Moti i përkeqësuar dhe me dallgë të cilat arrijnë deri ne 8 balle në det te hapur dhe afërsisht 6 ballë brenda gjirit kanë pezulluar edhe të shtunën lundrimin detar. Prej 48 orësh trageti i linjës Vlorë-Brindisi nuk ka kryer asnjë lundrim. Kapiteneria ka njoftuar pezullimin e përkohshëm të lundrimit, për shkak të motit të keq.
Reshjet vijojnë me intensitet prej 24 orësh. Liqeni i Viroit ka shkatërruar digën provizore duke dalë në rrugë e vështirësuar qarkullimin e mjeteve në aksin kombëtar Gjirokastër-Tepelenë. Policia orienton qarkullimin me një sens në këtë pjesë të aksit.
Probleme ka në Dropull ku qarkullimi drejt fshatrave Llongo dhe Koshovicë është bllokuar nga prurjet e Drinos dhe shkatërrimi i urave provizore që u ndërtuan pas përmbytjeve të dhjetorit. Në disa zona të qarkut dhe dy lagje të qytetit raportohen rrëshqitje të reja dherash.
Një mot i rënduar me reshje të dendura ka mbërthyer edhe kryeqytetin. Erërat e forta rrezuan një shtyllë të tensionit të lartë në afërsi të Shkollës së Bashkuar. Për fat të mirë nuk ka patur persona të lenduar.