in

Për gjirokastraonline nga Aleksandër Çipa : FFK ne qytetin magjik te gurit dhe dritave aset unik kulturor i popullit tonë

Guri dhe dritat e shpirtit njerëzor, një javë prej kënge, në Gjirokastër
Ka kohë dhe ditë të veçanta që për një qytet mund të marrin vlerën e një magjie të prekshme, të shijueshme dhe natyrisht imponuese, për t’u mbartur si hise e përhershme kujtese tek njeriu.
I tillë është Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës.
Ky i sivjetshmi që po ndodh, nga data 24 Qershor deri në 1 Korrik 2023, i njëmbëdhjeti në rendin numëror.
Gjirokastra ka shumë gjëra të rëndësishme që përbëjnë shenjat identifikuese të saj, sikundër ka disa gjëra atipike që kanë vlershmërinë e identitetit kombëtar të këtij qyteti. Njeri ndër më të rëndësishmit është pikërisht ky festival.
I ndalur, i penguar apo i ndërprerë, prej tetë vitesh, por sfidant për nga prurjet dhe spektakli që shpalos në shtatë ditët e tij.
Nuk gjen një sfilatë të tillë kostumesh në asnjë festival ndërkombëtar e aq më tepër, në asnjë bienale ndërkombëtare kostumografie.! Hapësira Shqiptare në kalanë e Argjiros, në mënyrën më natyrale dhe spontane të mundshme, njëjtëson vetveten përmes një shfaqjeje dhe sjelljeje kulturore.
Seicili grup, çdo krahinë dhe specifikisht njeri pas tjetrit, çdo entitet, në ditët e këtij festivali, janë materia unike e shpirtit dhe kulturës kombëtare, e shenjave etno dhe antropokulturore shqiptare…
Krejt ky vërshim folkloriko- kulturor, ka vlerën tingëlluese dhe pohuese të klithmës: ” Rron or rron dhe nuk vdes shqiptari!” Aq më tepër në kontekstin e një kohe si e tanishmja, kur po thahet dhe bjerret veçanësia dhe po triumfon depresivisht njëjtësia globale.
Në natën e katërt të festivalit erdhën ansamblet e Durrësit dhe Korçës.
Grupet nga Kruja sollën ciklin e parë të numrave të koncertit për qarkun bregdetar. Kostumet elegante dhe sidomos këngët folklorike qytetare, edhe pse nuk shënojnë një akt shtues për nga materia folklorike, gjithësesi, janë rifreskim i një paraqitjeje të fondit folklorik lokal.
Kënga aq tipologjike e pleqve të Krujës, shënon vijimësinë e një tradite aq qytetse.
Rrezëllitëse dhe elegante, sharmante dhe modul i elegancës qytetse ishin paraqitjet dhe interpretimet e grupeve të Korçës dhe Kolonjës.
Koloriti interpretues i këngëve, sidomos valleve të vajzave dhe djemve të kësaj trupe, rikthejnë shpresën e triumfit të traditës së ndërprerë por edhe të shtesës sharmante tek trupa dhe interpretët e një gjenerate të re artistësh e instrumentistësh.
Gjirokastra, natën e ka zgjatim dite, këto ditë. Grupet folklorike, artistë dhe instrumentistë të ndryshëm, fansa, adhurues të shumtë të folklorit, turistë, kurreshtarë nga vendi dhe bota janë të gjithë, banorët e mbrëmjeve dhe netëve të kësaj jave, në qytetin magjik të gurit dhe dritave.
Mes tyre; domethënë mes njerëzve, gurit dhe këngëve, (jo vetëm polifoniket), janë të meritueshmet për t’u ndriçuar prej dritash si në art. Të tillë, domethënë art, Gjirokastra ka prej kohësh më shumë se për vete dhe të çmuar për Botën.
Më të vjetra ndër gjithë dritësitë që gjeneron ky qytet, janë dritat e natyrës.
Por më të hershme për nga vlershmëria, janë ato të shpirtrave të talentuar njerëzorë të cilët, në shumicë dhe me kaq pasuri, mund t’i mbledhë e vetmja kala, si kjo e Argjiros.
Këtë aset unik kulturor të popullit tonë, mund ta shtojë dhe ekspozojë specifikisht, vetëm ky Festival Folklorik Kombëtar, i Gjirokastrës!
Gjirokastër, Ora 1.10, 28 Qershor, E mërkurë 2023
+14
<img class="x16dsc37" role="presentation" src="data:;base64, ” width=”18″ height=”18″ />
All reactions:

73

What do you think?

Written by admin

Aleksander Çipa per gjirokastraonline:Ne naten e Tretë te FFK shënuan kulmin artistik asambli i Dibres,trupa folklorike nga Kosova dhe qarkut te Tiranes

Aleksander Çipa:Nata e pestë e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës 2023