Kur më 23 nëntor 1923 ra zilja e parë dhe nisi aktivitetin i pari gjimnaz mikst ne Gjirokaster

Më 23 nëntor 1923 ra zilja e parë dhe nisi aktivitetin i pari gjimnaz mikst, për djem e vajza, në Shqipëri, me paratë e popullit arsimdashës. Për ditën e parë, ish nxënës i gjimnazit, mësonjësi Fotaq Kekezi, në kujtimet e tij vec të tjerave ka shkruar :
“ Ishte muaji nëntor i vitit 1923. Për këtë vit shkollor, 1923-1924 unë isha regjistruar në klasën e katërt te shkollës fillore. Në klasën tonë hyn një burrë nga qyteti yne, i cili pasi bën pak fjalë me mësonjësin tonë, kthehet nga ana e një të huaji që kishte mbetur jashtë derës se klasës dhe i bën atij shenjë me kokë që të hynte. Burri i huaj na përshëndeti me kokë dhe na bën shenjë te ulemi.
Vizitori i huaj, si e mësuam më von, ishte drejtori i Lyceut Victor Coulent, frances. Qe një burrë me shtat mesatar, i hollë, pak i thinjur, i veshur shumë mirë, me xhaketë të zezë dhe me pantallona me vija. Me syrin e tij të mprehtë shikon nga të gjitha anët e klasës, na vërejti të gjithëve dhe në bashkepunim me shokun e tij gjirokastrit që kish hyrë në klasë bashkë me të, caktoi ndonja 20 nxënës e që ishin djem tregtarësh, qytetarësh të pasur dhe në gjendje të mirë ëkonomike.

Ne, megjithëse të vegjël, e kuptuam se të zgjedhurit ishin nga shtresa e ngritur e qytetit dhe se të njëzetë ditën e nesërme munguan në shkollë. Në fillim kujtuam se këto ishin mungesa të zakonshme, por pas pak minutash, kur afroi të binte zilja e muarrëm vesh të vërtetën. Shokët që munguan, ata të njëzetët, ishin regjistruar në Lyce. Në cast u prekëm thelle dhe u revoltuam. E quajtëm veten të përbuzur për të qënë nxënës të një shkolle të mesme. Kuptuam se djemtë e tregëtarëve ose të qytetarëve të pasur ishin të preferuar.
Nje nga shokët, më i hedhuri del dhe thërret mësonjësin Pano Hidon dhe të tërë me një gojë i themi : ” Duam të vemi edhe ne, nuk jemi më ndryshe se ata të tjerët”. Një tjetër plot nervë, ngrihet dhe bucet “ Eni të vemi te inspektori i arësimit, në prefekturë ”.
Dhe vepruam menjëherë…Në krye të radhes sonë u vu mësonjësi Pano Hidua. Ecnim dy e nga dy pa bërë zhurmë. Me hapa të rregullt dhe të fymëzuar nga një ambicie fisnike kaluam mes për mes pazarit duke shkuar drejt kafes së prefekturës (sot klubi i gjahtarëve). Muarrmë majtas dhe u ngjitëm shkallëve te prefekturës. Me entuziazëm dhe guxim, me zemërim për padrejtësine që na ishte bërë, ngjitemi nepër shkallët e larta duke bërë zhurmë nga të përpjekurit e këmbëve në rrypat metalike që kishin këto shkallë anash.
Kështu u ngjitëm lart për të protestuar pranë inspektorit. Nga zhurma e të dyzetë këmbëvet, shumë nga nepunësit duallnë nga zyra, se kushedi c`kujtuan mbase ndonjë kryengritje e vogël…Ashtu si ishim, u drejtuam në zyrën e inspektorisë, e cila ishte ne krahun e zyrës së prefektit, në katin e tretë.
Biseda e gjallë në mes tonë bëri që të dalë nga zyra zoti Thoma Papapanua, i cili na shikoi me ata sytë e tij të mbrojtura nga dy vetulla të trasha e të bashkuara. Zoti Thoma nuk na tha gjë, por na mbajti vesh ato që i tha mësonjësi Pano Hido. Në cast fytyra e rëndë e zotit Thoma ndriti, e cara e faqes, e prerë si nga ndonjë shpatë kalorsiake, u thellua më shumë dhe gjithë gas ay na tha:” Keni të drejte, e shoh se keni dëshirë, gas e vullnet për arësim më të lartë. Do të bisedoj unë për këtë punë dhe do t`ju lajmërojmë nesër”.
Dhe vërtetë u bisedua. U bisedua me prefektin dhe me gjithe se ky nuk ishte dakort, ne fituam. Filluam mësimet me zonjën Henriette Qoutent për të vijuar pastaj mësimet e para në këtë shkollë të mesme, e para në qytetin tonë.