ZAHO VASILI PUCI
Unë linda dhe u rrita në Gjirokastër, hap pas hapi mësova historinë e saj shekullore.Kam detyrimin njerëzor që të them ca fjalë zemre për disa nga bijtë e saj të nderuar.
1.GJIROKASTRA IME
-Pjesa e parë-
GJIROKSTRA ËSHTË MINIERË
Gjirokastra është minierë
Një minierë prej floriri,
Gjirokastra mal me vlerë
Si vargmal i rri te gjiri.
Që i vogël hyra brenda
Ndjeva ciklon e tufanët,
Tak- tak më rrahu zemra
Llamburit nga të katër anët.
Sapo hyra në minierë
Humba nëpër pasuri,
S’guxova të hyja thellë
Dera e rëndë me flori.
Për të shkrova nëpër vite
Para saj një kokërr rërë,
Ajo para meje rritet
Posa një vargmal i tërë.
Nuk e njeh të gjithë minierën
Porse kot s’më vajti mundi,
Unë sapo e hapa derën
S’është kollaj t’i gjendet fundi.
2.GJIROKASTRA IME
QAFA E LASHTË E PAZARIT
-Pjesa e dytë-
Guri mbi themele guri
një madem që s’i del fundi,
Qafa me gurin tek gjuri
guri që gurin e tundi,
Brenda gurëve gjer në palcë
rri një diell ngrohtësie,
Ti atë përjetë e paç
se guri të shton kaq hije.
Në gjirin e këtij guri
në mes ishte mishi i jetës,
e mbrojte siç mbron burri
tehun shpatë të së vërtetës.
Mbretëri guri të mbeti
Idrizi kishte një emër,
Biri i lasht i këtij qyteti
gurin e bëri mbiemër.
Shkëmbit e guri nga zbriti
nga na erdhi gjithë ky gur,
Është sheshuar ndonjë mal
që u ngrit i lartë për mur?
Ky gur plaç i thotë veriut
ka bërë të çuditet bota,
Ngaqë të deshi njeriu
të vuri jastëk tek koka.
Dhe jastëku nuk tundet
kur në gjumë do të bjerë,
Gjithë ky gur ngritur mbi supe
krijon dy male të tjerë…
Ndaj dhe në malin prej guri
ku me gur bëhet hambari,
Do të kish një qafë prej nuri
qafa e ndritur e pazarit.
Gjithë rrugët do të zbrisnin
gjithë rrugët do të ngjiten,
Qafë malin,do thërrisnin
erërat që në lule mbyten.
3.GJIROKASTRA IME
KËSHTJELLA
-Pjesa e tretë-
Qafës pazarit ngjitu lart
ngjitesh malit së përpjeti,
Kalaja mbi qafë, një kat
është koka e qytetit.
Andej del Gjon Bue Shpata
pas e ndjek Gjin Zënebishi,
Themelet la njeri mbrapa
tjetri muret prej graniti,
E ndjeni, tundet kalaja
Mos po bie gjë tërmeti?
Jo mor jo s’u bë hataja
Argjiria po e tund djepin.
PRINCESHA ARGJIRO
Mbledhur në shpatullat e legjendës
Mëmëza Argjiro nuk mbyll sy,
Flokët si mjegull të princeshës
pikëlluar që i biri mbeti fëmi.
Princeshën mbi djep e gjeta
Këndonte ninulla, foshnjën tund,
kur ndjejmë lëkundje të lehta
Janë nga djepi që ajo tund…