Ja si e ka njohur shkrimtari Foto V. Malo mesuesin e merituar Fotaq Kekezi

Për zotin Fotaq Kekezi dëshiroj të them disa gjëra nga njohja që kam patur për të. Ishte diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit. Shërbeu disa vite mësues në Bual të Përmetit, fshat i dëgjuar për xherahët e e tij, ku mësoi dhe për operacionet empirike. Pastaj ishte mësues për shumë vitet në shkollat shtatëvjeçare të qytetit të Gjirokastrës.

E kam patur mësidhënës në lëndën në Biologjisë dhe të Përpunim Drurit, në shkollën “Naim Frashëri” në ndërtesën e vjetër tek “Sheshi i Mejdanit”, në Lagjen Cfakë. Në klasë ai bënte operacione demonstruese mbi pëllumbat dhe bretkosat, jo tek lepujt, aq më pak tek macet.

Kishte bashkëshorte Antigonin, grua zonjë, që jetoi gjatë. Kishte një vajzë, që u bë mësuese dhe Frederikun, që u bë mjek e punoi e vdiq në Gjirokastër.
Mbiemri “Kekezi” prejvjen nga turqishtja dhe do të thotë njeri që i merret goja.
Ishte njeri energjik, me trup të shëndoshë, me fytyrë të gjerë, vështrim të fortë, fjalë të prera; i palodhur, i zinin duart për mjaft punë dhe zanate.

I zgjuar, nuk ia hidhte njeri. Hazërxhevap.

Njihte frëngjishten, por edhe greqishten. E kam parë duke përkthyer materiale nga gazeta “Llaiko Vima”, e pas Lirimit, për llogari të Bibliotekës shtetërore të qytetit.
Kishte dhe prirje letrare. Në almanakun e shtëpisë së Kulturës të Gjirokastrës, viti 1964, Fotaqi mori pjesë me tregimin “Ëndrra e Simo Brashnjasit”. Personazhi Simo banonte në një shtëpi përdhese, “hamoqellë” dhe ëndërronte e dëshironte të kishte një shtëpi të mirë, si shumica.

Thuhet se mbante pallto të trashë. Jo aq të trashë, një me ngjyrë të murme e disi blu. Që të mos e shponte të ftohtit e dimrit, priste e ngjishte një gazetë në formë kanotjere a fanellë dhe mbi të vishte këmishën.

Të vjetrit mbajnë mend si xha Fotaqi detyroi kryeministrin Mehmet Shehu të pinte kafe në shtëpinë e tij, në një nga rrugicat e Lagjes Varrosh. Fotaqi i kishte dërguar kryeministrit një letër, ku i ankohej se, pas personazhit Qani Kekezi, në romanin “Kronikë në gur”, Ismail Kadareja e ironizonte për eksperimentet e tij. Kryeministri e qetësoi, duke i premtuar se,kur të shkonte në Gjirokastër, do të pinte një kafe në shtëpinë e tij. Ajo ditë erdhi dhe, kur Kryeministri po ngjitej më këmbë drejt qendrës, Fotaqi i zuri pritë tek rruga kryesore, e përshëndeti dhe i kujtoi pirjen e kafes. Kryeministri i tha se nxitonte, por Fotaqi nuk u tërhoq. Nxori letrën dhe ia zgjati përpara syve! Κështu, i plotfuqishmi u kthye, u fut brenda në shtëpi dhe piu kafen nga duart e zonjës së shtëpisë. Nuk di hollësi, a hyri edhe shoqëruesi me të dhe a u kontrollua kafja.

Në spitalin e Gjirokastrës punon prej vitesh nipi i tij, specialist në laboratorin e katit përdhes.
Foto V. MALO