Njeriu qe rronte ne paqe me veten dhe te tjeret- Nga Andon Lula

Viti i parë i pas luftës janar `45 në Gjirokastër hyri me krisma dhe brohërima. Në këtë atmosfhere Thoma Papapano ndihej si mbi “gjëmba” po në “sy të botës”shfaqej si më parë; burrë zotëri, i qetë, i menduar,i kujdesshëm, me autoritet e hije.

Vishej bukur, me kostum dhe borselinë, dimrit me pallton gub që ia kish dërguar Fan Noli nga Amerika, ndërsa verës me kostum dok, bezhë, këmishë të bardhë me jak mbi xhaketë. Ndonjë, dhe për shaka, miqësisht e këshillonte të mbante kasketë, në modë për kohën që kishte ardhur.

Kohen , jashtë punës, më shumë se me komente për politikat e dites, e kalonte tek Ura e Vjetër. Këtu gjuante me grep me peshkatarët më të dëgjuar të qytetit. Dhe jo pa arsye:

Mendonte se perdja e kohës së tij po binte dalngadalë. Shihej me sy tjetër, nuk i përmendnin “punët e para”, kombëtare, edhe pse në sfondin historik të kohës së shkuar ishte i pranishëm në ngjarje të rëndësishme në Gjirokastër e larg saj, në Elbasan, Tiranë, Vlorë e Shkodër, nga viti 1908 e në vazhdim, pjesëmarrës aktiv në to, për çeljen e shkollës së parë shqipe Liria, shpalljen e pavarësisë dhe mbështetjen e Shtetit të Pavarur, në mbrojtje të kufijve të vendit si përfaqësues në kançelaritë e Europës. Dhe më tej akoma. Në lëvizjen fanoliste për reforma politiko-demokratike dhe emancipim të shoqërisë shqiptare, mbështetës e simpatizant i Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Një radhë ngjarjesh historike, në një front të përbashkët me personalitete të kohës, atdhetarë të penës dhe të pushkës, kish kaluar për një Gjirokastër dhe Shqiperi te pavarur, të lirë dhe demokratike. Për këtë kish bërë jetën e emigrantit ekonomik dhe politik, ishte rrezikuar edhe me burg, të mësuesit dhe drejtuesit të arsimit, edhe të diplomatit, njeriut të thjeshtë dhe human, në role dhe detyra me përgjegjësi për shkollën dhe çështjen kombëtare.

Këto, e të dhëna të tjera shkroi në autobiografinë e parë, pas saj dhe të tjera, shkurt e qartë, në raport të drejtë me veten dhe të vërtetën, pa fshehur as cenet, 4 vjet deputet ne parlamentin e regjimit zogist, apo historinë e “carcafit të bardhë”, e ngjashme me atë që flitej për Dr.Vasilin e Madh, ngjarjen e bujshme në sheshin e Çerçizit me një kompani gjermane, e gatshme për të pushkatuar 80 burra.

” Nuk di te kem nguruar ndonjëherë midis detyrës dhe interesit, po edhe nuk mund te mohoje qe gjate punes sime 58 vjeçare për Shqipëri dhe arsim kombëtar te mos kem bere edhe ndonje gabim, po pa dashje dhe, kur e kam kuptuar, e kam pranuar dhe sakaq e kam ndrequr”.

Në `45-ën edhe pse në detyrën e shefit të shëndetësisë zhvillimet në fushen e arsimit i ndiqte me vëmendje.Gjimnazi ku kish dhëne mësim që në vitin e parë të çeljes, me 1923, më 8 Prill l945 hapi dyertë dhe në ceremoninë e rastit foli vetëm drejtori Kadri Baboçi i cili kishte thënë:

“Liceu çelet sot me një Shqipëri të lirë, me një qeveri Demokratike, me një ushtri të fortë, me një popull trim, liceu që ka bërë unitetin e vet Kombëtar ne frontin Nacionalçlirimtar”.

Njoftimet herë e trishtonin e herë e gëzonin. Fëmijët pas një pushimi prej katër javësh si masë profilaktike kundër epidemise së tifos së morit, më në fund do të nisnin mësimet ndërkohë që u duhej të bashkonin forcat me të rriturit, edhe me 600 partizanë të brigadës së njëzetë në luftën kundër një armiku të ri, karkalecit që kish “pushtuar”Gjirokastrën.
Mendonte se “koha e re”, për moshë që kishte, e zuri pa të ardhme dhe, jo me dëshirën e tij, as për motive shëndeti, ndarja nga shkolla, nuk i jepte shkas për të qënë optimist. Dëshirë e energji për të vazhduar mësimin kishte, edhe pse mbi 60 vjeç, kohë e plotë pensioni për të rënë në rehati, po ishte akoma i shtrënguar të punonte.

