Djemtë dhe vajzat e viteve 60-70-të nuk e kishin të lehtë njohjen. Nuk ishin te lirë si sot. S`ka fjalë e shembuj për krahasim.
Syte, fjalet e para dhe vendet publike, rruga më shumë, e objekte të veçanta, ishin mjetet dhe vendet e njohjes e të komunikimit.
Po në Gjirokastër, cilat ishin ato vende te preferuara, ku djemtë më së shumti “grisnin këpucët” per te realizuar nje njohje, nje takim te pritshëm, per t`u hapur e folur dhe me gjysem zëri me shprehjen e zakonshme:
“Me leje, ka mundesi nje minute?”
E preferuar për djemtë që “gjuanin” vajzat ishte Rruga e Gjimnazit. Në pushim të gjatë e me mbarimin e orëvë të mësimit, vetëm e nga dy bashkë, ata zinin “shtigjet”, vinin dhe vërdallë, gjoja kot, po serioz, të shtrënguar për të qënë në rregull edhe jashtë ambienteve te shkollës që, për të mbajtur rregullin nuk qarkullonte asnjë polic.
Nuk ndodhte asgjë, as sharrje, as grindje, ndonje fërshëllimë dhe dëgjohej, po mbyturazi, për sinjal.
Djemtë e qytetit, më të shumtën e kohës e harxhonin kohën kot e pa shpresë se mund të këmbenin dhe një fjalë me gjimnazistet “mendjemëdha” po në të vërtetë dhe ato jo indiferente po sy e vesh ngritur.
Rruga dhe koha, momenti, i bashkonte po për të guxuar i “ndante syri i botës”. Po dhe ndonjë takim i shkurtër ndodhte. Ndonjera “ndahej nga shoqet”, largonte nga vetja frikën nga presioni shoqëror e familjar.
E admirueshme ishte inisiativa e djemve dhe lehtësuese për vajzat, të pa guxuara për të qënë të parat në një njohje apo lidhje, në ambjentet e Mapos së Madhe të katit të parë, të Hotel Sopotit me njësi sherbimi te tregtise; kinkaleri, manifakturë dhe këpucë.
Ky objekt për vajzat ishte si “shtepi pritjeje”, të sigurta se nuk binin ne sy për keq, të justifikuara, se hynin për të “blerë”. Këtu ndiheshin të kënaqura, shkëmbenin vështrime, thoshnin dhe ndonjë fjalë me ‘gjuajtësit’, me simpatizantët e tyre që, disa, dhe pa i njohur, guxonin dhe nisnin njohjen me fjalët e paharruara dhe sot “Me leje, ka mundesi një minutë!”.
Rallë ndodhte, edhe ne Pazar, një djalë e një vajzë të bisedonin lirshem dhe shoke shkolle e pune të ishin, se fjalët qarkullonin ‘filani ishte me filanen’, ‘filani e rregulloi filanen’ etj.
Për djemtë dhe vajzat e atyre viteve, atmosfera shoqerore për njohje dhe lidhje të hapur, në dritë të diellit, si thuhet, nuk ishte e favorshme por e ngarkuar me paragjykime, e vështirë dhe e mundimshme, dhe një takim disa minuta ne rruge, ne sy te botes, pa zënë në gojë në kafe apo lulishte.
Po dhe përjashtime kishte, djem e vajza të “stërvitur” nuk çanin kokë për opinionin e shumicës. Fshehurazi, njohjet dhe dashuritë vazhdonin…
E tillë kohë ishte!