in

Kujtesë/ Ja si e Priti Fan Nolin Populli i Gjirokastrës më 26 Gusht të Vitit 1923!

Me 26 gusht 1923, ardhjen e Fan Nolit në Gjirokastër populli e priti me gëzim të madh, me ta bashkë edhe prifti Papapano dhe djali i tij, Thomai, që iu bashkuan grupit të miqve e admiruesve të Nolit që dolën për ta pritur tek Ura e Subashit, t`i uronin mirëseardhjen.

Ishte një dite me shi, me stuhi, megjithatë populli, që kish dalë në sheshin e Çerçizit e priti Nolin me entuziazëm të jashtëzakonshëm, me duartrokitje e brohoritje «Rroftë Fan Noli”, “Rroftë Vatra”.

Nisur nga kushtet e këqija të motit, mitingu u la për ditën e nesërme.

Në Bashki, Noli bashkëbisedoi për programin demokratik me autoritetet lokale, intelektualë gjirokastritë dhe përfaqësues të krahinave. Shoqëria Drita, për nder të tij, shtroi një darkë që kaloi në një atmosferë të ngrohtë, miqësore e letrare.

Ja si ka shkuar per kete takim Prof. Nasho Jorgaqi:

” Pjesëmarrës në të ishin intelektualë gjirokastritë “që e nderuan me muzikën e fjalën e bukur shqipe”, gazetari veteran Jorgji Meksi, mësuesi atdhetar Thoma Papapano, publicisti demokrat Veli Hashorva, gazetari Vangjel Koça, i cili mbajti dhe një ligjeratë të mrekullueshme, portretin e Nolit si poet…Ndoshta ky ishte portreti i parë që e zbulonte Nolin si të tillë, po të kemi parasysh se gjykimet për poezinë e tij thuajse nuk ekzistonin. Dhe këto gjykime Noli do t`i dëgjonte për herë të parë në Gjirokastër”.

Të nesërmen më 27 gusht, sa doli në ballkonin e Bashkisë, Noli u përshëndet nga mijëra banorë të qytetit dhe të ardhur nga mbarë krahina e Labërisë.

Te gjithë kishin lënë punën të dëgjonin fjalët e liderit më popullor të kohës, i cili u foli për zgjedhjet e Asamblesë Kushtetonjëse, si një shans historik që i jepej popullit shqiptar për të zgjidhur fatin e vet me anë të votës.

Per ardhjen e Nolit në Gjirokastër, gëzimi i priftit Papapano dhe djalit, Thomait, ka qënë i dyfishtë, mbasi mysafiri i çmuar, i shkoi dhe për darkë Papapanos, ngjarje të cilën ai e përshkruan edhe në kujtimet e tij:

“Fushata e lufta e zgjedhjeve kish arritur kulmin midis dy partive, opingës dhe bejleroarkondëve. Në 1923 vizitoi Gjirokastrën imzot Fan Noli. Fan Noli foli përpara popullit, i cili e priti me nderime. Pas fjalimit çfaqi dëshirën dhe ardhi, hëngri, piu e fjeti në shtëpinë e Papapanos”.

What do you think?

Written by Admini

Kujtojmë Sandër Prosin, Aktorin e Madh të Teatrit dhe Kinematografisë Shqiptare, Nderuar me Titullin e Lartë “Artist i Popullit”

Dita e “Ujit të Bekuar” në Gjirokastër-Ja Kush e Nxorri Kryqin nga Ujrat e Lumit Drino!