in

Edi Rama per Anthony Athanas:Jeta e tij mes mikpritjes së kthyer në art…

EDI RAMA

?HOMAZH

ANTHONY ATHANAS u lind më 28 korrik 1911, djalë i dy prindërve punëtorë në atë katund modest, por me të drejtë kryelartë që ishte Trebicka motmoti, prej nga kundroheshin malet e bukura të Dangëllisë dhe rridhnin ujrat e kristaltë të Parisit të Vogël. Në Amerikë, ku hyri katërvjeçar përmes portit të ëndrrave të krejt dynjasë, mu nën këmbët e Statujës së Lirisë, ai mësoi zanate e nxuri gjuhë të tjera. Por shqipen nuk e braktisi dhe ëndrrën amerikane e ndoqi me përkushtim, gjer në realizim e njëherazi i përkushtuar ndaj veprës së dikurshme vatrane dhe bashkëpunimit me Nolin, “Atin dhe Kryepriftin tonë”. Guximtar plot sqimë si sipërmarrës dhe amerikan plot guxim si shqiptar, Sir Anthony u përpoq për Kosovë e Shqipëri, duke e karakterizuar në shembullin e në shembëlltyrën e tij, “shqiptarin ekselent të diasporës”.


Xhentëllmen korçar nga ata që gjenden vetëm në libra, pronar i restorantit emblemë të Bostonit, “Pier 4″, dhe lektor, edhe pse pa kryer studime të larta, në Harvard Business School, Cornell dhe në University of New Hampshire, Anthony Athanas ishte një njish i vërtetë, siç do të thuhej sot në rrjetet sociale të lavdithurrjes verbale.
Jeta e tij mes mikpritjes së kthyer në art, që e bëri “Pier 4”-ën adresën e parapëlqyer të presidentëve më të fuqishëm të botës e të damave më të plotëhijshme të botës së spektalit, dhe auditorëve më prestigjozë të planetit ku lektronte nga lartësia e suksesit të tij, ishte realizimi më spektakolar i ëndrrës amerikane me ëndrrën shqiptare brenda saj, në rrugëtimin e shqiptaro – amerikanit pe Korçe, tek i cili mjeshtëria e të jetuarit me shije të hollë dhe aspirata për shkollë e dituri, bashkëjetonin si dy flamujt në hyrje të restorantit të tij të famshëm, njëri i vendit që e lindi, Shqipërisë, e tjetri i vendit ku u bë ai që sot kujtojmë përulësisht, Amerikës.

“Determination and endurance are the keys,” i pëlqente t’u përgjigjej kuriozëve për suksesin e tij, pasi i kishte zotëruar plotësisht që të dy çelësat, vendosmërinë dhe mosdorëzimin, deri në fund.
Për të gjithë ata që duan të dinë ç’është suksesi, Anthony Athanas ka lënë këto fjalë: “Duhet ta bësh. Jo për një orë, një javë a një muaj, po për të gjithë kohën”.
Përkufizimi i vërtetë i suksesit është dikush që nuk dorëzohet kurrë”. Amen!

#TëPAHARRUESHËM?

What do you think?

Written by admin

Librat që më rritën -Mira Meksi, leximi për të mos pasur një mendje të plakur

“Gjuajtesit”e perimeve dhe frutave te fresketa te fshatareve ne Tregun e lagjes “18 shtatori” te qytetit te Gjirokastres