"Nje dollar per te shkuar.."/ Doktor Hajrulla Harxhi, mjek i degjuar gjirokastrit ne kujtimet e Vedat Kokones

Bashkë me nxënësit të ardhur nga Gjirokastra ishte dhe Skënder Harxhi, djali i doktor Hajrulla Harxhi, mjek i dëgjuar i asaj kohe, gjirokastrit, por që banonte në Tiranë. Ai më kishte bërë përshtypje se kishte shkruar një ditë në gazetën “Besa”, që dilte në Tiranë, një artikull me titullin interesant “Shkëlqesa e saj domatja”, ku u thurte lavdi cilësive ushqimore të domates. Skënderi ishte shumë i çiltër me mua, m’i tregonte letrat e thukëta që dërgonte i ati. Një ditë më tha se i ati kishte dërguar edhe një dollar mbi shumën e të hollave të shpenzimeve të zakonshme që ta kishte djali për të shkuar në bordel, për ta përdorur kapotën dhe për të mos praktikuar masturbimin, siç bënin shumë të rinj, në kohën tonë kur femrat s’ishin sheshit si tani.

U habita shumë që babai i tij ishte kaq i përparuar. Im atë, siç më dukej mua dhe që ishte me të vërtetë shumë përparimtar në krahasim me shokët e tij, që i kishte përherë sytë të kthyer nga Perëndimi, më fliste hapur për shumë gjëra që prindërit e tjerë as që guxonin t’i zinin në gojë, por ja që paskësh baballarë edhe më përparimtarë se im atë. Kështu i ati i Skënderit më ngjalli respekt. U zotova se kur të bëhesha edhe unë baba, do të sillesha me djalin ashtu siç sillej Hajrullahu me Skënderin, por fati s’më dha djalë, që ta rrisja ashtu si doja unë. Sidoqoftë, ata që kanë i këshilloj të ndjekin shembullin e doktor Harxhit./Nga Konica/