Dhe romaket e lashte e lidhnin macen si gjirokastritet...Nga Ylli Musta
Në veprën e saj “Një histori e Romës së Lashtë”, autorja Mary Beard (Profesore në Kembrixh, anëtare e Akademinsë Britanike dhe e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencës) merret gjerësisht me origjinën e themeluesve të Romës dhe kronologjinë e saktë të saj. Mes të tjerash, ajo shprehet:
“Të vdekurit dhe të varrosurit janë shpesh shumë më të pranishëm sesa të gjallët në të dhënat arkeologjike.Por varrezat nënkuptojnë ekzistencën e një bashkësie dhe gjurmët e saj supozohet se gjënden në grupe kasollesh, konturet e imta të të cilave, janë dalluar nën pjesë të ndryshme të qytetit…Ne kemi shumë pak ide rreth karakterit të tyre, e aq më pak për llojin e jetës që ato mbanin. Por sërish, ne mund të mbushim një pjesë të hendekut nëse shikojmë pak jashtë Romës. Një nga këto struktura, të ruajtura mjaft mirë dhe të gërmuara me kujdes, u gjet në Fidenae, pak kilometra në veri të qytetit, në vitet 1980. Është një ndërtesë drejtkëndëshe…e përbërë nga druri dhe balta e ngjeshur…Brenda saj ishte një vatër në qendër dhe disa objekte balte për rezerva në formë shtambash, si dhe gjurmë të disa lloje ushqimesh (drithëra e bathë) si dhe kafshë shtëpiake…Por, zbulimi më surprizues mes rrënojave, ishin mbetejet e një maceje, e cila kishte ngordhur (besohet ishte e lidhur) nga një zjarr i madh që ka shkatërruar gjithë ndërtesën. Ajo është macja e parë e njohur shtëpiake në Itali dhe kjo përbën edhe pretendimin e saj për famë.Ka grimca emocionuese të jetës njerëzore, duke nisur nga një vajzë e vogël, e shtrirë në varrin e saj me veshjen më të mirë, te macja e mjerë, të cilës askush nuk ia liroi lidhësen kur shpërtheu flaka…”
Doemos, unë si gjirokastrit, nga qyteti “ku e lidhin macen kur hanë bukë”, qesha me këtë fakt dhe e përcolla gjithë atë pasazh edhe me humor.Se më erdhën ndërmend shprehjet e komentet e shumta të njerëzve të ndryshëm në vite për “macen e lidhur” dhe karakterin prej “kurnaci” të gjirokastritëve… Madje, m’u kujtua gjirokastriti i mençur, Alizot Emiri, librashitës i qytetit për shumë vite, kur na tregonte rreth namit të gjirokastritëve që e lidhin macen: “Kur më thonë se ju gjirokastritët lidhni macen se jeni kursimtarë, u përgjigjem: Ne që e lidhim macen, jemi të detyruar ta ushqejmë vetë; ndërsa ju që nuk e lidhni, e lëshoni tutje-tëhu të hajë nëpër gjitonë…Pra, kush është kacan, ne apo ju?…” Gjithsesi, po me humor, po mendoja se ne gjirokastritët paskemi lidhje të hershme edhe me Romën e Lashtë… Sepse histori me mace të lidhur, nuk ka tjetërkund: Vetëm Roma dhe Gjirokastra!
Megjithatë, përtej humorit të detajit me macen, e ndiej se dua të them diçka për lidhjet e hershme, të lashta, të qytetërimit pellazg-etrusk-ilir, si kontribues e paraardhës i qytetërimit romak. (po edhe Grek gjithashtu).