Si të tjerëve, edhe atij, vitet, deputet në Mbretëri, nuk i njiheshin vite pensioni.Këtë gjëndje ia rëndonte dhe situata e trazuar në qytet.“Tribuna e Popullit”fliste për gjyqe, dënime, pushkatime, sekuestrime. Në sallën e palestrës të Gjimnazit paradite vazhdonin gjyqet, ushtonin thirrjet “Kriminelët në litar”,ndërsa në mbrëmje filmat me luftë shoqëroheshin me urra të fuqishme për fitoret e ushtrisë së kuqe sovjetike kundër nazistëve.

Ndihej edhe i vetëm. Bashkëkohës ishin larguar nga vendi ose ishin ndarë nga jeta. Njeri, Vangjel Koça, publicist, mik i babait, afër dhe me shtëpi, me të cilin shkëmbente libra ne frëngjisht, nuk rronte më. Atë dhe Branko Merxhanin, me të cilët në vitet `30 e lart, fliste për “Neoshqiptarizmin”, si ideatorë të saj, politika e re i kishte etiketuar zëdhënës të ideolgjisë reaksionare që synonte ta shkëpuste masën e popullit nga pozitat e luftës klasore e ta hidhte në pozitat e nacionalizmit borgjez. Në këto rrethana, më parë, Branko Merxhani ishte larguar dhe rronte në Turqi, ndërsa Vangjel Koça, në përpjekje për të lënë vendin, drejt Italisë, ishte mbytur me traget në ujrat e Adriatikut. Nga jeta ishte ndarë edhe Jorgji Meksi, një natë dimri, në vetmi, Lefter Dilo, nga një fshat me të, e kish gjetur pa jetë, pranë vatrës së zjarrit.

Vangjel Koçën kujtonte më shpesh, gazetarin-noter të qytetit, që arriti anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare,institucioni pararendës i Akademisë së Shkencave, ngritur në vitet e pushtimit fashist, me pjesëmarrjen e intelektualëve me te shquar te kohes, ne krah me Eqerem Çabejn, Aleksandër Xhuvanin, At Anton Harapin, Karl Gurakuqin, Lasgush Poradecin etj. Ato që Vangjeli i thoshte dikur, në zyrën e tij noteriale, hapur e pa druajtje, se për të mundur idenë komuniste, duhet medoemos një kundër ide më e mirë dhe kundër ideja më e mirë është Ideja Kombëtare me një përmbajtje shoqërore të gjerë e të re që mjerisht i mungon akoma jetës shqiptare, nuk donte t`i qaste në mendje, as t`i ndante me njeri, se për të tjera idera e veprime, për diktaturë të proletariatit e luftë klasash, nga mëngjesi ne darkë flitej edhe në Gjirokastër.

Në këtë periudhë, gjendje të rëndë po kalonte Varoshi, lagjja e tij, lagjja “aristokrate”, me emër dhe opinion të pa humbur edhe sot. Me zhvillimet e reja, të regjimit komunist, frika, pasiguria dhe sekuestrimet ishin prezente. Disa, tregtarë të pasur, kishin lënë dhomat e mira për të ardhurit nga lufta; kishin mbledhur lëmsh kravatat dhe kapelet republike, pantallonat me vijë të fortë, kishin fshehur sahatet e florinjtë; në hështje e pa zë prisnin faturat e majme qe duhet te paguanin për arkën e shtetit të ri, të tjerë kishin marrë rrugën, Tiranë e Durrës, tani te arratisur, braktisur si shtëpitë, ku jeta mungonte. Arrestimin e Thoma Kolës, me shtëpi përballë, një jetë me hyrje dalje, ndarë nga një sokak, e përjetoi keq, me dhimbje. Kësaj situate të rënduar në gjithë lagjen, një poet anonim i bashkëngjiti vargjet:
“Ç`ka Varoshi qe po qan,
E kanë ngritur havadanë,
Me dyshekë e me jorgan,
me tenxhere dhe tigan…”.

