Gjirokastra në librin e Prof. Mimoza Kores
Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.
Studimet gjuhësore, në këta 27 vite kalimtare, kanë qenë të pakta. Institucionet shkencore, duke përfshirë edhe Akademinë e Shkencave, nuk kanë mundur dot t’u afrohen dhe jo më t’i tejkalojnë arritjet gjuhësore të viteve 50-90 të shekullit të kaluar. Veprat gjuhësore të atij harku kohor të një sërë studiuesish të shquar shqiptarë (të Tiranës, të Prishtinës si dhe të arbëreshëve) përbëjnë një thesar shkencor me rëndësi. Madje, Kongresi i Drejtshkrimit (1972) ishte kurorëzimi i këtyre studimeve dhe përpjekjeve atdhetare për të njësuar gjuhën shqipe. Kjo është një ngjarje e shënuar e kulturës dhe kombit shqiptar si komb evropian. Monografia e Prof. Mimoza F. Kores me titull “Gjirokastra: Vështrim historik, gjuhësor dhe etimologjik” është një studim cilësor për një nga të folmet e spikatura të mozaikut të të folmeve dhe dialekteve të atlasit tonë gjuhësor. Libri në këtë fushë është një ogur i mbarë për studimet gjuhësore, që i ka tiparet e kërkimeve shkencore dhe që është shkruar në një gjuhë sa të rrjedhshme aq edhe të këndshme. Në libër, krahas tezave, ligjeve teorike ka një material të begatë dhe të larmishëm shembujsh të fragmenteve nga veprat e shkrimtares disidente Musine Kokalari, nga librat e Ismail Kadaresë e veçanërisht nga “Kronikë në gur”, “Darka e gabuar” etj., që e bëjnë librin të vlefshëm për mësuesit e gjuhës shqipe, njerëzit e masmedias, por edhe për të gjithë lexuesit e interesuar. Autorja nënvizon faktin se të folmen e Gjirokastrës nuk e përdorin vetëm të moshuarit në rrethana e mënyra të ndryshme, por e përdorin edhe të rinjtë midis tyre për të theksuar rrënjët e përbashkëta. Madje do të shtoja se gjirokastritet e mbartin të folmen e qytetit edhe kur janë larg tij ose edhe jashtë Shqipërisë! Po e personalizoj. Në vitet 60 të shekullit të kaluar u dërgova si profesor i gjuhës shqipe në Pekin (kryeqyteti i Republikës së Kinës). Aty themelova katedrën e gjuhës shqipe dhe mësuan gjuhën shqipe mjaft të rinj të Kinës. Për këtë kam folur gjatë në librin “Profesor në tre kontinente” (Nju Jork, 2004). Në tetor të këtij viti u botua në Pekin (Kinë) albumi me titull “Histori të reja të miqve të vjetër” ku shkruhet se “Pikërisht Agron Fico është themeluesi i degës së shqipes në Kinë. (Pekin, 2017, f. 80). Aty nga vitet 67-68 të shekullit të kaluar një delegacioni i nivelit të lartë të Qeverisë së Republikës së Kinës erdhi për vizitë në Shqipëri. Në pritjen zyrtare të Hoxhës me delegacionin kinez u bë ky dialog. Përkthyesja, ish-studentja ime Hou Yuping (Pina), gjatë përkthimit, në një çast, iu drejtua Hoxhës: “Më falni se ndofta nuk e flas mirë gjuhën shqipe”. Hoxha e pyeti: -Ku e ke mësuar gjuhën shqipe? -Unë e kam mësuar gjuhën shqipe me shokun Profesor Agron Fico në Pekin, – iu përgjigj Pina. -Ashtu ë?! Prandaj duket sikur je nga Gjirokastra! Hoxha i tha se nuk e dinte ç’notë i kishte vënë shoku profesor Agron Fico, “po unë të jap notën më të lartë! (Dëshmi e Piro Dodbibës, ish-ministër i bujqësisë, i pranishëm në atë pritje). Si duket profesori gjirokastrit kishte lënë te studentët kinezë, që u mësonte gjuhën shqipe, edhe një degëz “manxurane” të së folmes së qytetit të tij. Vendin kryesor, pjesën më të gjerë të librit, e zënë analiza, shqyrtimi i dukurive, veçorive të së folmes së Gjirokastrës. Mendoj se autorja ka vepruar mirë që, së pari, ka paraqitur sfondin historik, etnologjik të kohës dhe hapësirës (lagjeve, sokakëve) si dhe mendësinë e zakonet e banorëve, që e kanë përdorur në të kaluarën, por që e shijojnë edhe sot. Një meritë e veçantë e metodës së autores është nënvizimi, se kjo e folme përdoret nga mosha e kaluar dhe e të rinjve, por më kryesore, është gjurmimi që u bën këtyre dukurive te gratë, të cilat kanë qenë më konservatore se sa burrat në ruajtjen e kësaj të folmeje, për shkak të jetës së mbyllur familjare, arsimit të paktë etj. Të folmet e disa qyteteve të Shqipërisë, si ajo e Shkodrës, Vlorës, Korçës etj. edhe sot dëgjohen sidomos në shfaqjet humoristike. P (A. F. Fico: “Komediani Agron Llaka – Lettermani shqiptar”, Gazeta “Telegraf”, 14 tetor 2015)
