Kujtimi i pashuar i Profesor Misto Shumelit - Nga Vangjel L. Shumeli

Si sot 32 vite më parë 23 persona që ndodheshin në bordin e helikopterëve, studentë dhe pedagogë të Institutit të Lartë Bujqësor të plagosur, mjekë, pilotë dhe familjarë humbën jetën tragjikisht. Një nga ato viktima ishte dhe Profesor Misto Shumeli…

Nga Vangjel L. Shumeli

Ishte data 22 nëntor i vitit 1989. Një autobus me studentë nga Instituti i lartë Bujqësor i Tiranës po kthehej nga praktika mësimore. Një gabim njerëzor, një defekt në motor, askush nuk mund të thotë për të vërtetën e plotë se si ndodhi një nga tragjeditë më të mëdha të atyre viteve. Ajo që dihet është se autobusi ngatërroi rrugë dhe ra në humnerë.

Por ky ishte vetëm akti i parë i tragjedisë. Dy helikopterë në bordin e të cilëve ndodheshin një grup mjekësh u ngrit nga Tirana drejt Qafës së Llogarasë. Misioni human ishte shpëtimi i jetës së studentëve dhe pedagogëve të aksidentuar.

Kështu tragjedia pati dhe aktin e saj të dytë. 23 persona që ndodheshin në bordin e helikopterëve, studentë të plagosur, mjekë, pilotë dhe familjarë humbën jetën tragjikisht.

Sot Llogaraja është ende një plagë e hapur. Ajo ditë nuk ka qenë e lehtë për askënd. Më e vështirë nga të gjithë e kanë pasur të afërmit e viktimave.

Një nga ato viktima ishte dhe Profesor Misto Shumeli.

***

Në një pllajë në zemër të malit Golik ndodhet fshati Kodër,një nga fshatrat më të njohura të zonës së Rrëzës së Tepelenës. Ky fshat është i shquar për atdhedashurinë dhe etjen për dritën e diturisë që përpara do të na shpjerë siç thekson poeti ynë kombëtar Naimi. Ajo përjetësisht gdhihet dhe ngryset nga zhurma përqafuese e Drinos dhe Vjosës duke parë përballë Tepelenën me kalanë e saj legjendare. Këto vargje shprehin historinë e këtij vendi të begatë dhe të bekuar:

Kodra një i bukur fshat

Nxori djem me shkollë të lartë

Kodër pinë në gurrën tënde

Fjala jote u dha mendje.

Kur ngjitesh për në fshat të del para shkolla dhe pllakata që mban emrin e një kolosi të arsimit dhe bujqësisë shqiptare, krenarisë së saj Prof. Misto Shumeli. Mjafton t’i përmendësh emrin dhe të kujtohen ato rreshta që janë shkruar me dashamirësi për të:

Mbi të gjithë Misto Shumeli

Si një mall në zemra ngeli

Misto me buzën e qeshur

Sot një engjëll dritëveshur.

Ato e thonë gjithçka buzëqeshjen dhe fjalën e tij të ëmbël që e bënin të dalluar nga të tjerët dhe i bënte për vete të gjithë,të afërmit dhe miqtë e tij.

Profesor Misto ka lindur në Kodër para 68 vitesh.

Ishte më i vogli i fëmijëve të Sokratit dhe Frosinës, në një familje me tradita,ndjenja atdhetare dhe mbi të gjitha arsimdashëse. Ata e rritën atë në një skamje të plotë me vuajtje dhe mundime, por dashuria për shkollën,etja dhe pasioni për dije e bënë më të fortë,të kapërcente çdo vështirësi dhe pengesë.

Pavarësisht halleve të shumta i kreu studimet rregullisht,në të gjitha ciklet dhe me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të studimeve të mesme në shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë, iu dha e drejta e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor(sot UBT) në Tiranë në Fakultetin e Agronomisë të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm. Ishin ato rezultate që e mbajtën Miston pedagog në atë universitet ku punoi 15 vjet me përkushtim, aftësi profesionale e punë kërkimore shkencore.

Ky pasion dhe vullnet shpërthyen në përmasat e një shkencëtari të guximshëm dhe të suksesshëm. Ka kryer studime pasuniversitare në Itali dhe ka marrë pjesë aktive në veprimtaritë kombëtare për të dhënë mendime të vlefshme për zhvillimin e bujqësisë,agronomisë në veçanti.

Për arritjet e suksesshme në fushën pedagogjike dhe në atë shkencore në vitin 1984 u dha atij titulli “Doktor i shkencave”.

Pedagog dhe shkencor por mbi të gjitha njerëzor,kështu e kujtojnë Profesor Miston ish studentë, kolegë, bashkëkohës, miqtë dhe familja e tij e shtrenjtë. Komunikimi, sjellja dhe marrëdhënia me ta e bënë pedagogun e ri Misto Shumeli në një nga figurat më të vlerësuara të Universitetit Bujqësor të Tiranës.

Këto virtyte të larta njerëzore që ai dispononte u ka mbetur njerëzve në mbresa të cilët pa përjashtim e kujtojnë dhe pas kaq shumë vitesh me dhimbje e respekt të madh. Sepse auditorët ishin familja e dytë për të dhe diçka e pashmangshme në jetën e tij.

Por jeta ka ligje të hekurta,ajo ta rrëmben atëherë kur nuk e pret. Ajo u tregua e padrejtë me profesorin buzagaz.

Pak histori nga tragjedia

Si sot 32 vite më parë, më 22 nëntor të vitit 1989, ndodhi një aksident tragjik. Më 22 nëntor 1989, ishte e para ngjarje e kronikës së zezë që kapërceu kufijtë shtetërorë të ish-Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Që shkoi tej me rrapëllimë, duke u emetuar nga antenat e përsëritësit radio-televizivë të mbarë botës me drithërimën e dhimbjes. Shkurt e shkurt e dha edhe televizioni i vetën shtetëror në emisionin e lajmeve të mbrëmjes. Spikeri, me një ton funebër, tha se kishin humbur jetën gjithsej 23 njerëz, pasi ishte rrëzuar, në fillim në afërsi të Himarës një autobus me studentë të Institutit të Lartë Bujqësor dhe më tej ishin përplasur në Vuno e Llogara edhe dy helikopterët ushtarakë, që tentuan të mbartnin për në Tiranë të plagosurit. Të gjithë të shuar apo, asnjë i mbijetuar.

Nga GAZETADITA.AL