Vargje për dashurinë, nga Dritëro …

Vargje për dashurinë, nga Dritëro …

*
Mjegulli i dashurisë

Kur ikja larg, drejt teje vija;
Kur vija afër, ikja larg.
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia bëhej çark.

As e kuptoja si të desha,
Një mjegull pus, një çmenduri,
Si një poet që shkruan vjersha
Dhe ndez një shkrepse, i bën hi.

Dhe ndofta kjo ish dashuria:
E çakërdisur kuturu…
Për dreq më trembte largësia
Dhe afërsia gjithashtu .

*
Mos u shaj me mua
Nga kënga

Naze pulëbardha,
Mos u shaj me mua,
Detin e vrenjt vala,
Burrin e ngrys gjuha..

*
Dëshira ideale

Ti je kaq e brishtë e kaq e mirë,
Ia kalon në botë e më të bukurës,
Aq sa poezinë e kam dëshirë
Ta shënoj për ty në krah të fluturës.

Flutura pastaj të marrë dhenë
T’u tregojë maleve dhe fushave:
“ Shkruan vargje një poet me penë
Edhe sipër krahëve të fluturave …”