Kështu Papapanua, i vetëm, me hap të lehtë, çdo
mëngjes bënte rrugën e përpjetë të Varoshit, nga të dy anët me dyqane. Në ndonjë edhe pushonte. Shërbehej akoma tek dyqani i ushqimeve të Minushit, tek furra e Stathit, tek Gega për kos dhe ëmbëlsira, Teli Mihali dhe Kotrua për qepje dhe qëndisje, ashtu dhe në Hanin e Mangës, marangozinë e Nakës por jo tek Hadër Latia.
Zanatçinjtë e tjerë, disa te shoqërisë së dikurshme, të “opingës”‘, mbështetës të Fan Nolit, në prag falimentimi, kishin humbur gjallërinë e parë dhe punonin për bukën e gojës. Ende privatë, te rënduar me taksat, dyfish e më shumë, që dyqanet e shërbimit të shtetit të ri të kishin epërsi.
Thomai, djali i Gaqit të Xuhanos, 50 vjet teneqexhi në zanat të pare po që bënte dhe orëndreqësin, meremetonte ombrella dhe “nxirrte dhëmballë të prishura”, nga dyqani kishte hequr reklamën “Tregtar dhe pemëshitës”. Dikush e kish këshilluar. S`ka më treg të lirë dhe, si privat, me laps kopjativ, majën e te cilit e lagte me pështymë, bënte llogaritë e fundit për t`u bashkuar me të tjerë në ndërmarrjen e shtetit, te sherbimeve. Të tjerë ishin bashkuar me pare; Vaso Bashari e Tolo Çabeliu marangozë, Nako Urra që punonte drurin për dyer e dritare, djepe e tabute, po që ende luante dhe karnavalet në rolin e kapitenit, Zoto Naçi, berber, ku Papapanua qethej kare të shtunën e parë të çdo muaji.

Pas mësimit, po në rrugën e Varoshit, në zbritje, një copë kohë, kthehej nga Kola ku psuniste lakra dhe fruta të thata, tek Polo Donua sa për ta përshëndetur, specializuar në Greqi, po pa klientelën e parë, vazhdonte të qepte këmisha për burra. Nuk shkonte më tek Qirjako Naçi për ndonjë mellanore, ndërsa tek Pandeli Majko, ku pushonte një copë kohë, sa të rregullonte ombrellën, i ishte prerë rruga se ai, pas djalit, në shkollë ushtarake kishte zënë Tiranën.

Rruga, pa njerëz e gjysem e zbrazët, i dukej më e vogël. Kështu dyqanet, shtëpite e avllitë, të heshtura. Vetëm në oborrin e madh të shtëpisë së madhe të Lolo Manit të pushtuar nga të “ardhurit”, disa, familje ushtarake,ku flitej ne dialekte te ndryshme, kishte lëvizje. Fëmijët, me këpucë me sholle dhe opinga luanin luftash, me gropa dhe shpata.

Përshtypje nuk i bënin më as reklamat në të cilat
ende lexohej ‘’Mallra të cilësisë së lartë”, “Tek ne gjeni modën e fundit, Parisin, Romen e Londren”. Ndryshe ca kohë më pare. i lexonte një për një, fjalë për fjalë. E dinin të gjithë. Nëse gjente ndonjë gabim drejtshkrimor, i prisheshin sytë e i hipnin “xhindet”. “Hekurat, thoshte, këta janë për 7 penxheret!”. Në lagjen dikur e qetë ku çdo njeri ishte në shtepinë dhe punën e vet, shumë gjëra kishin ndryshuar, flitej më shumë për shpronësime dhe dhunë. Me ushtarakë dhe ushtarë, mushka të hutuara që lëviznin të ngarkuara me ushqime e dru, në sfondin gri të regjimit të ri, ngjante me gazermë.

Këto pamje Papapanos i ngjallnin trishtim e humbje, ia zbehnin forcën dhe optimizmin e fillimit. Shumë gjëra mendonte. Politika e re “cenet”i shkonte në vrimë të gjëlpërës. Etiketimet “aristokrat”, “borgjez”, që thoshnin disa ekstremistë partiakë, i shkaktonin mërzi dhe hidhërim, po ai vazhdonte të mbetej Papapanua i parë, i paangazhuar politikisht dhe i patrazuar në jetën partiake; të ishte vetvetja, me mendësi e frymë që ishte rritur e formuar, rilindës, liridashës, me botkuptim demokratik e kulturë perëndimore, të notonte në “ujrat e tij“, paqësore, afër jetës atdhetare dhe intelektuale, “larg politikës”.

