in

Kujtojmë dhe nderojmë mësuesin Ferhat Karagjozi (Këri), mësuesin e 37 brezave

Në këtë 7 Mars, Ditën e Mësuesit, kujtojmë dhe nderojmë një nga figurat e arsimit gjirokastrit, Ferhat Karagjozi (Këri), mësuesin e 37 brezave qe, me përgatitjen, përkushtimin, seriozitetin, përkujdesjen ndaj nxënësve, la gjurmë të pashlyera ndër ta. Edhe pse koha nuk e lejonte, ata në të gjitha këto vite e quajtën “zoti Ferhat”.

Lindi më 1913 në qytetin e Gjirokastrës. Ndoqi qysh i vogël Liceun Francez të këtij qyteti dhe duke pasur rezultate shumë të mira vazhdoi më tej Normalen e Elbasanit. Kjo shkollë luajti rol në formimin e tij si mësues dhe intelektual. U shkollua në klasë bashkë me Fadil Hoxhën, Hekuran Zhitin e shok banke pati hartuesin e abetares së disa dekadave, Kolë Xhumarin, me të cilin deri në ditët e fundit të jetës mbajti lidhje.

U kthye në qytetin e lindjes, ku emërohet fillimisht si mësues në disa fshatra jashtë këtij qyteti si në Vagalat të Delvinës, Leusë të Përmetit. Rikthehet në Gjirokastër dhe nis punë si mësues i historisë dhe i gjeografisë në shkollën “N. Frashëri” ku sapo ishte emëruar për pak kohë edhe Musine Kokalari, e cila, duke e pasur edhe shok të një prej vëllezërve të saj, i ofroi për të lexuar dorëshkrimin e librit “Si më foli nënua plakë”.

Në kujtimet e tij, i tregonte familjes se e lexoi “me një frymë“dhe e nxiti ta botojë menjëherë e pa ndrojtje. Ai fliste me veneracion të veçantë për Branko Merxhanin e Vangjo Nirvanën (Koça), për teorinë e tyre të Neoshqiptarizmës. Po kështu fliste e tregonte për shumë figura intelektuale gjirokastrite, si Eqrem Çabejn, Veli Hashorvën, botuesin e gazetës “Drita”, të cilët i njihte personalisht etj.

Pas Çlirimit, niset për në Golëm ku çeli dhe shkollën e parë të këtij fshati për banorët e të cilit, deri në fund të jetës, ruajti respekt dhe mirënjohje të veçantë për mikpritjen dhe zgjuarsinë që i karakterizonte e që iu kthye prej tyre po njësoj. Mbushej me dashuri dhe shpesh përlotej, kur i vinin letra nga ish-nxënësit shumë prej të cilëve ishin bërë inxhienierë, mjekë, ekonomistë, oficerë etj ku e falenderonin që kishte qenë ai shtysa, duke thyer shpesh dhe qëndrimin refuzues të familjeve, për të vazhduar Shkollat e Larta.

Punoi si mësues në të gjitha shkollat e qytetit të Gjirokastrës ku u dallua si një mësues e didakt shumë i mirë. Në një vizitë të papritur në orën e mësimit në shkollën “K. Hoxhi”nga ministri i Arsimit të asaj kohe, Thoma Deliana, ky i fundit dhe ekipi që e shoqëronte mbetën të impresionuar nga mënyra e zhvillimit të orës së mësimit, nga eksperimentet dhe mënyra e shpjegimit. Atë ditë ai kishte sajuar vetë vullkanin, i cili shpërtheu në klasë dhe nxënesit u mrekulluan.

Shpesh dilte ne terren dy ditë para mësimit për të gjetur vendet ku do t’iu ilustronte nxënësve erozionin, t’i orientonte ata si mund të gjendej rruga duke parë myshkun e pemëve etj. Dashurinë për mësuesinë ua trashëgoi dhe dy vajzave të tij (Tatjanës dhe Mimozës), të cilat kujtojnë se e kishte merak vëmendjen e nxënësve në mësim, prandaj i porosiste;

“Po patë qoftë dhe një nxënës që sheh nga dritarja, mësimi ka mbaruar, nuk ju ndjek më njeri dhe duhet të tregoni diçka që t’i tërheqi e t’u rikthehet vëmendja”.

Gjithë kohën lexonte dhe biblioteka e qytetit ishte shtepia e tij e dytë. Mrekullohej po t’i binin në dorë libra në frëngjisht, por dhe italisht, gjuhë që i zotëronte qysh në rini. Shpesh mësues të tjerë e më vonë dhe pedagogë e pyesnin, i merrnin ndonjë mendim për çështje historike për të cilat ishte objektiv dhe i sqaronte me vërtetësi aq më tepër ato që kishte jetuar vetë,brenda e jashtë vendit edhe pse mund të ishin intrepretuar disi “ndryshe” në librat e kohës.

Mësuesit e rinj i ndihmonte me mjetet mësimore, si busulla, atlase e harta të cilat pas daljes në pension ua shpinte nëpër shkolla. Ishte dekoruar me urdhërin “Naim Frashëri” dhe në vitet `90 edhe me titullin “Mësues i Merituar”.

Pas daljes në pension u thirr përsëri për disa vite të jepte mësim në shkollën “Koto Hoxhi” dhe në ditë të veçanta të kontribuonte dhe në bibliotekën e qytetit. U nda nga jeta në 8 prill të 2014-ës, por ka mbetur i nderuar në mendjet dhe në zemrën e nxënësve të tij.

What do you think?

Written by admin

Homazh për regjisorin dhe skenaristin e veçantë Kujtim Gjonaj

Kjo foto-kujtim, si nje tufe me lule dhurate per Diten e Mesuesit