U përmbyll Faza e Parë e përgatitjes për Festivalin Folklorik "Gjirokastër - 2023" për bashkitë Tepelenë e Memaliaj
U përmbyll Faza e Parë e përgatitjes për Festivalin Folklorik “Gjirokastër – 2023” për bashkitë Tepelenë e Memaliaj, dy njësi vendore që kanë në juridiksion një zonë të gjerë etnografike me diversitete të dallueshme kulturash muzikore, ndonëse në të dy anët e Vjosës lëvrohet kënga me iso.
Grupi i punës i ngritur pranë Qarkut të Gjirokastrës, përcolli nga afër performanca të ndryshme të grupeve polifonike të ardhura nga të dy njësitë vendore si grupi i Bënçës, i Dukajt, Salarisë, Memaliajt, qytetit të Tepelenës, Buzit, Kalivaçit etj.
Të gjitha grupet pjesëmarrëse treguan përpara Komisionit krijimet e tyre më të mira ndërkohë që pritet vlerësimi për kalimin në fazën e dytë.
Tepelena është nga rrethet ku më parë është shquar për produktin shpirtëror që ka shpërfaqur në skenën e Kalasë së madhe ndërkohë që këtë herë disa fshatra me traditë të madhe folklorike nuk u panë.
Asnjë grup nga Kurveleshi i Sipërm, as nga Lopësi, as nga Damësi e Mezhgorani, as nga Arrëza e ndonjë vendbanim tjetër me traditë të madhe në këngë e në valle tradicionale./Rrethi Tepelene/