Nuk harrohen korifejtë Xhevat Avdalli, Demir Zyko, Katina Bejleri, Paro Ziflaj, Arjan Shehu, Nazif Çela, Irini Qiriako, Erjon Mërkuri, Ali Kondi
Kur Golik Jaupi këndonte në fesitivalin e Gjirokastrës, gjëmonin bedenat e kalasë madhështore
Naxhi Kasoruho
Mjeshtër i Madh
Më 25 nëntor polifonia shqiptare festoi 15-vjetorin e përfshrjes së saj në listën e vlerave të trashëgimisë botërore që mbrohet nga UNESCO. Kjo ditë është historike për këngën shqiptare këtë perlë të folkloristikës sonë që bën të ndihemi krenarë. Në këtë ditë jubilare u mundova të sjell në vëmendje gjithë grupet polifonike dhe korifejtë e mirënjohur që janë ngjitur në skenën e festivalit të Gjirokastrës nga viti 1968, kur hapi siparin ky manifestim madhështor, panteoni i folkloristikës sonë deri më sot. Kam patur fatin të kem qenë në të gjitha këto festivale si muzikant, drejtues dhe udhëheqës artistik i grupeve popullore të rrethit dhe qarkut të Gjirokastrës, duke u vlerësuar nga juria me flamurin e festivalit në 6-të edicione, nga 9 që janë zhvilluar në atë kala madhështore. Janë të shumtë korifejtë e grupeve polifonike nga mbarë vendi që kanë promovuar me tërë pasionin e shpirtit artist perla të rralla nga trashëgimia folklorike kombëtare duke shpalosur identitetin tonë kombëtar si: Xhevat Avdalli, Demir Zyko, Katina Bejleri, Paro Ziflaj, Arjan Shehu, Nazif Çela, Irini Qiriako, Erjon Mërkuri, Ali Kondi etj, që me zërin e tyre brilant, kanë bërë të buçasin bedenat e kalasë historike të Gjirokastrës.
Midis tyre vjen me tërë madhështinë e tij, me zërin brilant të fuqishëm të bukur melodioz epiko-heroik, të papërsëritshëm korifeu i grupit polifonik të Bënçës, “Mjeshtri i Madh”, Golik Jaupi. Nga tetori i vitit 1968 kur e kam parë për herë të parë në festivalin e Gjirokastrës, e deri më sot e kam dëgjuar me vëmendje emocion dhe dashuri këtë brilant të polifonisë sonë, si një korife udhërrëfyes, që kur prek skenën bëhet magjepsës, i papërmbajtshëm dhe dominon skenën e kalasë duke emocionuar publikun e shumtë që të ngritur në këmbë e duartrokasin me entuziazëm dhe dashuri. Tani që po shkruaj këto rreshta mendoj se, tek Golik Jaupi janë bashkuar në një unitet perfekt emri i tij që e ka marrë nga mali Golik që është karshi Tepelenës dhe zëri i tij brilant, i veçantë, i papërsëritshëm, që me siguri ja ka falur perendia. Sa herë që e shikoj në skenë Golik Jaupin me atë shtat mesatar e thatim, gjithmonë pyes veten, ku e gjen atë forcë shpërthyese ky këngëtar korife që të befason me zërin shpërthyes që thua se del nga një gjoks gjigand që bën të buçasin bedenat e kalasë madhështore të Gjirokastrës! Në të gjithë daljet e tij publike Goliku është perfekt në performancën e tij nga pastërtia dhe bukuria e kostumit popullor, tek qëndrimi në skenë, lëvizjet e prera ekspresive të duarve që i drejtohej publikut si dhe zëri i qartë dhe i kumbueshëm që formojnë personalitetin artistik të këtij korifeu të polifonisë shqiptare. Goliku kur ngjitet në skenë merr një forcë të jashtëzakonshme, prej saj që më kujton Anteun e Mitologjisë që e merrrte fuqinë nga toka. Kështu është edhe skena për Golikun, ky Panteon i promovimit të vlerave të trashëgimisë sonë, që ai e vlerëson maksimalisht, për të kënaqur publikun artdashës që e do me pakufij.
Goliku ka lindur 70 vjet më parë në fshatin Bënçë të rrethit të Tepelenës që ndodhet në grykën midis maleve dhe rruga të çon deri lart në fshatin Progonat të Labërisë. Bënça në kohën e socializmit ishte njohur për burgun e tmerrshëm ku ishin të burgosur “Armiqtë e Popullit” dhe siç tregon historia, vuanin në kushte të rënda. Ky burg vazhdon edhe sot në vitet e demokracisë pas vitit ‘90. Në atë burg kaloi 4 vite të jetës së tij edhe Fatos Nano kryetari i Partisë Socialiste. Golik Jaupi me këngën e tij e çrrënjosi disi emrin famëkeq ‘Burgu i Bënçës’ dhe i dha emrin domethënës ‘Bënça e këngës’.
Me grupin polifonik dhe këngët e tij në këto 5 dekada, Golik Jaupi i dha Bënçës, vendlindjes së tij një emër të bukur si “Bënça e këngës” në mbarë vendin dhe në shumë vende të tjera në Europë. Kur flasim për Golik Jaupin dhe grupin polifonik të Bënçës, në krahë të tij qëndron me një prezencë dinjitoze Paro Ziflaj këngëtarja me zë të kumbueshëm në regjistrin Mexo-Soprano që harmonizohet deri në perfeksion me Golikun dhe gjithë grupin. Kjo dyshe e polifonisë Labe është e veçantë dhe me një veprimtari të gjerë për dekada nëpër skena e podiume, festivale e koncerte festive me këngë në buzë në krahë të njeri-tjetrit duke fituar duartrokitje dhe vlerësime të larta nga publiku artëdashës që i ndjek me kënaqësi. Po a e dini se fjalët e këtyre këngëve i ka krijuar i madhërishmi, profesori, poeti, njeriu i mirë, i paharruari Maliq Lila? Maliq Lila ishte një njohës i jashtëzakonshëm i kulturës dhe polifonisë Labe. Goliku, Parua dhe Maliqi janë një trio artistike e përkryer që formuan një grup befasues polifonik që i dha emrin Bënçës dhe polifonisë shqiptare vlera të rralla duke justifikuar praniminn e saj në trashëgiminë botërore që mbrohet nga UNESCO.
Ja disa nga vargjet e këngës:
Të mos vrasim kohën tonë
Pse kështu e mira Nënë,
Nënë në diell e diell zënë,
Pse, moj pse, kaqe m’u trete,
Me rrënjë në pesë shtete,
Në lumenj nëpër kurbete,
Me arkivole në dete…
Botës ç’nuk i kemi dhënë,
Të mos vrasim kohën tonë…
Vure buzën në behare,
Moj e rregjura në zjarre,
E lashta emër krenare,
Që kur s’kish lerë hëna fare.
Në janar të këtij viti Ministrja e Kulturës, znj. Elva Margariti, shpalli zhvillimin e Festivalit Folklorik Kombëtar për t’u organizuar në muajn shtator por qe pandemia e stërzgjatur e anulloi këtë festival madhështor. Ndoshta festivali i Gjirokastrës do të zhvillohet vitin tjetër, prandaj mezi po pres ta shikoj përsëri në skenë Golik Jaupin, të cilin e uroj nga zemra: Mos t’u harroftë kënga kurrë, o Goliku i Bënçës së Tepelenës!
Marre nga Gazeta Telegraf