Armando Sadiku është zyrtarisht një futbollist i Levantes, klub me të cilin ka nënshkruar një kontratë deri në qeshorin e vitit 2020. Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka firmosur sot marrëveshjen me skuadrën e La Liga dhe do të dalë gjatë paradites në stërvitje me klubin e ri pasi ka kaluar testet mjekësore.
Zyrtarizimi ka ardhur nga klubi spanjoll nëpërmjet një njoftimi në rrjetet sociale, ku fotoja e tij kishte mbishkrimin “Mirësevini Sadiku”, një përshëndetje në gjuhën shqipe për sulmuesin që gjen në radhët e këtij klubi edhe Enis Bardhin.
Klubi bëri të ditur edhe detajet e kontratës së futbollistit që u largua pas vetëm 6 muajve nga Legia e Varshavës për të fiilluar këtë aventurë të re, ndërsa ua prezantoi tifozëve blerjen e fundit nëpërmjet një videoje me përmbledhjen e golave të shënuar nga Sadiku ndër vite, me klube apo me Kombëtaren. “Ky është Sadiku dhe kjo është ajo që di të bëjë më mirë”, shkruante klubi në rrjetet sociale ku kishte postuar videon me përmbledhjen e golave të sulmuesit shqiptar. /E.K./vipsport.al/