in

Sejmen Gjokoli: Fjalë zemre për shqiptaro-amerikanin Petraq Pali, në ditën e vlerësimit, “Personalitet i Qarkut të Vlorës”

PETRAQ PALI, KRIJUESI I PA SHTERSHËM

Fjalë zemre për shqiptaro-amerikanin Petraq Pali, në ditën e vlerësimit, “Personalitet i Qarkut të Vlorës”

Emri i Petraq Palit ka kohë që ka zenë vendin e vet të merituar në radhët e krijuesve, jo vetëm të Bregut të detit e Vlorës por edhe të Shqipërisë.

Lëvrues i disa gjinive letrare ay vazhdon me të njejtin intensitet edhe sot duke e ndarë këtë krijimtari midis Shqipërisë dhe Amerikës ku, mes të dyave, ndan edhe jetën.

Është vërtet  një rast i veçantë që ja vlen ti referohesh kur mëson se në një hark kohor jo shumë të gjatë, 28 vëllime të botuara deri sot, njeriu të ketë një prodhimtari kaq të shumtë e të shumëllojtë letrare, në prozë dhe në poezi.

Duhet thënë se në tregimet, novelat e romanet e Petraqit gjen shtjellime me tema e “produkte” të vendit e fare pak trille të autorit.

Ndërkohë që poezia e tij mbetet ajo e mallit, e dashurisë për vendlindjen e vendin e tij, Bregun e detit sidomos, po edhe dalldisjet që të ofron tema e dashurisë si diçka e përbotshme për cilin do krijues.

Petraq Pali gjithashtu mbetet një vëzhgues i hollë, përherë një qytetar i shqetësuar e  i angazhuar dhe jo më kot shumë prej krijimeve të tij në vargje kanë të dallueshme motivet me tema të ditës të cilat i sjell për lexuesin pa shumë ojna e zbukurime, me një sinqeritet e dlirësi tepër të admirueshme.

I lindur e rritur në një fshat e krahinë me detin te “dera”, poeti e shkrimtari Petraq Pali, mbetet një dashnor i përhershëm i detit siç mbetet i tillë edhe për limojtë e portokallet, për ullirin e tokën që e rriti, për gurët e sokakëve të Qeparoit, zallet e bukuritë e pa fundme të bregdetit.

Mjafton të kesh kontaktet dhe aksesin në adresën e tij në rrjetin  social dhe menjëherë shikon vërshimin e krijimtarisë së tij e cila duket tejet e pa shtershme.

Si bir i një burri të shquar në lëmin e diturisë, të mësim dhënies por edhe të historisë e krijimtarisë letrare, Janko Palit, Petraqi mbetet befasues e i jashtëzakonshëm edhe përmes paraleles tjetër, atë të publikimit të krijimtarisë interesante të të jatit të vet.

Në se në ditët e sotme dhe në brezin që jemi mençuria e Janko Palit, këtij mësuesi e krijuesi të ndritur vazhdon të njihet e të jetë prezente, kjo pa dyshim edhe për meritë të Petraqit i cili e shikon kontributin e babait të vet përtej një rrethi familjar apo një fisi.

Petraq Pali e shikon këtë ndërmarrje si një mision me rëndësi të madhe për historinë e shkuar por edhe për atë që vjen më pas.

Atdhedashuria dhe fisnikëria e kësaj dere të Qeparoit e më përtjej shekujve, të Zhulatit, ka kohë që na vjen e shëndoshë përmes dy penave; babës e birit.

Petraq Pali na vjen përherë si një krijues i shumëanshëm i gjinive letrare por na vjen gjithashtu edhe si një intelektual i angazhuar e krejt i veçantë në kohët që po jetojmë e që përmes organizimesh shoqërore si devizë e tij mbetet dashuria që ka për gjuhën, për këngën, zakonet, traditat shpirtërore, për  Atdheun dhe Kombin e vet.

Personalisht jam dy herë i nderuar  me gjithëshka krijuese që Petraq Pali realizon; edhe si mik e bashkë krijues pranë Klubit Letar “ Petro Marko” në Vlorë, por edhe për shkak të rrënjëve të përbashkëta në Zhulatin e Idriz Sullit, legjislatorit e themeluesit të “Kanunit të Labërisë”, të  Labërisë tonë të dashur.

Sejmen GJOKOLI

Vlorë; 15. 12. 2022

What do you think?

Written by admin

Urim nga vendlindja, nga Gjirokastra per Julio Imerin qe mahniti ne”The Voice of Greece” me zërin e tij te mrekullueshem

Ne kujtim te Artistit te Merituar Xhevat Abdalli, kengetarit te madh te polifonise gjirokastrite, ndare nga jeta 30 vjet me pare