Nga vitet 60-të e lartë, Sheshi i Çerçizit ishte skena ku shetitej dhe “parakalohej”; ciftet e vjetra ziheshin nga krahu dhe ato të reja, te porsa fejuar, të padeklaruar më parë për lidhjen, ziheshin nga gishtat e dorës, shenje që fliste për te gjithë, se nga xhirua e parë e në vazhdim, tani dashuria apo lidhja me krushqi, nuk mbahej më e fshehtë. Merrej vesh, lajm që përhapej me shpejtesine e erës në çdo familje gjirokastrite.
Gjirokastra në ato vite nuk ishte ajo që është sot, me lagjet lart dhe atë të re poshtë, Veç sheshit, te populluar, nga mengjesi në mbremje vonë, vend pushimi, radhë –radhë, ishin pezulet, por qe me ndertimin e Hotel Çajupi që dikur quhej Turizmi, u quajten “vagona”.
Nuk dihet dhe sot autori, ka mbetur anonim, po “vagonat” mbetën për të pushuar, për të bërë sehir, nga fillimi i pranveres deri në dalje te vjeshtes. Ne stinen e nxehte te veres pushimi në to vazhdonte deri rreth ores 10 sa zbrazej sheshi nga xhirrua dhe në taracën e Turizmit pushonte dhe melodia e fundit e orkestres që luante pjese ritmike e instrumentale dhe ndonje melodi nga Argjentina e Brazili i largët.
Për të pushuar tek “ vagonat” radha zihej si tek kasapët, për mishin apo peshkun e Jonit që vinte nga Saranda. Një pjesë e frekuentuesve ishin abone, pleq por dhe mësues. Me të rinjtë, shumica gjimnazistë, ndodhte ndrysh;vinin dhe më parë, gjurmonin “ vagonat” me të dukshme për të ndjekur xhirron tradicionale te mbremjes që vazhdonte nga Qafa e Pazarit, në shesh dhe 50 a më shumë metra poshtë shtëpisë së Dr. Kalivopullit, sot selia e Konsullatës greke.
Kështu, sa zinin vend, sipas stinës dhe modës, që në qytet vinte dhe 1 muaj me vonë nga Tirana, komentonin veshjet e vajzave që në xhirro delnin pa kostumin e shkollës, përparëse e jakë të bardhë, dy e nga dy po dhe në shoqërinë e prindërve.
Në dimër “vagonat” e gurtë binin në heshtje, i zinte shiu, mjegulla dhe bora, ne qetësinë e tyre te paqte, ne pritje te pranverës se larget dhe verës së nxehtë. Askush nuk ulej te pushonte. Frekuentuesit preferonin sallën e Turizmit dhe kafet dimerore, Biblioteken e pallatit të Kultures, mjediset e Poliklinikes ne 11 janari dhe këndin sportive në Bashte të Teqesë ku rregullisht sterviteshin ekipe ne volejboll e basketboll që i ndiqnin dhjetra prej tyre.
Ka vite tani, nga fillimi i viteve ’90 në sheshin e Cercizit nuk ndodh me xhirrua tradicionale dhe “‘vagonat” kanë mbetur të heshtura e të zbrazta, pa frekuentues po jo pa histori, sikunder ndodhte në kohën e shkuar, në ditët e pranverës dhe verës së nxehtë por që ende sot, me pamjen dhe heshtjen, përsëri flasin, zgjojnë kujtime…