Autorja e veprës në fjalë,i kushton shumë vëmendje faktit se cilët janë vërtetësisht themeluesit e Romës. Natyrisht, duke i anashkaluar legjendat dhe përrallat e zanafillës së Romës, si atë me Romulin dhe Remin, që u rritën nga ulkonja, dhe i pari, më pas, në vitin 753 themeloi qytetin e Romës (pasi vrau të vëllanë, etj., etj.), por edhe legjendën famëmadhe të Eneas, e cila, përballë fakteve e të dhënave historike, bie poshtë. Autores, me të drejtë i tërheqin vëmendjen zbulimet e shumta që dëshmojnë për një jetë e qytetërim në Romë, shumë më të hershëm se viti 753 para Krishtit! Madje, edhe vetë kasollja e maces që përmendëm, i takon saktësisht shekullit të 9 apo të 10 para Kr. Ç’ishin atëherë këta banorë, më të hershëm se Romuli dhe Remi? Po dokumentet fragmente-shkrimore të gjetura në gdhendje guri e metali? Autorja, këto fragmente i konsideron “gjuhë para-latine”, që nuk ngjan me latinishten e vonshme të shekullit të 4 para Kr! Por, për këtë gjuhë “para-latine” na flet gjerë e gjatë në veprën e saj “Pellazgët, Ilirët, Etruskët, Shqiptarët”, studiuesja Nermin Vlora, e cila argumenton dhe vërteton se kjo lloj gjuhe e shkrimi fragmentar, nuk është tjetër veçse pellazgjishtja,(etruskishtja) që mund të kuptohet sot vetëm me anë të gjuhës shqipe, dhe të asnjë gjuhe tjetër!
Te poema “Eneida”, heroi viziton vendin e qytetit të ardhshëm të Romës, dhe gjen se ai ndërkaq është i banuar nga paraardhësit primitivë të romakëve! Dhe cilët janë ata? Ata janë një grup banorësh nën udhëheqjen e njëfarë mbreti Evander, një i arratisur nga toka e Arkadisë në Peloponezin grek. Mesazhi është i qartë: sado pas të shkosh, banorët e Romës qenë sakaq nga diku gjetkë – thotë autorja Beard.Por, nëse këta paraardhës të Romakëve, (nga shekujt 9-10 para Kr) janë nga Peloponezi, nuk duhet harruar se në këtë kohë, grekët ende nuk ishin shfaqur në tokën që më pas do të quhej Greqi, pra, as në Peloponez. Banorët e vetëm në këto troje, para grekëve, ishin Pellazgët! Kështu pohon edhe studiuesi francez Louis Beonlew, në veprën e tij “Greqia përpara Grekëve”, shkruar para vitit 1877. Kështu që, ata banorë të hershëm, primitivë pararomakë, ardhur nga Arkadia e Peloponezit, rezulton të jenë pellazgë, të cilët në gadishullin italik krijuan qytetërimin e famshëm Etrusk, (ardhjet e para të tyre që në vitin 1700-1600 para Kr) i cili u bë djepi i qytetërimit Romak! Këtë fakt e risjell në vëmendje me shumë e shumë argumente e dokumente, Nermin Vlora në veprën e saj. Citojmë prej saj pjesë nga studimi i eruditit italian Emidie Luci (prift), që në vitin 1874: “Pellazgët ishin banorët më të lashtë të Italisë…Si rrjedhim, popujt vendas: Umbrët, Auzonët, Oskët, Brucët, Rutulët dhe Enotrët, janë emrat e parë të italianëve, që në të vërtetë nënkuptojnë një popull të vetëm origjinal… Pellazgët, që Homeri i quante Hyjnorë, dhe të cilët ndërtuan shumë lagje të Latinëve, të Brucëve dhe të Hazilëve, pak nga pak u përmbysën dhe u privuan edhe nga nderimi që u përkiste, duke pas qenë qytetëruesit e parë të Italisë dhe krijues të artit dhe të zejtarisë.”
Sigurisht, nuk mund të zgjetem shumë në këtë fushë, se nuk është momenti, dhe as qëllimi. Thjesht mora shkas nga “macja e Romakëve”, duke e lidhur këtë fakt me “mitin” e njohur gjirokastrit të lidhjes së maces… Por, si të gjitha mitet dhe përrallat, ato kanë brenda tyre embrione, gene të jetës e qytetërimeve që po vinin, të moralit, të ideve të shtetformimit e të kulturës që na bashkon me degët e racës sonë nëpër mijëvjeçarë…