Autori i vrasjes së 8 personave pasditen e së premtes në Resulaj të Selenicës, në Vlorë, u kap mëngjesin e së shtunës nga forcat e policisë, pas disa orëve kërkimi dhe ndjekjeje, në rrethinat afër këtij fshati.
Sipas informacioneve nga terreni, operacioni për kapjen e Ridvan Zykës, gjatë kohës që ai ishte fshehur, është zhvilluar pa situata që mund të vinin në rrezik komunitetin e zonës, ndërsa është gjetur edhe arma me të cilën u krye krimi.
Ngjarja e pasdites së të premtes çoi në humbjen e 8 jetëve. Ridvan Zyka, me kallashnikov u mori jetën 8 anëtarëve të fisit të tij me të njëjtin mbiemër.
Top Channel mësoi se arsyeja që çoi autorin në këtë krim të frikshëm, mendohet të jetë një konflikt për pronën. Ai vrau vëllain e gjyshit, bashkëshorten e tij, dy djemtë e çiftit dhe nipin e mbesën 14 dhe 6 vjeçe.
Ngjarja që mund të cilësohet si një nga më të rëndat në vend gjatë dekadave të fundit, nuk ka si autor një person me probleme mendore. Burime i thanë Top Channel se Ridvan Zyka nuk njihej si i tillë, por si një përdorues droge.
Sherri, siç mësohet nga hetuesit, nisi pas festës së fshatit. Autori ka debatuar me njërën nga viktimat për një gardh, prej së cilës është ofenduar, e në gjakftohtësi e sipër ka shkuar të marrë armën me të cilen kreu aktin makabër.
Pasi kreu vrasjet, Ridvan Zykaj u largua me shpejtësi nga vendngjarja. Policia e Vlorës e kapi atë me ndihmën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA-s, pasi rrethoi të gjithë zonën përreth fshatit Resulaj.
Ekspertët e policisë nuk kanë ende një motiv të qartë të shkakut të ngjarjes. Në asnjë ngjarje tjetër të rëndë kriminale në Shqipëri, pas viteve ’90, një autor i vetëm nuk ka shkaktuar këtë numër të lartë viktimash.
Policia njoftoi këtë mëngjes se Ridvan Zykaj u shoqërua në Komisariatin e Vlorës, ku më pas do t’iu nënshrohet edhe testeve për shëndetin e tij mendor. Akuza që bie mbi autorin e krimit është “vrasja në rrethana cilësuese ndaj dy ose më shumë personave”.