Librat që më rritën -Mira Meksi, leximi për të mos pasur një mendje të plakur

Ekzistonte një Aleph i dytë, në s’kishte tjetër përveç atij të tregimit të famshëm të Jorge Luis Borges-it, një Aleph i tjetërsojtë, ai i bodrumit të shtëpisë së gjyshërve të mi në qytetin e detit viteve të fëmijërisë sime.

Në tregimin e Borges-it, në bodrumin e rrugës “Garay” (rruga ku realisht banonte Borges-i në Buenos-Ajres) gjendej një pikë e fshehtë, nga e cila mund të shihej tërë universi me gjithçka të tijën, në të njëjtën kohë dhe pa u mbivendosur; një pikë çudibërëse, që autori e pagëzoi me emrin “Aleph”, germa e parë e alfabetit ebraik, por që simbolizon edhe njeriun. Borges-i tregonte se njerëzit e pyesnin shpesh nëse Aleph-i ekzistonte realisht, aq i gjallë e i vërtetë qe ai në tregimin e tij, dhe plaku gjenial e djallëzor u përgjigjej veç me një buzëqeshje, duke ua përvëluar më keq kërshërinë e përndezur.

Kur lexova tregimin e tij viteve ’80, u binda të paktën për një gjë: ekzistonte, sidoqoftë, Aleph-i im, në s’kishte tjetër në faqe të dheut. Aleph-i im, qoshku magjik i leximit dhe i kredhjes në botën e madhe pa fund e pa anë, më saktësisht gjendej në bodrumin e shtëpisë së gjyshërve, e cila ndodhej në një lagje me një emër ogurzi në otomane: “Karabash”, që do të thotë “tokë e zezë”, në qytetin e detit. Ishte magjik, sepse qe i vetmi vend në univers ku mund të lexoja ç’të doja e ç’të më dilte përpara, duke i shpëtuar sigurshëm vigjilimit dhe ndalimeve të detyruara të prindërve e, mbi të gjitha, sa kohë të doja.

Ai mbante brenda libra të vjetër, libra të kohës së para çlirimit, dhe kjo ma ndezi më shumë kureshtinë. Po kur pyeta nëse kishte ndonjë mënyrë për t’i nxjerrë nga ngujimi ata libra të vjetër, të rriturit m’u përgjigjën se qenë libra të ndaluar (pra të rrezikshëm për edukimin tim dhe unë në asnjë mënyrë nuk duhej t’i lexoja), që paraardhësit e familjes nuk kishin pasur zemër t’i shfarosnin dhe i patën ngujuar në bodrumin derëngallmuar. Kaq mjaftoi për të më kthyer në një lexuese të përvëluar e të thekur, që jo vetëm mëtonte të udhëtonte viseve të panjohura të botës e të argëtohej me aventura pa fund brenda librave që i lejoheshin moshës sonë, por edhe të futej në atë botë të rrezikshme të librave të damkosur me ndalim, por që premtonte mrekullinë, ku edhe të rriturit e kishin të ndaluar të futeshin.

Doli që “thesari” im të qe vërtet i çmuar: së bashku me libra shqip të botuar shumë kohë përpara, një pjesë e të cilëve ishin vepra të rilindësve, pa shkurtimet që u kishin bërë më pas, kishte edhe nga ata librat që i quanin “të verdhë” dhe që për mua asokohe qenë më të çmuarit. Kështu gjeta, për së pari, disa libra të Le Blanc-it me aventurat e Arsen Lupenit, “Rrethin e kuq” të Conan Doyle-it me Sherlok Holmsin, “Gruan me të zeza” dhe “Bijën e mallkuar” të Richenbourg-ut dhe gjer “Spartakun” e Giovagnol-it, “Ajvenhoin” e Walter Scott-it dhe “Romeo e Zhulieta” të Shakespeare-it (që nuk qe aspak i ndaluar për të rriturit, porse për mua po), kapakët e të cilëve i përdora më pas për të lexuar librat e ndaluar që munda t’i merrja fshehurazi për në kryeqytet.

Për mua, që gjer atëherë kisha lexuar shumë, por vetëm libra për fëmijë, që nga “Xinxifillua” i Mitrush Kutelit, “Tom Sojeri” i Mark Twain-it dhe gjer te “Përrallat e Aljonushkës” të Sibirjakut, të gjitha të kontrolluara nga syri prindëror, u hapën portat e qiellit dhe filloi një kohë e re: jetoja vetëm për të lexuar.
Porse ajo që i bëri vërtet të veçantë muajt e pushimeve të klasës së pestë, të gjashtë dhe të shtatë ishin kërkimet në të gjitha shtëpitë e shoqeve apo të gjyshërve të tyre të librave të vjetër, apo “të ndaluar”, siç i quanim edhe ata që, në fakt, nuk qenë të atillë, por vetëm të botuar para luftës.

