Keshilla e plakut te mençur: Janë punët e Perëndisë moj aman, mosha do moshën
Nga Anila Rezhda
Kush e mban mënd këtë histori fëmijësh si unë?
Ishte një mbasdite e bukur të keqen Nëna, plot kalldërëmet me njerëz.
Po venim të tërë drejt kalasë.
Një i mënçur do mbante një fjalim.
Futa në torbë dhe ca karkanaqe që bëra se, nëmos këtë, atë të njohur do gjeja udhës.
Vemi që thua ti, mua më dha mesi një të therur po se dhashë veten.
Doja ta dëgjoja se ç’do llafoste ai që do mbante ligjëratën.
U mblodhmë, muhabet njëri e muhabet tjetri, sebep donim, llafos e llafos kur thotë njëri: “qetësi, nuk erdhëm këtu të themi gjepura, pa dëgjoni njëçikë pse u mblodhmë”.
Nisi ai të flasë, na u zu dhe menderja te cepat e gurëve, ca i dëgjuam e ca si morëm vesh fare, si kuturi fliste i ziu.
Thanë që nuk kish dalë në selamet me grua, merre me lëng tha se mishi mbaroi, burri po nuk prokopsi me grua është kiamet, e hanë qëntë.
Kur, të shushaturat harruan të shohin ku vanë fëmijët.
Që thua ti që nuk the gjë fare, një fëmijë kishte futur dorën te muri i kalasë e nuk e nxirrte dot për kiamet.
U mek së qari.
U mblodhën të rriturit e fol e fol po hiçëgjë nuk bitisën.
Në një moment i them…
“daleni more se na morët mënt e kokës, e shastisët dhe të voçklin, siklet ka, frikë ka, flisni o me radhë mbase i bëjmë derman”.
Hiçëgjë, sikur nuk fola fare ishte, një vër në ujë bëra.
E mbilla dhe dëgjoja gjepurat që thoshin, jo po të rrëzojmë murin me kazma, jo po t’i hedhim vaj në dorë, të kullojë vaji e të nxjerrë dorën fëmija….
Më keq se çiliminjtë bënin a derëzezë, njeriu pret një radhë të thotë një gjë me mënd
Kur, ngriti zërin një plak, qe nga ata të T…., fis i dëgjuar.
“O njerëz, u ngrys, fëmija është të nxirë nga e qarat dhe ju akoma të bëjmë këtë të bëjmë atë. Po daleoni të më dëgjoni dhe mua. Plakut p****** mos ja dëgjo por fjalës së tij vurja veshin ama. Të nxjerr në selamet po pate hall. Unë them të largohemi të tërë e të lëmë fëmijët vetëm. Ta gjejnë mes tyre, kanë meseletë e tyre ata. Si thoni? Ejani tani shpejt vendoseni e mos thoni më broçkulla. Të tëra i provuam.”
Iku mileti menjëherë të keqen Nëna se u dëgjuasi e sojit ki llaf.
Hoqa shifonin nga koka dhe e vura te një gur që ishte bus, bus të them, e u ula mbi të.
Shoh fëmijët kokë më kokë.
Flisnin me duar e me gishta.
Do ti moj korbë që fëmija pushoi së qari?
Po janë punët e Perëndisë moj aman, mosha do moshën.
E që mos të hidhem nga dega në degën tjetër të fikut, morrmë vesh më pas se fëmijët i kishin thënë:
“Si e ke ëmërin?
“Si e fute dorën te muri, guçe apo baçe?
“Baçe.
“Po tani si ke?
“Guçe.
“Epo bëje baçe e kejejaçe….”
E ja kështu të keqen Nëna, shpëtoi fëmija i botës nga vasanat.
Morrmë një llahtarë që lëre mos e piet.
Ngreu tani të vëmë të shtrojmë stromat se po më vjen XhaHisua, m’u këput koka.
Dhe ti mos më rri si XhebrailEmini tërë natën në divan me libra në dorë.
Fli, ka netë perëndia plot, të janë prerë sytë të janë bërë mavi.
Dhe dëgjo këtu se harrova, po të tha gjë prapë ai birbua nga Zinxhirët që vete ku vete po këtej e thyen qafen nga baçeja jonë kalon që është bërë si han me dy porta, të ma thuaç se ja krej sitë me pirun, morre vesh? Morra thuaj.
Ajde të keqen Nëna, të ngrysemi dhe për sonte e të presim ç‘do na gdhijë nesër.
Mbylle penxheren se më grinë Kunupet që i martë mortja një orë e më parë…
Moj Anilë, prapë do vesh të lash dhëmbët?
E grive ujin e musllukut, nuk do kem t’i hedh surratit nesër të thom, mos më bë qelibaren mua se gjimat me ujë i ngre unë, 83 shkallë janë, ajde, shtrihu.
Më shikon dhe vëngër sikur do të më thuaç do bëj si di vetë.
……………………………………..
Dy qenie të marruara për njëra-tjetrën, mbesë-gjyshe,shuajtën një natë gjumi bashkë si 20të vjet rresht bashkë, dhe qëndisën jetët e tyre me kujtime derisa të ritakohen në dimension tjetër.
Anila QOFTE, mbesa e Hyjnisë Gjylfidan (Tushe) QOFTE