in

Nga Ylli Musta mesoni se si e mori ferra uratën…

Ishte mesi i vjeshtës dhe fshatarët në valën e punës nxirrnin rakinë e re. Sipas traditës, urata shkonte fshat më fshat për t’i uruar prodhuesit e rakisë e për të shpallur në fund se cila ishte rakia më e mirë!
Urata ndalonte në çdo shtëpi, përshëndetej me të zotët, të cilët i jepnin të provonte nga pak prej rakisë që kishin bërë: dikush raki rrushi, dikush raki mani, një tjetër raki koçimareje, apo raki hurme, e kështu me radhë. Në mes gëzimit e mikpritjes, urata provonte rakitë, dhe i uronte fshatarët që ta pinin gëzuar e me shëndet. Dhe vazhdonte rrugën më tej. Në një çast, dëgjoi nga larg këngë e vegla muzikore, zëra e thirrje gazmore, si askund tjetër.
“Po këta ç’janë”- pyeti urata njërin nga shoqëruesit e tij.
“Janë nga fshati matanë, nxjerrin rakinë dhe po festojnë uratë…” i tha shoqëruesi.
“Ua, çudi! Kaq të gëzuar? – foli urata.-Shkojmë t’i takojmë dhe urojmë”- tha ai dhe morën rrugën drejt fshatit gazmor.
Kur mbërritën atje, pa gjithandej njerëz të gëzuar, burra e gra, fëmijë e pleq, që putheshin e përqafoheshin. Nxirrnin rakinë e re dhe trokisnin gotat, uroheshin.
“Po ç’është gjithë kjo hare këtu, o bijtë e mi?”- pyeti urata.
“Ferra uratë,ferra… – i thanë.- Është rakia që e nxjerrim nga ferra, nga manaferrat uratë…”- sqaruan fshatarët.
“Ferra e jep këtë gëzim e vëllazëri? Hajde raki hajde… Dhe del nga ferra kjo e bekuar?…”- u çudit urata.
“Po uratë, nga ferra”- i thanë fshatarët. Urata e shijoi mirë e mirë rakinë e ferrës, dhe pasi hoqi edhe një valle me fshatarët, foli solemnisht:
“Kjo shpallet rakia më e mirë! Zoti jua bekon ferrën dhe rakinë e ferrës!” Dhe mes këngës, valles e festës, fshatarët e përcollën uratën. Ky, shkoi edhe në një fshat tjetër aty pranë, dhe vonë,afër mbrëmjes, po kthehej sërish po në të njëjtën rrugë që kishte përshkuar atë ditë. Kur po afrohej tek fshati i ferrës, çuditërisht dëgjoi ulërima, të lebetitura, krisma armësh, të qara grash e fëmijësh… Vende-vende dukeshin zjarre dhe tym…
“Ç’bëhet kështu biri im?”- pyeti urata i tmerruar shoqëruesin.
“Ferra uratë, ferra…”
“S’të marr vesh biri im”- tha urata.
“Rakia e ferrës, uratë… Kështu e ka ajo e bekuar…”
“Mos more!! Të vemi në fshat dhe ta mallkojmë…”- foli urata.
“Në asnjë mënyrë uratë! Është me rrezik, se mund të lësh kokën…”
“Po si t’ia bëjmë biri im, s’ka ilaç kjo punë?”
“Aha, tani e mori ferra uratën…”

What do you think?

Written by admin

Ndahet nga jeta inxhinieri gjirokastrit Klement Çela

Festa e Ujit të Bekuar sot në Gjirokaster u bë më e bukur nga një 13-vjeçar që sfidoi të ftohtin dhe kapi kryqin në lumin Drino!