50 vjet më parë, me inisiativën e dirigjentit Roland Çene “Mjeshtër i Madh” ne vitin 1968 ne qytetin e Gjirokastrës u ngrit për herë të parë kori miks i cili funksionoi deri në festivalin e pestë FFK në vitin 1988 dhe shërbeu në rastet e ceremonive per çeljen e FFK etj.
Në Koncertet e “Mirëseardhjes”, që janë organizuar në epiqendër të programit ishin interpretimet e korit të bashkuar, pjesë kryesisht përpunime, harmonizime e krijime në fryme popullore nga gjithë territoret etnoklturore të vendit.
Kori i zgjeruar i Gjirokastrës, arriti të krijojë një profil të qartë si kor i interpretimeve të veprave korale me fryme popullore të mbështetura në melosin e këngëve popullore nga mbarë vendi. Për veprimtarinë e këtij kori kanë përpunuar, harmonizuar e krijuar në stil popullor kompozitorët: Ç. Zadeja, F. Ibrahimi, A. Mula, A. Peçi, Th. Gaqi, R. Çene, K. Laro etj.
Dirigjenti Roland Çene ka ngritur dhe shumë kore mikse, të cilët kanë dhënë kontribut të çmuar në jetën muzikore të vendit. Ndër ta veçohen ngritja e korit miks të Kombinatit të Tekstileve në Tiranë në vitin 1964, korit miks të Universitetit të Tiranës në 1967, korit të Pallatit të Kulturës në qytetin e Përmetit në 1969 si dhe shumë kore me veprimtari lokale në rrethin e Gjirokastrës.
Rolandi bëri të pamundurën në Gjirokastër për të krijuar një ansambël orkestral të admirueshëm. Pothuajse nga hiçi krijoi në vitet ‘70 një orkestër të madhe, e cila me vonë përfundoi në orkestër simfonike. Ai luajti një rol të shquar si dirigjent e krijues në jetën kulturore-artistike të qytetit të Gjirokastrës për dhjetëvjeçarë të tërë.
Prof. Roland Çene, krahas punës si dirigjent ka dhe një veprimtari të gjerë e të shtrirë në kohë si krijues, publicist, pedagog, e muzikolog. Ai ka drejtuar shumë aktivitete muzikore që kanë përfaqësuar muzikën shqiptare jashtë vendit, si në ish Jugosllavi,Rumani, Zvicer, Greqi, Francë, e brenda vendit në festivale kombëtare, Dekadat e Majit (1967, 1968), festivalin e këngës në RTV (1966) etj.
Në vlerësim të kontributit të gjatë në rrethin e Gjirokastrës, është shpallur “Qytetar Nderi” (2006).
Për 75 vjetorin e lindjes Këshilli i Qarkut Gjirokaster e nderoi me titullin “Nderi i Qarkut” ( 2012).
Për kontributin në fushën e muzikës i janë akorduar disa urdhra e dekorata si dhe titujt “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh”.