in

Një zagorite në Tiranë Inxh. Varvara Vasi (Zogu) në 80 vjetorin e lindjes – Nga Sefedin Çela

NJË ZAGORITE NË TIRANË
Inxh. Varvara Vasi (Zogu) në 80 vjetorin e lindjes

Shkrimtari Sefedin Çela

Djali i madh erdhi nga Kanadaja, pa u thënë se do të vinte. Takoi dajën e vet, bëri pësh pësh me Mirën, të shoqen e dajës e ja,krisën telefonat : alo, do të mblidhemi një drekë te Serena, afër Stadiumit Dinamo se Vara ka ditëlindjen, po do t’ia bëjmë surprizë!
Varvara është kjo zonja në fotografi, e dinte që në janar mbushte 80 vjet ; nuk kishte menduar të bënte ndonjë festë. Po ja, e morën me makinë te shtëpia dhe në ora 12.00 te Serena gjeti rrethin e vet me të ngushtë dhe djalin. Ja pse ai kishte ardhur jashtë radhe, pa familjen, kishte ardhur për të!Të të vijnë fëmijët kështu , sigurisht ndihesh se ke festë, se këtë përvjetor ke arsye ta veçosh nga të tjerët.

Kisha postuar një status në profilin tim në fb, “Nuse me nëntë kunata, e nënta”, me një fotografi të korrikut 1976, dita e dasmës së Janit : nëntë motra kishin futur në mes nusen e sapoardhur të vëllait, me fustan të bardhë nusërie. Ajo nuse, e para, i bëri nëntë motrat nëntë kunata. Nuk di a ka foto tjetër ku të jenë të nënta. Po e risjell atë foto që kjo zonja të rishohë veten e motrat si kanë qënë 44 vjet më pare.
Kam qënë në atë dasëm, ishin të gjithë motra e vëllezër, bashkë me ne , një çetë me baxhanakë. I vetmi beqar ishte vëllai i vogël, Skënderi, ai këndonte bukur, këndonte këngët e babait, Andonit, që nuk arriti të gëzojë dasmën e djemve.

Tani rrethi i familjes së madhe është ngushtuar, vitet kanë bërë të vetën, motra e madhe, Vergjenia, e motra e vogël, e nënta, Vasilika, nuk janë më. Edhe nga çeta e baxhanakëve mungojnë tre,Rustemi, Thimio e Safeti.

Jani , i vëllai më kujton se kam zanat fjalët, mund të shkruaj dy fjalë për këtë grua , se njeriu nuk bëhet përvit 80 vjeç. Motër a kunatë ta kesh , apo thjesht fati ka bërë t‘a njohësh, për njerëz si Varvara ke një shtysë të brendëshme të shprehesh, për ç’kanë bërë në jetë e për ç’janë.Varvara dëgjon ç’thuhet e kundërshton me forcë. E çfar mund të shkruhet për të, nuk ka bërë asgjë të veçantë, zotësi është të bëhesh 80 vjeç? Apo se ecën mbi paterica?

E thotë këtë kjo grua që gjithë jetën ka ecur me këmbët e veta, me vullnet e vetëdisiplinë. Pas fillores në fshat, shtatëvjeçaren e kreu në Sarandë, te hallë Aleksandra, që i thoshin shkurt Lekja , bashkë me Anthullën. Një nga mrekullitë e kësaj familjeje ishte mbështetja te njëri tjetri. Motra më e madhe, kur krijonte familjen e vet, mbante e shkollonte motrën me të vogël e kështu me radhë, deri te vëllai më i vogël, Skënderi.

Nuk mban mend pse zgjodhi politeknikumin e ndërtimit, ndoshta se siguroi një bursë, pra shkollën e mesme e bëri në Tiranë, në konvikt, në Qytetin e Nxënësve. Ato vite larg familjes i rritën besimin në vete, e bënë të pavarur, iu desh të gëlltisë herët mallin për shtëpinë e lotët .Pastaj universiteti, fakulteti i inxhinierisë së ndërtimit, në korpusin qendror. Qëlloi që në kursin e saj të ishte e vetmja vajzë. Mban mënd se aty bëri një takim me studentët dhe Hrushovi, kur vizitoi Shqipërinë. Studentët brohorisnin e bërtisnin fort e gati u shkaktua një keqkuptim, brohorisnin apo protestonin?

Mban mend edhe se një ditë i erdhi një letër nga Gjermania Lindore. I shkruante një bashkënxënës i shkollës së mesme, student në Gjermani. Ato vite shumë të rinj studionin në vendet mike të lindjes, të një sistemi. Me atë djalë vetëm sa njiheshin si nxënës në të njëjtën shkollë e aq. Pastaj letra tjetër,edhe një tjetër, me fjalë më të drejtpërdrejta. Pastaj një përgjigje.