Autorja ka ndjekur një skemë të hollësishme në paraqitjen e lëndës së pasur gjuhësore, duke shtjelluar disa çështje thelbësore të veçorive të së folmes së Gjirokastrës. Veç kësaj tregon edhe pikat e përbashkëta të të folmes së Gjirokastrës me dialektin jugor si dhe me standardin. Prof. Mimoza F. Kore është nga e njëjta lagje, Meçite, ose siç njihet nga banoret si lagjja “e shtatë krojeve” me profesor Eqrem Çabejin, dijetarin e shquar të standardit europian, po edhe për faktin se “Profesor E. Çabej u shqua si etimolog”, në faqet e librit të autores, mendimet, tezat dhe vlerësimet e tij për të folmet e Gjirokastrës do të zënë një vend të gjerë të shpeshtë. Ja si thotë vetë zonja Kore: “Një mori fjalish në Gjirokastër dalin në studimet e Çabejit, të cilat janë shfrytëzuar prej tij për shpjegime etimologjike”. (Vep. cit. f. 79). Vetë Çabej kishte një mall dhe dashuri të prushtë për vendlindjen, Gjirokastrën. Vitet e fëmijërisë, që kaloi në Gjirokastër, i kujtonte gjithnjë me mall. Në prill të 1967-s Çabej shkoi në Gjirokastër. E priti i nipi, i cili kujton se “Ai, si e brodhi me sy të gjithë qytetin, u kthye nga unë dhe më tha: “Dua te rri pak vetëm, se kështu bisedoj me Gjirokastrën dhe çmallem me të. Ika këndej fëmijë fare, njëmbëdhjetë vjeç pa bërë’”. (Shaban Demiraj “Eqrem Çabej – Një jetë kushtuar shkencës”, Tiranë, 1990, f. 10). Prof. Kore, në libër, ka trajtuar me përpikërinë e një studiuese serioze të gjitha kategoritë gramatikore në këtë të folme duke i ballafaquar me ato të standardit/ gjuhës zyrtare letrare dukuritë e veçanta specifike të së folmes së Gjirokastrës. Kur flet për sistemin fonetik, të së folmes së Gjirokastrës, ajo pohon se “’Duke parë inventarin e njësive, vërejmë se kjo e folme ka vetëm gjashtë zanore: /a, e, ë, o, i dhe u/. (Vep. cit. f. 112). Ndërsa për sistemin e bashkëtingëlloreve shkruan se “Në të folmen e Gjirokastrës, inventari i fonemave bashkëtingëllore përmban 28 të tilla. Mungon fonema /rr/. (Po aty, f. 115). Për ta mbyllur me sistemin fonetik, po sjellim edhe një vërejte nga të shumtat në këtë studim. “Një nga karakteristikat më të spikatura të kësaj të folmeje është ndërrimi i bashkëtingëllores /ll/ në /dh/ në të gjitha pozicionet në fjalë, si: Adhahu “Allahu”, dhafe “llafe”, modhë “mollë” etj. (Vep. cit. f. 1l4). Në analizën e gjymtyrëve morfologjike që nga emri, mbiemri, përemrat, foljet, ndajfoljet, parafjalët, lidhëzat, pasthirrmat, pjesëza, autorja zbulon elemente të veçanta të këtyre gjymtyrëve që përdoren ende tek brezi i moshuar. Ajo shkruan: “E folmja e qytetit të Gjirokastrës paraqet edhe në fushën e morfologjisë disa veçori që janë interesante për t’u vërejtur, në krahasim me të folmet e tjera apo krahasuar me gjuhën standarde…” (Vep. cit. f. 128).
Interesante janë edhe vërejtjet për huazimet nga turqishtja, greqishtja, sllavishtja, të cilat ende ndihen në disa fusha të jetës së përditshme. Kapitulli kushtuar etnologjisë së krijimeve popullore në të folmen e Gjirokastrës i jep lexuesit një kënaqësi të bukur intelektuale, sepse në to është skalitur e qëndisur shpirti gjirokastrit si sqimatar në jetë, në mendime dhe në të folmen e vet karakteristike. Shembujt janë të pafundme. Po përmend vetëm fare pak nga ato: Gjëegjëza – “Një asllan, ta zësh nga veshët, qan.” (muslluku); “Pesë dervishë me qilah të fildishtë”. (gishtat e dorës) etj. Fjalët të urta: “Atë që të bën fëmija nuk ta bën as Perëndia”; “Cfina, cfinën nxjerr”; “ Ç’ha goja tregon boja” etj., etj. Urime: Shëndet, jetë, ymer e kismet! Sa gaze, aq të mira! Sa fjalë, e aq të mira! Një prurje e shquar e autores, në këtë libër, është kapitulli “Përqasje gjuhësore e të folmes së qytetit të Gjirokastrës me librin e parë të gjuhës shqipe ‘Mesharin’ e Gjon Buzukut”.Ai është një studim i gjerë, por zonja Kore e ka shtrydhur, e ka përmbledhur në hapësirën e këtij libri. Autorja shkruan: “…Nga vëzhgimet tona mbi të folmen toske të qytetit të Gjirokastrës na rezultojnë shumë përkime me librin e parë, të cilat i gjejmë ende në brezin e vjetër të qytetit, por që dalëngadalë bashkë me të po shuhen”. (Vep. cit. f. 214).Siç kam përmendur më sipër, autorja ka punuar si mjeshtre e jo si çirak, plot zell dhe durim, ashtu siç bëjnë gurë-skalitësit e Gjirokastrës. Kjo duket, midis të tjerave, edhe në përdorimin e një “teknologjie” shkencore të pasur, që përfshin një bibliografi gati shteruese, referenca të panumërta, shënime, të dhëna biografike, treguesin e emrave të njerëzve etj. Lexuesi, në kufijtë e këtij shkrimi në gazetë, nuk mund të presë një analizë të gjerë dhe të thelluar për një monografi studimore me plot vlera dhe një lëndë të begatë. Libri “Gjirokastra – vështrim historik, gjuhësor, etnologjik” i prof. Mimoza F. Kores e pasuron bibliotekën e studimeve gjuhësore dhe i jep lexuesit të interesuar kënaqësi intelektuale.