Në pasditen e 28 Nëntorit 1912, në pak kohë e gjithë Gjirokastra u pushtua nga hareja popullore, nga një gjallëri që vazhdoi edhe pas mesnate deri në të gdhirë, ndersa të nesërmen, tek sheshi i klubit Drita u mblodhën burra dhe djem gjirokastritë të armatosur nën komandën e luftëtarit trim Hasan Xhiku.
Nga telegrafa e qytetit, sipas porosisë së Ismail Qemalit, për çdo mëngjes dhe mbrëmje, Qeverisë i trasmetoheshin të ngjarat e krahinës, ndërkohë, Ismail Qemali kërkoi një delegacion nga krahina si përfaqësonjës në bisedimet që do të bëheshin në Vlorë mbi të ardhmen e Shqipërisë.Pa u vonuar u caktuan delegatët, të cilët u porositën nga Klubi për të qenë të guximshëm në vendimet që do të merreshin. Për situaten dhe mbledhjen e pleqësisë, caktimin e delegatëve për në Vlorë, Papapano shkruan: “Populli i Gjirokastrës me të marrë thirrjen e Ismail Qemalit për të caktuar dhe delegatët e tij që të merrnin pjesë në Kongresin Historik të Vlorës, në zyrën e Sherisë të Prefekturës u mblodhën atë ditë pari nga elementi muhamedan dhe i krishterë por dhe nga minoriteti grek dhe u telegrafua në Vlorë se do të merrnin pjesë në Kongres si Përfaqësues të Gjirokastrës: Elmas Boce, Mulla Tajar Peshkëpia, Veli Harxhi, Jani Papadhopulli. Këta muarrën pjesë qysh ditën e parë që u hap Kongresi. Njëkohësisht vendosën që të niseshin për Vlorë Hysen efendi Hoxha, Mufit Libohova dhe Thoma Papapano, po, meqenëse ky i fundit ndodhej i sëmurë, pas shumë bisedimesh dhe hezitimesh, si nga elementi muhamedan dhe ai i krishterë, u vendos më në fund që të shkonte Petro Poga. Për këta delegatë për në Kongres u mbajt një proces-verbal dhe u nënshkrua prej të gjithëve të pranishmëvet. Defteri, në të cilin u shkrua ky vendim, gjëndej e ruhej në zyrën e Sherisë gjer ditën që u dogj pallati i Prefekturës, shtator 1943”.