Djali ishte Nikollë Zogu. U bë aq i guximshëm ky djali sa i shkruante edhe kur ishte me pushimet e verës në fshat. Një ditë merr letër nga e motra, Rita. Ajo i thoshte se duhej të spiegohej me babanë : kishte sjellë në shtëpi një kartolinë që vinte nga Gjermania në emër të Varvarës. Pushimet e verës mbaruan, kishte rifilluar viti akademik e kartolina kishte mbritur me vonesë.

Ç’është ky djalë, që na i dërgoka vajzës kartolina në behar? kishte pyetur babai.

Ajo i shkroi babait, ishte më e lehtë për të t’i niste me zarf gjithçka kishte për të thënë se sa t’i fliste përballë. I shkroi se ai djalë vazhdonte studimet për inxhinieri si ajo e një ditë do ta sillte në shtëpi. I shkroi s e ishte me origjinë nga Kashnjeti i Lezhës dhe se i ati, krushku i ardhshëm , vishej akoma sipas traditës së zonës, me tirqe.I shkroi dhe për hollësi të tjera, duke i lënë të kuptonte se e njihte mirë, si veten, dhe ajo nuk dinte se kish diçka që nuk shkonte te vetja.

Për të gjitha këto hollësi , sigurisht, u vu në dijeni edhe Nikolla. Derisa të kthehej ai nga Gjermania mund të donte kohë, kështu që, për të qetësuar ujrat, bëri vizitën e parë të njohjes vëllai i madh i Nikollës, Bardhoku. Babai e priti si një mik të madh, sipas zakonit ftoi edhe disa kushurinj e fqinj të afërt.

Është vëndi për të hapur një parantezë këtu : Andoni, që kam patur fatin ta njoh dhe unë, që më ka pritur dhe mua në vizitën e parë, nuk ishte aspak paragjykues, në bisedë të trajtonte si të barabartë, pavarësisht nga mosha. Brenda asaj familjeje ishte, në njëfarë mënyre, gjithë Shqipëria, me krahinat e besimet e saj. Nikolla ishte i besimit katolik, Rustemi,Jaupi,Safeti dhe unë myslimanë, si dhe nuset e të dy djemve,të tjerët ortodoksë.

Unë nuk kam ditur të këndoj kurrë, po nëse do të na duhej të këndonim sipas rrënjëve nga ishim mund të konkuronim në një minifestival folklorik, me motive nga Dibra e Berati,- origjina e nuseve, e deri në Lezhë, Tepelenë, Skrapar, Gjirokastër e Zagorie, nga vinim ne, armata e dhëndurëve. Për Andonin dhe familjen e tij martesa të tilla nuk përbënin aspak problem . Ato vite institucionet fetare e ritet fetare , në lindje, në vdekje a në martesë qoftë, ishin inekzistente, po, për forcë zakoni , në lidhjet martesore probleme të kësaj natyre hasje edhe në qytete me tradita kulture si Shkodra e Korça .

Këtë shkallë emancipimi , në të vërtetë, më shumë se një dukuri familjare, e vije re në gjithë krahinën e Zagories. Ndoshta se ishin të dalë; kurbeti një dukuri e shtrirë në gati çdo familje, veç dhimbjeve, i kishte bërë edhe më mëndjehapur e më zemërgjerë.

Pas diplomimit Varvara shkoi në zyrën e zv ministrit të Ndërtimit, Rahman Hanku. I kërkoi nëse mund ta çonin në Gjirokastër, të ishte afër familjes. Ai i tha se në Berat ngrihej vepra më e madhe e kohës në Shqipëri, aty do të bëhej inxhiniere. Dhe vërtet aty, në kanterin e stërmadh të ndërtimit të Kombinatit të Tekstileve ndjeu se u bë zonjë e profesionit dhe e vetes.

Ishte viti 1964, vjeshtë. Drejtori i madh i veprës në ndërtim ishte Kristo Papajani. Si rregull, ditën e parë të punës e filloje duke u prezantuar te ai.Ishte një njeri me emër të madh. Kishte qënë kreu i ekzekutivit në Vlorë, kishte ndërtuar rrugën me palma Vlorë – Skelë, nga më të gjërat e më të bukurat edhe sot , dhe e kish bërë Vlorën për 3-4 vjet më të bukur e më të hijshme në 50 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë në 1962.

