in

Fshati Selckë i “fshehur” mes maleve me histori te madhe, dikur me 500 banorë…

Per fshatin Selckë i “fshehur” ne mes malesh, nje nga fshatrat e krahines se Lunxhërisë, ne shekuj është thënë: “U thafsh moj dega dafinë, s’më le të shoh Lunxhërinë”.

Kjo këngë, me sa duket këtu e ka zanafillën, sepse kreshtat shkëmbore të malit në Kusp të veshur me dafinë ua bënte të mundimëshme rrugën për në Lunxhëri, megjithatë asnjëherë nuk u ndjenë të izoluar sepse ishin të lidhur nëpërmjet rrugëve e monopatëve të malit me mijra fije me: historinë, traditat e zakonet, krushqitë, miqësitë dhe mardheniet e ngushta midis tyre.

Sipas historisë Gryka e Selckës ka qenë e banuar qysh në kohët e lashta në tre-katër vendbanime. Këta njerëz mbijetuan nëpërmjet një kalvari të gjatë qëndrese e vuajtjesh nga dydjet barbare të romakeve, sllavëve dhe me von e osmanëve.

Rreth viteve 1400 vendosën që të ndërtojnë një fshat të ri, aty ku është sot, për t’u mbrojtur nga rreziqet e reprezaliet e okupatorëve dhe shumë shpej ky fshat u bë një qytezë e vogël.

Në fund të viteve 1700 ishte me shtëpi komode dy katëshe që përbëheshin nga: divanet plot dritë, odate si dhoma pritje, dhomat e dimërit me oxhaqet e ngrohtë e musandrat, magjirjotë me furrat e bukës ku gatuhej, hajatet, thollot për ruajtjen e ushqimeve si frigoriferë të kohës, portat e mëdha me qemere e pezule të bukur, diku çardaqe e deri tek oborret me pjergullat me debinë, me trandafila e lule, sheget bukuroshe, ftojte eremirë, si dhe të rrethoheshin nga kopshtet me shumë lloje pemësh e perimesh, sistemuar bukur si dinin ata, duke përfunduar në ovorojet e lartë për t’u mbrojtur.

Ndërtuan dhe Kishat ku faleshin, ujësjellsin e famshëm, shkollën dhe ndërtesa socjale për t’u sistemuar bizneset e vogla zejtare të kohës. Në fund të viteve 1800 fshati kishte rreth 500 banorë, rezultonte një nga fshatrat më të mëdhej të Krahinës.

Fshati gjat asaj kohe jetonte me të ardhurat e kurbetllinjeve, sepse fshatarët e kishin një këmbë në Selckë dhe një këmbë në Stamboll, Vienë, Bukuresht, Misir, Amerikë e gjetkë. Mirreshin kryesisht me bujqësi e blegtori, por dhe me ushtrimin e disa zanateve si: këpucar, robaqepës për kostume popullore, artizanë, marangozë, muratorë, etj.

E lulezuan dhe e begatuan ate shkrep mali. Zhvillimin e një bujqësie për nevojat e tyre e dëshmojnë mbi 15 lëminj rreth fshatit. Gjithashtu ishin ndërtuar dhe tre mullinj për bluarjen e drithit, njeri me madan e dërstile. Edhe gjat kolektivizimit të bujqësisë, Selcka prodhonte drithra e produkte blektorale jo vetëm për veten e vet, por më shumë, megjithëse këto dorëzoheshin të gjitha në shtet dhe fshati detyrohesh nga ai sistem të hante me shumë se gjysma e vitit bukë misri.

Krahas këtyre aktiviteteve selicjotët vëmendje i kushtuan dhe arsimimit të tyre. Shkollën e ndërtuan që në vitin 1820, ku me daljen e librave shqip mësohej dhe gjuha shqipe. Që në mesin e viteve 1800 në Selckë mësohej gjuha shqipe dhe meshohej në Kishë edhe shqip, me librat e ardhura nga Stambolli.

Këtu u brumosën vellezrit Sotiri që u bënë truri dhe krahu ekzekutiv i Rilindjes sonë Kombëtare. Pandeliu vet i katërt me bashkëkrahinasit e tij, më 1887 hapi shkollat në Korçë e Pogradec dhe më pas ky zjarr që ndezën, përfshiu gjithë Shqipërinë, Maqedoninë e deri në Kosovë.

Eshte vendlindja e martireve të shkronjave dhe gjuhes shqipe. Atje ndodhen rënojat e shtepise se tyre. Vendlindja e autorit te Çufos, Gaqo Bushaka, gjuhetarit brilant Thoma Dhima, etj.

Ka shkollen ku kane studjuar keta martire e shume breza te tjere.
Ka varrin e Hoxhes qe u shua duke sjelle libra shqip nga Stambolli, që fshati e percolli me nderime.

Ka kroin e Madh, Monument Kulture me nje rendesi unike e te veçante.

Ka kishen Shen e Premte monoment kulture, Kishen e Shenkollit shumeshekullore.

Ka nje keshtjelle te vogel që nga koha e Pirros të Epirit , ku thuhet diku se është dhe vendlindja e tij.

Janë vendet ku u strehuan Antigonasit e lashtësisë pas djegies se qytetit te tyre nga romakët.

Ka legjenden e Shpellës e Varrit te Nuses dhe legjenden e gurit te Kordhes.

Ka lemin e Stamos i tëri në gur si njé nga leminjtë më të vjetër, etj.

Selcka tani po vuan plagët e emigrimit.

Le të shpresojmë dhe të angazhohemi të gjithë kudo ku ndodhemi që fshatin të mos t’a përpijë mali, e të themi na ishte dikur.

Kostandin Mosko
Boston, SHBA

What do you think?

Written by Admini

“Kurrë nuk e kisha ditur!” – Anastas Lako me vargje pa nota me mesazh të qartë për shkencëtarët

Jani Muka Përshëndet nga Amerika, ku edhe aty Jeta ka Ndryshuar dhe Malli për Gjirokastrën e të Afërmit është Shtuar!