SPAK do Godasë Zyrtarë e ish-Zyrtarë dhe Bosë të Krimit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, duke e vënë theksin se ky institucion i ri do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë epokës së të ashtuquajturve të paprekshëm. Përmes një postimi në faqen zyrtare, ambasada amerikane u shpreh se Uashingtoni do të vijojë të jetë një partner i palëkundur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri.
Ambasada ka dërguar një mesazh për të gjitha partitë politike në vend duke theksuar se SPAK do godasë zyrtarë e ish-zyrtarë. “Shtetet e Bashkuara përgëzojnë tetë prokurorët të cilët u betuan këtë mëngjes si anëtarët e parë të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, duke shënuar një hap të rëndësishëm në themelimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Krim i Organizuar (SPAK). Nga dita e sotme, Shqipëria ka një organ prokurorësh të angazhuar për të identifikuar, hetuar dhe vënë përpara drejtësisë zyrtarë të kaluar apo aktualë dhe bosë të krimit – individë që në kohët e vjetra janë konsideruar si të paprekshëm. Ndërsa Shqipëria nis një fazë të re të zhvillimit të saj demokratik dhe ligjor, Shtetet e Bashkuara do të mbeten një partner i palëkundur në mbështetje të SPAK dhe të të gjithë atyre që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptar”, shkruan ambasada amerikane.