NË MUZEUN E ARMËVE
-Poemë-
Ky mund të quhet ndryshe
Dhe muzeu i krismave,
Magnetofon gjigand i zërave të viteve,
Këtu mund të gjesh që nga heshtat e lashta
E deri te armët e dhjetëra kalibreve.
Ashtu si fëmija kur lind
Dhe mëson për herë të parë fjalën “mama”,
Ashtu dhe këto shpata, shtiza, hekura
I mësuan Shqipërisë fjalët e para…
Ne foto, Ylli Musta, nxënës në vitin e tretë të gjimnazit Asim Zeneli, mars i vitit 1972, në një aktivitet në pallatin e kulturës të vjetrin,që s’është më..
Gjithë këto armë
Ka nxjerrë Shqipëria nga gjiri,
Këto gjymtyrë të shekujve dhe viteve
I mbajti në duar
Dhe në supet e tretur,
Dhe kurrë s’ra,
Dhe kurrë s’vdiq,
Se dhe në shpirt dhe në gjak
Kishte ja, nga ky hekur!…
Legjionet e heshtave ilire
Duket sikur presin sulmin,
Kurse ilirët,
Që nga themelet e mureve të muzeut
Ngrihen, lëvizin…
Luftra, armë, tabllora,
Zëri i ciceronit ngjan
Si zhurma e avjonit mbi re,
Unë eci, dhe me hapat e mia
Në heshtjen e muzeut
Kapërcej rrjedhat e shekujve.
Këta breza të tërë luftëtarësh
Që lanë nga pas armë dhe gjëmime,
I kam sot kaq pranë dhe mund t’i prek
Siç prek veten time…
Vazhdoj me hapin tim
Dhe ndjej që lëviz si ortek
Mbi vite dhe heroizma…
Në zemër kam krenari për brezat
Që portretin ua lanë viteve,
Ndoshta dhe brezi im këtu diçka do të lërë
Bashkë me frazat e gjata te libri i përshtypjeve…
Me këto armë e çau Shqipëria historinë,
Me gjokset e shqiptarëve
Dhe me gunën mbi tela…
E me çfarë nuk luftoi shqiptari në vite?
Bile shpesh i rastisi të qëllojë
Edhe me kërrabën e bagëtive…
Muzeu i armëve i heshtur,
Sikur dhe tingujt janë mbyllur në xhame…
Eci i rëndë nëpër pavjone
Diku ndrin nga dritat
Epopeja e lavdishme partizane!
Afrohem dhe prek me dorë
Tytat e ngrohta të armëve…
I njoh këto armë më mirë se të tjerat…
Nga shenjat dhe emrat e markave
Dikur ne i kishim në shtëpira
Dhe etërit i sollën një ditë në muze.
Rrinë këtu përbri sy më sy
Një top gjerman dhe një pushkë partizane…
Ëndërronte ai top dikur
Të çonte në tokën e tij
Në muzeumet gjermane
Pushkën me gjalmë, partizane.
U ngrit ëndrra e tij dikur
E u përplas me ëndrrën e pushkës,
Tringëllinë e u kryqëzuan ëndrrat si shpata
Teh më teh
Mbi britma
Mbi drithma malesh shqiptare të ashpra.
Ndaj tani
Topi gjerman i habitur
(Dhe habia e tij i duhet muzeumeve tona…)
Qëndron para pushkës
Si rob duarngritur!
Këtu në muzeun e armëve
Ashtu siç dhe armët të lashta, të vjetra,
Vinë në heshtje të rinj e të reja,
Etër të moshuar,
Që kur njohin armën e tyre, i thonë:
“Po folë një fjalë, se bashkë luftuam…”
Tok me armët janë dhe portretet
E atyre që i mbajtën me duart e ngrira
Se s’mund të ndahen etërit nga armët
Ashtu si nuk ndahet
Shënjestra nga tyta!…
Ja, atje tej flamuri gjerman
Qëndron i strukur në një metër katrore
Ai që dje u fliste popujve:
“Ngrini kokat, më vështroni!”
Dhe nën flatra mundohej ta fshihte botën.
Kur para tij ndalet shoqja ime bjonde
Ai nxihet, shtrëmbërohet nga dhimbja…
Ish më e lehtë për të të marshonte mbi tanke
Sesa të kënaqë kureshtjen
Dhe sytë çapkënë të një vajze…
…Muzeu i armëve i heshtur
Sikur dhe tingujt janë mbyllur në xhame,
Unë erdha të marr nga ky hekur
Heroizmin e gjallë të të parëve!
(Gjirokastër, nëntor 1971 – shkurt 1972)