Mungesa e vlerësimit në punë është më e dëmshme për shëndetin sesa puna për personat që janë të përkushtuar në angazhimet e përditshme të profesionit të tyre për shumë orë në ditë, shkruhet në një artikull të prestigjiozes italiane ‘La Stampa’.
Sipas një studimi mbi stresin në vendin e punës të publikuar nga revista ‘Psychoneuroendocrinology’, mungesa e vlerësimit nga ana e kolegëve dhe drejtuesve është burimi kryesor i stresit kronik të punonjësve.
Një angazhim i madh i shoqëruar nga mosvlerësimi është një kokteil toksik eksploziv, më i dëmshëm se presioni dhe tensioni psikologjik që vjen nga puna e tepërt ose nga përgjegjësitë e shumta.
Studiuesit holandezë, të udhëhequr nga profesori Leander van der Meij i universitetit të teknologjisë Eindhoven në Holandë, kanë studiuar lidhjet mes treguesve të stresit fiziologjik, siç është kortizoli i hormoneve, dhe treguesit psikologjikë, siç është përceptimi i stresit nga subjektet, për të parashikuar shëndetin e të punësuarve dhe performancën e tyre të punës.
Kortizoli, hormoni i stresit, lëshohet nga organizmi në situata emergjente për të nxitur përgjigjen “ik ose lufto”. Në situata të caktuara ndihmon shumë. Gjërat ndryshojnë kur nivelet e tij vazhdojnë të mbeten të larta për një kohë të gjatë, shkruan BW
Ekipi i studiuesve holandezë ka krahasuar nivelet e kortizolit tek 91 persona të punësuar në një javë të zakonshme pune me nivelet e 81 personave me ngarkesë të madhe pune dhe që frekuentonin një kurs profesional. Ata gjithashtu matën nivelin e stresit të raportuar nga punëtorët.
Në fund ekipi zbuloi se përpjekjet e sforcuara në punë në krahasim me vlerësimin e marrë duket se janë faktori kryesor përcaktues i stresit në vendin e punës, por vetëm tek personat që kanë angazhime të shumta njëkohësisht dhe orare të zgjatura pune.
“Kur të pëlqen puna dhe e bën mirë por nuk merr asnjë promovim apo rritje page, ky kokteil toksik sjell një nivel të lartë të kortizolit dhe si pasojë një stres kronik”, shpjegojnë studiuesit holandezë.
Një mesazh i qartë për shumë të punësuar në pozicione të tilla. Megjithatë nuk është një zbulim i papritur, pasi ashtu siç tregojnë shumë studime, punonjësit pothuajse kurrë nuk e lënë një punë që nuk e durojnë por shpesh e lënë për shkak të një drejtuesi që nuk i vlerëson.