Bredhi i Hotovës ndodhet në jug të Shqipërisë pak kilometra nga qyteti i Përmetit, dhe mund të cilësohet si mushkëria natyrore e Shqipërisë Jugore.
Me një shtrirje prej 1200 hektarësh dhe një masiv të mrekullueshëm të përbërë kryesisht nga Bredhi Maqedonas, ky park kombëtar është një nga perlat turistike të Shqipërisë, që ofron surpriza të këndshme në çdo stinë të vitit, si në dimër, ku ai është i mbuluar nga dëbora por dhe në verë ku mund të shijosh freskinë e tij, shkruhet ne faqen zyrtare te Bashkise Permet.
Pamja madhështore e parkut shfaqet nga hyrja e luginës së Lumicës e deri afër majës së malit të Kokojkës. Në Bredhin e Hotovës shkon me çdo lloj mjeti pavarësisht se rruga nga kthesa e Piskovës është e paasfaltuar. Udhëtimi me mjete fuoristrada të krijon lehtësinë për të hyrë sa më thellë në pyll.
Bredhi i Hotovës konsiderohet një nga reliket bimore mesdhetare më të rëndësishme në vend dhe është një nga parqet më të mëdhenj në Ballkan me Bredh Maqedonas. Aty përveç bredhit gjen disa lloje panjash, shkozë të zezë, ilqe, dëllinjë të kuqe dhe të zezë, mjedër etj.
Në lartësinë 800-1000 metra takohen livadhe e vende të sheshta të rrethuar nga drurë shekullorë të përmasave të mëdha. Parku formon një kurorë të gjelbërt gjigante me kontraste të dukshme nga njëra-tjetra.
Bota shtazore është e pasur. Nga gjitarët takohen ariu i murrmë, ujku, dhelpra, kunadhja, derri i egër, lepuri i egër, ketri etj. Por krenaria e këtij parku dhe përfaqësuesi tipik i tij është kaprolli, të cilin mund ta shohësh në livadhe dhe lëndina në thellësi të pyllit.
Me vendim të Këshillit të Ministrave nr 102, datë të vitit 1996 masivi i “Bredhit të Hotovës”, me sipërfaqe 1200 hektarë është shpallur Park Kombëtar. Bredhi i Hotovës është masivi pyjor më i mbrojtur në Shqipëri, duke i rezistuar deri më tani çdo dëmtimi apo shpyllëzimi nga njeriu.