Megjithatë në shoqëri të ngushtë shprehej se me sistemin e ri pak e nga pak po përshtatej dhe se një shpresë e kishte, se diçka do të ndryshonte në favor të tij. Disa herë ishte matur t`i shkruante Komandantit, Enver Hoxhës, ish nxënësit, tani në krye të vendit, po kish hequr dorë. Një nga miqtë e kish këshilluar: “Shiko rrotull, ç`bëhet! Pse të shfaqesh i pakënaqur, apo të haçë ndonjë dhogë!”. Dhe me vete, nën zë, fliste e kujtonte, intelektualë e miq që e “kishin ngrënë”, disa, nga familje të mëdha të qytetit, pas vizitës së parë të Enver Hoxhës në `47 si Aqif Kashahu e Sheraf Karagjozi. Një nga miqtë e tij, të ngushtë, që e furnizonte me libra, Alizot Emiri, psh, për një llaf goje, ishte brenda, në “7 Penxheret”.

Por me të ndodhi ndryshe, nuk pati fatin e zi të disa ntelektualëve, edhe gjirokastritë, dhe shokë me të që në mos plumbin hëngrën burgun. Sa rrojti, në vitet e regjimit të shkuar, mbeti “Papapanua i parë”, bëri jetë të qetë, në paqe me veten dhe të tjerët; Vlerësohej, siç kujtohet dhe tani, në demokraci, figurë e nderuar e arsimit shqiptar, me vend të merituar në historiografinë shqiptare, personalitet i spikatur i arsimit dhe cultures sonë kombëtare.

Me porosi të Enver Hoxhës, i caktuan pension të veçantë dhe, ne gjimnaz, 5 orë në javë të jepte mësimin e gjuhës shqipe. Ndihej i kënaqur, i mburrur dhe i mbrojtur, kur i Madhi i dërgoi dhuratë edhe një kostum. Nuk mbahej. Disa moshatarë u bënë xheloz. Kishte ndodhur disa vjet më parë, kur Fan Noli nga Amerika i dërgoi një pallto të madhe gub dhe poeti Ramiz Harxhi, nxitoi t`i thoshte: “Do t`i shkruaj. E ç`e ka Noli një pallto, një cope bukë!”.

Sa shkruam “vuajtjet” i takojnë një kohë të shkurtër se pas viteve `50-të ishte në vëmendje, për mirë, në krye të trapezit, në të gjitha festat kombëtare, në çdo aktivitet local e me gjerë, fjalëdëgjuar për problemet e arsimit lokal dhe kombëtar, për ankesat e popullit ndaj të cilave ngrinte zërin dhe luftonte për zgjidhjen e tyre. I ngarkuar me detyra të rëndësishme, arriti dhe deputet i Kuvendit Popullor për 4 vjet, u zgjodh në forume qendrore e vendore, u vlerësua me urdhëra e tituj, edhe Mësues i Popullit.

Në moshën 82-vjeçare, kur rrugën e Varoshit për në Komitet, në Qafë të Pazarit deri tek Kinemaja, në Klubin e Gjuetarëve e bënte më rallë, se i “zihej fryma”, kujtimet e jetës i shkroi nga e “para”në fletore me vija me shkrim për zili, bukurshkrim, pa një koregjim, pastër, pa një njollë mellani, me plot dashuri për Gjirokastrën, mësuesit e kombëtarët, gjuhën e bukur shqipe, shkollat ku dha mësim, brezat e nxënësve që mësoi, jetën dhe zhvillimet në kohët historike, nga shtatori i 1908 deri 1 gusht 1966, me këtë shënim në krye:

“Shkruaj për kujtimet pa asnjë qëllim, po vetëm e vetëm që të ndodhen dhe gjersa shof që jeta ime po më ngryset e fuqitë fizike kanë filluar dalngadalë të më lënë… si shumë herë, pyes vetëhen dhe ndërgjegjëja nga ndonjë herë më ka thënë si edhe sot se kam qenë dhe unë një fare trimi, gjersa gjatë gjithë jetës sime 58 vjeçare të punës duke i sherbyer, mesa kam mundur, Atdheut nuk di të më ketë lënë zemra për fare përpara veshtirësivet, por dhe të ndonjë rreziku që kam hasur”.

Fragment nga libri “ Rilindesi gjirokastrit Mesuesi i Popullit Thoma Papapano(Çuçi)“

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com