leku, por ne akoma në jetën tonë themi aq e kaq Lekë të vjetra dhe nuk mësohemi të komunikojmë me Lekun e ri.

Nostalgjia më shtyn mbi 60 vjet mbrapa,kur prinderit e mi,kur merrnin ato pak lekë të pesëmbdhjetë diteshit,na jepnin një 10-teshe të vjetër me ngjyrë të kuqe që ne me gëzim blenim dy ingranazhe(kuleç me sheqer sipër) dhe i hanim duke i ndarë nga një dhangë e nga një dhangë(kafshat…kafshat)me shokët.

Kjo vazhdoi deri në vitet e gjimnazit.Por kishte fëmijë intelektualësh që këtë Lek e kishin përditë.Kur im at merrte dhe dorëzonte rrogën, i thoshte sime mëje ti jepte lekët e cigareve për 15 ditë.Një paket Partizani bënte 18 Lek.

Nga një herë blenim një ëmbëlsirë trekëndëshe të mbushur me marmalatë,por ajo ishte luks se bënte 7 Lek nga 10 Lek që kishim.
Ato rroga të vogëla nuk harrinin sa të vinte rroga tjetër.Atëhere fillonte “maratona”e të marurit borxh .

Pjesa më e madhe merrte borxh tek njëri tjetri.

Për të shkuar në kinema,që ishte dhe pasioni e ëndërra ime,më duhej të merrja dy kokrra vezë nga të shtëpisë dhe t`i çoja te Gega , dy vëllezër Novruzi dhe Hajdini ardhur nga Shishtaveci i Kukesit. Ata bënin ëmbëlsira dhe më jepnin 15 lekë për të parë filma me luftë.

Kaluan vite e shkova ushtar.Duke u aktivizuar në grupet artistike të repartit ,provat i bënim në Durrës e flinim në Currila në çadra. Ndodhte te ngeleshim ede pa ngrënë, 24 orë pa vënë gjë në gojë.

Në xhep asnjë kacidhe.Vape.Pa pritur aty mes rrugës së pa shtruar një kartëmonedhë e re 1 Lek jeshile si kjo ,se tashmë 10 e kuqe ishte konvertuar me 1 Lek ngjyrë jeshile pothuajse e grisur dhe e dalë jashtë përdorimit. Fillova të dridhem…Më poshtë , mbrapa teatrit “Aleksandër Mojsiu”një furrë buke.Hyra brënda dhe i ndëra lekun shiteses…E pa dhe më tha :”-Të keqen nëna mor djalë por ky lek nuk shkon,është copë copë….nuk e marr dot!”
Mu mblodh një lëmsh në fytë,këmbët mu prenë,nuk munda të flas.U ktheva dhe u nisa.Te dera më duhej të mbahesha.Shitesja e vuri re.
“-Prit ushtar, ç’ke?”-me tha.
“-Kam më shumë se 24 orë pa ngrënë “i thashë dhe zëri më dridhej…një ngërç po më mbyste.
“-Uuuu…të keqen nëna!”- më tha..dhe më dha një panine.U prek shumë.Ika me sy të mbushur…Te qoshja e Teatrit e kisha përlarë…

Kur isha student , për të ngrënë blinim lata(kupona) që kushtonin 2400 lekë nga 3000 lekë që më dërgonte familja se isha me pagesë.Të 660 lekët që tepëronin nuk mjaftonin të plotësoheshin nevojat e tjera.Ndaj ne nuk i blenim të gjitha për të patur ndonjë lekë xhepi.

Një të diel ,i veshur me kostumin 2400 lekë metri,me gravatë e i krekosur ,mbasi mbaruam xhirron në Bulevardin e Madh,u futa te Lulishte “1 Maji” dhe kërkova të blej një panine.

Ne xhep kisha vetëm një kartmonedhë 1 lekë -she se aq kushtonte paninia.Letër lokali për ta mbështjellë nuk dispononte.Nga që më vinte turp ta mbaja ashtu në dorë,se medemek isha me kostum e gravatë i kapardisur, e futa nën sqetull poshtë xhaketës.Më kish marë uria dhe duke ecur rrugës për në konvikt ,u futa poshtë një pishe aty ku sot është ndërtuar Xhamia e madhe afër Parlamentit.E nxora dhe po e haja thatë ashtu i urritur.Më tej nën një pemë tjetër ishte një çiftë.Se kisha vënë re.U kthye djali dhe më thotë:
“-More gërbooo…s’ke turp që rri e përgjon çiftet?Je dhe me kostum gravatë pale…yyyy…palo burrëë!”
Më zuri e qeshura dhe u mbyta…nuk flisja dot…më dolën sytë…futa gjysmën e panines që kish mbetur ndene mënge dhe dola në bulevard në drejtim të Kishës Katolike sot për të dalë në bulevardin kryesor…Akoma nuk më kish kaluar kafshata poshtë dhe po i bija gjoksit…njerezit shikonin me habi.. dikush tha:
“-Iku dhe ky e mbyti gravata!”
E qeshura që më shkaktoi e rëndoi situatën.Aty te Ura e Lanës u lirova.Me gjysmën e panines në sqetull,i djersitur u drejtova drejt Institutit.U ula te shkallët dhe nxorra paninen.Binte erë djersë…Po haja duke mos marrë frymë.

Me këtë 10 lekësh blije dy bukë 50 -çe të bardha,ose dy 40 -çe dhe 20 lekë marmalat fiku ose molle?Po një familje me 5-6 fëmijë????Kur venim turne ose me filma dieta 130 lekë.Nuk harrinin.

Kur punoja në Uzinën Metalike,më dilte Xhelua përpara një punëtor e më thosh:
“-Kam 50 qindarka o më apësh dhe 20 që të pi një kafe?(kafeja bënte 70 qindarka) se po e theva 10 -çen(1 lekë të ri)…vate…ikuu!!
Shpesh kur dilte ime shoqe nga puna mbasdite na pihej një kafe.Numeronim ç’kishim,në se tepëronte për një kafe të tretë futeshim në Turizëm.

…Ja keshtu, me ate Lek, me Lekun shqiptar ishte lidhur dikur dashur pa dashur jeta ime, jeta jonë…

.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com