in

Kujtime Roland Zisi për Dritëroin…

Kujtime Roland Zisi për Dritëroin…
Nga parathënia e “ Antologji poetike për kuajt “ , hartuar me aq dashuri nga prof. Roland Zisi …

…”Shtëpitë e shkrimtarëve të mëdhenj nuk janë banesa njerëzore të zakonshme në të cilat mund të hysh e të dalësh kur dhe si të duash . Ato janë studio , atelie , institucione dhe thesare kulturore . Tashmë Dritëro Agolli , si njeri dhe personalitet i shquar , është një institucion . Po edhe shtëpia e tij është një institucion. Një institucion kulturor me rëndësi historike.
Kur shkova për herë të parë në shtëpi të Agollëve së bashku me mikun tim Shaban Sinani , autor i një libri studimor shumë interesant të titulluar “ Njerëzit e krisur “ të D. Agollit , poeti na priti më këmbë në korridor , si një kalë i plakur, por sfidant . I vendosa mbi tavolinë poezitë e tij dedikuar kalit , pelës dhe mëzit, dhe ai , pasi i pa, me humorin karakteristik më tha: “ Çudi , pse unë i kam shkruar gjithë këto ? S’di gjë , s’ka mundësi ! “
Ai është i mahnitshëm dhe unik në thjeshtësinë e tij, thjeshtësi që në instancë të fundit rrezaton autoritet dhe madhështi të ligjshme.
Duke rrêkëllyer nga pak raki biseda jonë mori rrugë të bukur . Sadija solli një album fotografik. Një befasi interesante. Dhjetëra fotografi , në të cilat Dritëroi kishte dalë i përqafuar me kafshë shtëpiake : lopë, dele, qengja, keca, dhi , lepuj , mushka, gomerë, mace , qen, rosa…E , sigurisht , shumë foto me kuaj .
Pastaj poeti ynë i madh më tregoi se , kur ishte ende fëmijë, me kalin dori të babait kishte mbërritur i pari ndër vërsnikët e tij , dhe, sipas zakonit ( lojës) të kohës , i kishte marrë ( rrëmbyer) shaminë një nuseje në fshat . Qeshi shumë me këtë kujtim dhe vura re se ndihej shumë krenar për këtë “ sukses” të dikurshëm . Por, sipas tij, merita ishte e kalit dori , që ishte një kalë i bukur , i zoti , i shpejtë , por edhe i mençur .”

What do you think?

Written by admin

Shkrimtari Shkelqim Hajno së afërmi me librin ” HEBREU I FUNDIT”

Filloi Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastres