in

Kujtojme Thoma Dhimen, profesorin e gjuhes shqipe te universitetit te Gjirokastres

6 vjet me pare, me 20 janar 2016, për shkak të një hemorragjie cerebrale, ndërroi jetë në spitalin e Gjirokastrës prof. dr. Thoma Dhima, pedagog në departamentin e gjuhës shqipe të Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës.

Ai lindi më 4 prill 1952 në fshatin Selckë të Gjirokastrës. Arsimin e mesëm e kreu në shkollën e mesme pedagogjike të Gjirokastrës, kurse studimet e larta për gjuhë dhe letërsi shqipe i bëri në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe i plotësoi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Pas diplomimit, punoi për disa vite si mësues i gjuhës shqipe dhe i letërsisë në shkolla 8-vjeçare e të mesme të Skraparit, si drejtor shkolle 8-vjeçare në rrethin e Gjirokastrës dhe më vonë si mësues në shkollën e mesme “Asim Zeneli” të qytetit. Prej vitit 1989 e në vijim punoi si pedagog në departamentin e gjuhës shqipe dhe të letërsisë të Universitetit “Eqrem Çabej”. Ka dhënë leksione si pedagog i jashtëm në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës, në Universitetin “Shën Qirili dhe Metodi” të Shkupit, në Universitetin e Tiranës si lektor i sintaksës në shkollën doktorale. Ka qenë bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, duke marrë pjesë në veprimtaritë për mbledhjen e fjalës së rrallë në zonën e Labërisë si dhe në veprimtaritë shkencore të organizuara në vite nga ky institucion,

Edhe pas përfundimit të arsimit të lartë, ai nuk i pushoi përpjekjet për kualifikimin e vet shkencor. Kreu kursin pasuniversitar njëvjeçar për gjuhën shqipe pranë Universitetit të Tiranës (1985–1986). Gjatë periudhës 1995–2007 kreu disa specializime pranë Universitetit të Athinës, Universitetit “Paul Valery” të Montpeliesë si dhe pranë universitetit të Firences në Itali. Në vitin 1998 mori gradën “Doktor i shkencave në gjuhësi”, më 2003 titullin “Profesor i asociuar” dhe më 2012 titullin “Profesor”. Për shumë vite ka qenë përgjegjës i departamentit të gjuhës shqipe dhe anëtar i senatit të Universitetit “E. Çabej”.

Gjatë karrierës së tij pedagogjike e shkencore, prof. dr. Thoma Dhima ka mbuluar disiplina të ndryshme gjuhësore, po fusha kryesore e kërkimeve dhe e mësimdhënies mbetet fusha e sintakës, duke u shquar në këta 15 vjetët e fundit si specialisti më i mirë i sintaksës së shqipes. Vlen të theksohen ndihmesat e tij për kalimin në fushën e sintaksës së shqipes nga trajtimi parastrukturalist e pjesërisht strukturalist në trajtimin gjenerativist, duke qenë një nga anëtarët e një grupi të ngushtë gjuhëtarësh shqiptarë që prej 15 vjetësh po përpiqen për kthimin e gjuhësisë shqiptare në shtratin e gjuhësisë bashkëkohore. Penës së tij i përkasin një numër i madh artikujsh, të botuar në revista shkencore brenda e jashtë vendit, një pjesë e të cilëve të përmbledhur në “Çështje të sintaksës së gjuhës shqipe” (2013), tekstet universitare “Gjuha shqipe, sintaksa” (2005) e “Histori e gjuhësisë” (2014) dhe monografitë “Fraza me fjali të nënrenditur kohore” (2002), “Frase subordinata apposizionale di tempo” (Athinë, 2011”, “Fraza me fjali të nënrenditur përcaktore-ndajshtimore të kohës” (2013). Kohët e fundit ishte duke punuar për botimin e një fjalori dygjuhësh pak të njohur të fillimeve të shek. XIX, që, për fat të keq, mbeti i papërfunduar.

Me ndarjen e prof. dr. Thoma Dhima nga jeta, familja humbi njeriun më të dashur, Universiteti “E. Çabej” humbi një profesor të talentuar, studentët humbën pedagogun e tyre të përkushtuar, kolegët e tij humbën një shok të çmuar dhe gjuhësia shqiptare humbi një ndër sintaksologët e saj më të mirë.

I paharruar kujtimi i Profesor  Thomait per vlerat qe mbarti e transmetoi!