Kujtesë/ Nderim per Intelektualin gjirokastrit Profesor Hektor Çoçolin, personalitet i shquar i mjekesise shqiptare

Si sot 3 vjet me pare, 17 tetor te vitit 2017, u nda nga jeta njëri nga intelektualët më të shquar të mjekësisë shqiptare, Prof. Dr. HEKTOR ÇOÇOLI.

Profesor Hektori lindi në Gjirokastër në 20 qershor 1939. Ai i përket familjes ÇOÇOLI, një fis i dëgjuar për njerëz punëtorë, të ditur, korrektë, të respektueshëm, mikpritës, mirënjohës dhe të ndershëm.

Duke qenë bir i një familjeje të vjetër fisnike të Gjirokastrës që numëron të paktën shtatë breza, prej së cilës kanë dalë në shekuj një mori intelektualësh të vyer, të shquar në fusha të ndryshme që nga jurisprudenca deri tek arsim, mjekësia etj., edhe Hektori nuk kishte se si të mos ndiqte gjurmët e tyre. Si biri i një punonjësi të thjeshtë, i ati Neshet Çoçolit, ai ka çarë përpara me punë dhe sakrifica të shumta.

Ishte vetëm 21-vjeçar kur u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë si mjek i përgjithshëm me specializimin për ftiziopneumologji (për tuberkulozin dhe sëmundjet e tjera të mushkërive).
Fillimisht sherbeu mjek në Dispanserinë antituberkulare në Bajram Curri të rrethit të Tropojës. Ketu ai punoi me përkushtim dhe Tropoja e nderoi me titullin “Qytetar nderi i Tropojës” më 20.04.2006.

Me pas vazhdoi në dispanserinë antituberkulare nr.2 në Tiranë (1965-1967); pedagog në Fakultetin e Mjekësisë dhe njëkohësisht në klinikën e ftiziatrisë të Sanatoriumit të Tiranës (1967-2007); vite më vonë pedagog, shef klinike, zëvendës dekan i Fakultetit të Mjekësisë, për një kohë Rektor dhe përgjegjës i degës shkencore në SHLJP në një universitet privat.

Prof. Hektor Çoçoli ka qenë konsulent për probleme ftiziopneumologjike në spitalet e Tiranës dhe të rretheve të vendit; anëtar i grupeve studimore për probleme të shëndetësisë në Shqipëri, të organizuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fakulteti Mjekësisë; anëtar dhe kryetar i Komisionit mjekësor të caktimit të aftësisë për punë (KMCAP); shoqërues i grupeve të pedagogëve dhe studentëve të ardhur nga Kosova dhe Maqedonia; pjesëmarrës aktiv në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë vendit; autor ose bashkautor në disa botime në formë monografish, librash mjekësorë, tekstesh dhe artikujsh shkencorë, disa prej të cilëve të botuar në revista mjekësore shkencore në Shqipëri dhe jashtë saj.

Ai, një vend të rëndësishëm të jetës së tij ja kushtoi aktivitetit mësimor, shkencor dhe ngritjes profesionale. Gjithashtu u specializua në disa klinika ndërkombëtare universitare, si në Ankara, Francë, Hollandë, Skoci, e gjetkë.
Ka disa Tituj dhe grada shkencore.

Profesor Hektor Çoçoli, ka dhënë kontribut të vyer për shëndetin e banorëve të qytetit te Gjirokastres.

Dera e profesorit ka qenë e hapur për çdo banor të qytetit, i gatshëm ti ndihmonte.

Ai ka kontribut të padiskutueshëm në ndihmë të studentëve, specializantëve dhe mjekëve gjirokastritë.

Profesor Hektori ishte i dashuruar me qytetin e tij të lindjes, ai e vizitonte shumë shpesh Gjirokastrën dhe gjirokastritët, nuk ka cep të qytetit që prof. Hektori nuk ka bërë fotografi dhe i ka publikuar ato në libra e rrjete sociale.

Veç të tjerash, ja si shprehet ai në librin e tij të fundit të titulluar “NOSTALGJI”:


“Ndihem fatlum që linda në qytetin madhështor të Gjirokastrës, vatër e kulturës, e qytetarisë, e intelektualëve, e dashamirësve të punës, të respektit dhe mirënjohjes, ku kanë lindur dhe punuar njerëz të mëdhenj; në qytetin e anéve të paharrueshme, e njerëzve familjarë, e kalasë së famshme, e banesave karakteristike monumentale me arkitekturë të mrekullueshme, në qytetin e mirësisë”.

Këshilli Bashkiak i Gjirokastres në vitin 2018, i dha titullin e lartë “Qytetar Nderi i Gjirokastrës” pas vdekjes.

Aktualisht Dispanceria e Semundjeve te Mushkerive ne Tirane mban emrin Prof. HEKTOR ÇOÇOLI.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com