Presidenti Ilir Meta vlereson me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Koto Hoxhin

Në shekuj Lunxhëria ia ka dalë të shkruajë faqe të lavdishme atdhetarie, arsimimi, kulture dhe emancipimi shoqëror, duke i falur Shqipërisë burra e gra të shquara!
Këtu lindi dhe u edukua një nga Rilindasit e mëdhenj, pioneri i arsimit shqiptar, Koto Hoxhi, i cili mbolli në errësirën e kohës farën e dijes, të alfabetit dhe të gjuhës shqipe, dhe edukoi me ndjenjën e lirisë dhe krenarinë e identitetit kombëtar Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, por edhe shumë të tjerë.
Në vlerësim për kontributin e shquar në hedhjen e themeleve të arsimit dhe gjuhës shqipe, të rilindjes kulturore e letrare shqiptare, si dhe zgjimit të vetëdijes kombëtare në shërbim të luftës për pavarësinë e Shqipërisë, pata nderin të vlerësoj me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, Koto Hoxhin, i cili do të flijohej i bindur në fitoren e kauzës shqiptare për liri, arsim dhe emancipim shoqëror!


Me këtë gjest ne nderojmë kontributin e tij në shërbim të kombit, por edhe përcjellim mesazhin e përkushtimit patriotik për gjeneratat e reja!
Shqipëria që kemi sot nuk mund të ishte produkt i rrethanave të kohës, por vepër e sakrificave të panumërta.
Ndaj edhe shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për burra dhe gra sa më atdhetarë dhe të përgjegjshëm për fatet e vendit!

 

🇦🇱