Ai u çua nga tavolina , i doli përpara dhe i uroi fillim të mbarë e punë të mbarë.
-Po ti qenke goxha vajzë, i tha, nga fotoja e diplomës m’u duke sa unë! Mos ke veshur ndonjë pallto të hershme të gjyshes?
Edhe sot e kësaj dite , kur rastësisht sheh atë diplomë, i kujtohet drejtor Papajani duke qeshur. Vërtet, se ku kish gjetur një pallto demode, kishte pozuar e ngërdheshur , ndoshta për t’u dukur sa më serioze dhe e rritur, se nuk ishte më çupëlinë, tani ishte inxhiniere!

Filloi si përgjegjëse sektori, në zbatim. I duhej të vishte që në mëngjes herët kominoshet e çizmet, t’u jepte këmbëve e të kontrollonte disa herë në ditë cilësinë e punimeve, të shtrira në një territor të gjërë. Pikat e betonit punonin pa ndërprerje. Hynin e dilnin parreshtur makina të tonazheve të mëdha që sillnin nga Kombinati “Josif Pashko” në Tiranë konstruksione të rënda parafabrikate.Kontrollonte oxhakët që shtonin lartësi. Këto punë mjeshtrash i bënin mjeshtra të vërtetë,ardhur nga gjithë Shqipëria, sidomos gollobordas.

Kthehej pasdite vonë në banesën ku flinte. Si përherë , Vasilikën e gjente mbi librat e shkollës. Sipas traditës familjare, kishte ardhur radha e saj të kujdesej për motrën e vogël. Në Berat Vasilika mbaroi tetëvjeçaren e filloi gjimnazin. Në vitin 64-65 , dy km më larg, unë isha maturant në shkollën pedagogjike. Kaq afër, në një qytet, po mbreti i botës rasti nuk na vuri përballë . Fati na gjeti disa vite më vonë në universitet .

Jeta në kantier ziente. Kishte shumë inxhinierë, ekonomistë, të shkolluar e me interesa të gjera, në atë valë pune më vështirë se gjithçka ishte të gjeje kohë të mjaftueshme për të shkuar në bibliotekë a në kinema. Kishte ndodhur që , të kthyer vonë, me veshjet e punës, me çizme,pa patur kohë të ndrroheshin, shkonin me grupe të mëdha e të zhurmëshme në kinema. Beratasit i shihje në kinema si në kishë, të veshur mirë. Ai ishte qytet i lashtë, me kisha të zbukuruara me vepra arti të gdhëndura e pikturuara nga mjeshtra të mëdhenj si Onufri, me Mangalemin , lagjen e një mbi një dritareve, si të vizatuar me dorë, me Kalanë madhështore me një lagje të tërë brenda saj , të banuar. Këta qytetarë të hershëm kishin kodet e tyre të hershme të sjelljes. Shumë shpejt mirëkuptuan e u miqësuan me këta të ardhur të rinj që po ndërtonin në qytetin e tyre një vepër që do t’u ndryshonte ritmin e jetës e krejt jetën.

Po ditët kishin edhe të papriturat e keqkuptimet e veta, për t’u mbajtur mend.

Ritmet e punës ishin shtuar e grafikët e furnizimit, sidomos me beton, ishin bërë të vështirë. Është kusht teknologjik që derdhja në beton e një strukture të bëhet pa ndërprerje, deri në përfundim, ndryshe kompromentohet cilësia. Varvara vuri re se po i a devijonin grafikët e sektori i saj nuk po merrte beton sa duhej. Bisedoi me shefat përkatës, me kryeinxhinierin, i thanë diçka për përparësitë e objekteve, po asaj nuk i mjaftuan ato që dëgjoi. Bisedoi dhe me specialistë kinezë,që mbikqyrnin punimet. Ho , ho, i thanë dhe ata, pa problem,e gurët në trastë!

Atëhere vendosi të ankohej të drejtori i madh, Kristo Papajani.Ai, si zakonisht, doli nga prapa tavolinës së madhe dhe e ftoi të ulej. Kishte një fytyrë babaxhani tërë mirësi. Varvarës iu bënë lëmsh të gjitha ato që kishte menduar të thoshte, i iku fare dhe inati dhe ia dha të qarit! Ai e mori shtruar, kush e di sa herë kishte parë njerëz që qanin edhe për hiçmosgjë, ndoshta dhe fëmijët e tij!

