in

Farudin Hoxha nga Gjirokastra, shkencëtari i rrallë i veprave madhore hidroenergjetike në Shqipëri

Pesë vjet me pare, me 11 shtator 2017 u nda nga jeta Farudin Hoxha, Akademik Prof. Dr. Inxhinier Hidroteknik.

Lindi në Gjirokastër në vitin 1935. Kreu Politeknikumin e Tiranës dhe ndoqi studimet e larta për ndërtime hidroenergjetike në Budapest e Sofje; u diplomua më 1961 në UT.

Prej vitit 1961 punoi në Institutin Shtetëror të Projektimit në Tiranë, në Drejtorinë e Hidrocentraleve dhe më vonë në Institutin e Studimeve dhe të Projektimeve të Hidrocentraleve, Nënstacioneve dhe Linjave të Tensionit të Lartë.

Në vitin 1971 për një periudhë gjashtëmujore, kreu specializim pasuniversitar në Francë për mekanikën e dherave dhe ndërtimin e digave të larta me materiale vendi ose rrethanorë.

Pavarësisht nga detyrat e tjera që iu ngarkuan, profesori vazhdoi rregullisht punën studimore e projektuese në këtë Institut deri në mesin e vitit 1993.

Nga nëntori 1982 deri në maj 1988, qe ministër i Ndërtimit dhe më pas deri në 21 shkurt 1991, ministër pranë Këshillit të Ministrave për bashkëpunimin ekonomik me jashtë.

Kreu studime dhe projektime për vepra hidroteknike dhe hidroenergjetike të rëndësishme, si: hidrocentrale, ujëmbledhës, diga, stacione pompimi etj. Disa prej digave të hidrocentraleve me lartësi nga 40 m deri në 167 m të projektuara nga grupi i punës, që kryesonte akademik Hoxha janë klasifikuar nga Komiteti Botëror i Digave të Mëdha (ICOLD), ndër më të lartat në Evropë e më gjerë. Prej vitit 2000 deri në vitin 2006 ka qenë i zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Tiranës. Mban titullin shkencor “Profesor” dhe “Akademik”.

Në vitin 1986 u pranua anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe nga viti 1989 ishte anëtar i saj. Prej vitit 1997 deri në vitin 1999 ka qenë Sekretar Shkencor i ASh dhe nga ky vit deri në vitin 2008 ka qenë zgjedhur dhe zëvendëskryetar i saj.

Për arritjet në punën studimore dhe projektuese në fushën e ndërtimeve hidroenergjitike, është nderuar dy herë me Çmimin e Republikës së Klasit të Parë.

What do you think?

Written by admin

A ia dini kuptimin? Fjalë dhe shprehje nga Fjalori i së Folmes së Gjirokastrës

Për Herë të Parë – Botohet Fotua Historike e Datës së Shënuar për Gjirokastrën