Tek Panajaja, kater shtepi bashke, familja më e madhe ka qënë dhe mbetet ajo e Gole Kokos

Ne krahe te shtepise se Nini Janit jane kater shtepi bashke, Bashari, Kumaneli, Koko dhe Godella qe rrojne nen diellin e ngrohte te Panajase…

Ato kane nje rruge dhe nje shesh te perbashket ; prane njëri tjetrit te gjendur e shkuar mire, te pa mërzitur e zemëruar. Sheshi, i zvogëluar, ne moshen tone më i madh, ku luanim «fshehot» me vajzat dhe rreshqisnim në vijat e lukurames, deri tek cesma e rruges, sot duket si pa zë, nga mungesa e fëmijëve dhe lodrave të tyre.

Familja me e madhe ne kete “mikrolagje’ ka qene dhe mbetet ajo e Kokos. Basho Golen e Nini Golen i kam ne sy; te urte, ashtu dhe femijet e tyre.

Jani, Koçi, Fotaqi dhe Anastasia ( Beka), shoqe ne moshe dhe e ngushte me motren time te madhe, Dhimitren.

 

Te tre vëllezërit te urte e te padegjuar, me familje, te gjithe bashke, ne nje shtepi, me profesione te mira e me buke;

Jani furrtar e me pas në punishten e embëlsirave.

Koçi elektricist me emër ne qytet, zanat që e përcolli edhe tek djali, Genti, sot nga me profesionistët në këtë fushë.

 

Fotaqi, marangozi i lagjes, mjeshtër në zdrukthtarinë e qytetit, i kërkuar dhe sot per restaurime e meremete të dritareve, dyerve apo tavaneve karakteristike.

Ne historinë e kesaj familjeje dhe te lagjes, dhe jo vetem, Anastasia, motra e tyre, mbetet nga mësueset e para të pasclirimit të vendit që, së bashku me motrën time, Dhimitrën, shkuan në aksionet e para të rindërtimit të vendit, punuan mësuese me fëmijët por dhe në kurset e para të luftës kundër analfabetizmit, morën pjesë në veprimtaritë e para kulturore e artistike në qytet, tok me vajza të tjera të lagjes, Merjeme Mevlanin etj. Të përparuara per kohen nuk ishin vetëm ato por dhe prinderit qe nuk i penguan ne rrugen e arsimimit dhe emancipimit, të vleresuara per kurajon dhe guximin e treguar.

Në gjurme te tilla , ne rrugen e dijes dhe profesioneve te veshtira, kane ecur dhe vajza të tjera të ketij blloku, dalluar njera, Vjollca Koko, vajza e Koçit dhe Vjenos. Ajo, edhe pse në vështirësi fizike shëndetësore,është sot në krye të profesionit dhe specialitetit, me titull Doktore e Shkencave në Shëndetin Publik, mjeke e njohur në spitalin e qytetit, e vlerësuar për sakrificë, përkushtim dhe profesionalizem, dashuri për profesionin dhe trajtimin e pacientëve mes të cilëve gjen dhe merr kënaqësinë e punës, dashurinë dhe respektin e tyre.