Ajo donte t’i thoshte se nuk ishte punë grafikësh, aty kishte bryla, nuk mjaftontë që ajo kishte çizme e kominoshe si të tjerët, ajo nuk bërtiste dot e nuk trashte dot zërin si të tjerët e nuk shtynte dot si të tjerët , se ajo ishte vajzë! Pak a shumë diçka të tillë arriti të thotë , me fjalët ndarë në rrokje e me ngashërima. Duket ai e kupoi fare mirë, se i vuri dorën në sup si baba, i tha se nuk e kishin vënë kot në tabelë të nderit, se ishte në ballë e jo në bisht të punëve. Ato grafikët nuk ishin kot e vetëm kush të merrte i pari betonin. Ai kishte grafikë të tjerë në zyrën e tij, ku kishte një radhë cila fabrikë të përfundonte e para, të montoheshin makineritë e të fillonte e para prodhimin, ndërkohë që do të vazhdonte ndërtimi i fabrikave të tjera. E do të kishte vajza të tjera që do të qanin se nuk merrnin betonin e duhur sipas grafikëve…
Ishte takimi i fundit me drejtorin e madh Papajani. Nuk e harron kurrë e nuk do ta harronte edhe sikur të mos kishte qarë!

Në vitin 1967 u transferua në Lezhë. Ndërkohë ishin martuar e dy rrethet, Berati e Lezha gjetën gjuhen e përbashkët midis dy alternativave,ose të dy në Berat,ose të dy në Lezhë. Lezha fitoi : vetëm në ndërtimin e kombinatit në Berat kishte më shumë inxhinierë se gjithë rrethi i Lezhës!

Domosdo mori pas vetes edhe rimorkion e dashur, motrën e vogël Likën, të përfundonte në Lezhë gjimnazin që e filloi në Berat.
Kërkoi të punonte inxhiniere në zbatim, punë që ia kishte marrë dorën, po e gjeti veten në një zyrë, në urbanistikën e rrethit. I u fut punës si përherë, kokëulur dhe e pa fjalë. Po, si thonë, puna e mirë, si fjala e mirë, bën këmbë e ecën e gjithkush e ndjen : pas dy vjetësh u transferua në Tiranë, në Ministrinë e Ndërtimit, drejtore e drejtorisë së planit. Ato grafikët në Berat, projektet që realizoheshin sipas përparësive në Lezhë , ishin një përvojë e madhe që e ndihmuan të përballonte e sigurtë punën për realizimin e veprave të reja në shkallë vendi. Fakti që në atë detyrë qëndroi plot 13 vjet tregon se ia doli mbanë me sukses.

Marrdhëniet e punës me shtetin e përgjithësisht me profesionin i mbylli si drejtore e personelit në të njëjtin dikaster. U ndje mirë edhe në këtë përvojë të re, se njihte problemet në shkallë vendi, nevojat që kishte çdo front pune për specialistë, ajo i çmonte këta jo si ushtarë në front, po sidomos si njerëz e familjarë me halle e preokupime të ndryshme.

Ka vite që ajo , shkëputur para kohe nga mardhëniet me punën, bën pensionisten. Si gjithë të tjerët pret datën e pensionit modest. Nuk turfullon për një jetë të tërë mund të pa shpërblyer sa e si duhet. Ajo që gjithçka ka ndërtuar duke ecur me këmbët e veta, do të donte të paktën shëndet më të mirë, megjithatë, qëndron drejt, qoftë dhe pse mbi dy paterica ortopedike. Kthen kokën pas e nuk i vjen keq për vitet që ikën, i vjen keq që mundi i saj, i kolegëve të saj, mundi i një jete të tërë, pati një fund që s’e kishte menduar kurrë : shumë nga ato vepra kanë mbetur si skelete rakitike anës rrugës, si të djegura nga rrufeja. Mund të kishin patur fat më të mirë. Në fund të viteve 90-të në Kombinatin e Beratit punonin 15 000 tekstilistë e punonjës shërbimi, me ato produkte që fabrikoheshin aty vishej tërë Shqipëria e një pjesë e mirë eksportohej. Nuk mund të menaxhohej ndryshe , të mos braktisej e të mos liheshim mijëra punëtorë rrugëve?

Më thotë se për këto mund të shkruaj dy e pesë fjalë e jo se ajo u bë 80 vjeç! I them se duhet shkruar për të dyja, ka ardhur koha që duhet rifreskuar kujtesa. Të paktën t’u jemi mirënjëohës atyre që kanë derdhur djersë, që janë bërë reu matikë kantiereve, që kanë ndërtuar e jo prishur!

Ka njëmijë e ca arsye pse duhet shkruar për të tillë kontribues profesionalë, si inxhiniere Varvara, ndërsa unë kam dhe një detyrim të veçantë moral ndaj kësaj zonje, jam kunati , i nënti, më i vogli : është kujdesur për Vasilikën time tërë jetën, ka qënë për të motër e mama!
Fotografia e Sefedin Cela

What do you think?

Written by Admini

Sa e njhni bimen e çikores, bimen e cila ka perdorim te gjere ne kuzhinat tona

Ndahet nga jeta gjirokastritia Gjyzo Hajdini, zonja e shijes dhe fjalës së ëmbël