Dhe rezultati qe i mahnitshëm: u mblodhën plot libra të atillë, por mbi të gjitha u gjend një kryelibër: Dhiata e Vjetër. Ose më saktë, ajo që pati mbetur prej saj. Qe e shkalafitur si mos më keq, e njollosur, e brejtur dhe me shumë fletë të mangëta, por kishte kopertinën të zverdhur me titullin e librit dhe fakti që vetë feja qe e ndaluar me ligj në vendin tonë e bënte atë libër fetar një thesar të vërtet. U pajisëm me durim të madh dhe u vumë të lexonim librin e lashtë të rëndësishëm, serioz, të rreptë dhe të rrezikshëm. Habia qe e madhe kur zbuluam se Dhiata e Vjetër kishte vargje të mrekullueshme, që quheshin “Psalmet e Davidit”, dhe të tjera vargje akoma më të jashtëzakonshme, të përmbledhura në atë që kishte emrin “Kënga e këngëve”.

Hapi pasardhës i rëndësishëm në këtë udhë do të qe krijimi i mirëfilltë letrar. Për shumë vjet me radhë, duke nisur nga viti 1980, kur studioja filologji frënge në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, e kaloja pothuaj tërë natën e së dielës duke gdhirë e hëna duke dëgjuar Radio Francë Inter-in me emisionin “Gjërat e natës”. Ende e kam në vesh zërin e mrekullueshëm të legjendarit Jean-Charles Aschero dhe muzikën e hapjes së emisionit në orën 12:00 të natës, që më bënte gjer edhe të ndieja aromën e Parisit dhe të bridhja si e çmendur rrugëve të tij të lagura nga shiu. Kishte raste kur, e lodhur nga përgatitja e një seminari, flija dy-tri orë dhe vija zilen për t’u zgjuar, sidomos që të kapja një nga rubrikat e mia më të dashura të emisionit: “Takim me kinemanë” apo rubrikën me seritë e “Komisarit Joubert”, apo atë që titullohej “Si e keni emrin?”. Praktikisht jetoja për natën e së dielës, paçka se të nesërmen, në fillimjavë, më varej koka orëve të mësimit.

Mbaj mend se qe koha kur për herë të parë e shtriva shoqërinë kësisoj “të afërt” përtej rrethit të bashkëmoshatarëve të mi. Miqësia me besë që krijova me vëllezërit Kokona, me profesorin tim të paharruar të përkthimit, Vedatin, dhe të vëllain e tij, Nedimin, i cili pati bërë burg për idetë e tij liberale, më solli në dorë një thesar të vërtetë librash të ndaluar, që nga vepra të Freud-it, From-it dhe të tjerë filozofëve, që nuk guxonim as t’u përmendnim emrin, që nga “Metamorfoza” e Kafkës, “Murtaja” e Camus-së, “Fletoret” e Proust-it e gjer tek i famshmi “Dashnori i Lady Chatterley” i David Herbert Lawrence-it, i botuar për së pari vetëm në SHBA, i cili jo vetëm qe libër i ndaluar në Shqipëri, por kishte qenë i ndaluar edhe në Angli; botimi i tij në vitin 1960 u bë pas vdekjes së autorit dhe lidhej me lirinë e shprehjes në Angli.

Porse ngjarja që më përballi realisht për herë të parë me rrezikun që vinte nga librat e ndaluar, bëri që të mblidhesha si iriqi në vetvete dhe ta kufizoja komunikimin me shumë pak njerëz. Gjatë orës së leksionit të letërsisë frënge në sallën 27 të Fakultetit të Filologjisë profesori më kapi gafil duke lexuar poshtë bankës “Fletoret e Proust-it”. Incidenti ndoqi incidentin dhe u zbulua se kisha marrë edhe një tjetër libër të ndaluar në lektorat.

Gjithçka që merrej në lektorat shënohej në një regjistër nga pedagogët francezë, por kontrollohej, siç u mësua më vonë, nga shefi i katedrës. Në regjistër u zbulua edhe albumi me nudot e skulpturave që kisha marrë në lektorat dhe që m’u kërkua ta sillja nga shtëpia me urgjencë dhe brenda orës që pasoi incidentin me “Fletoret e Proust-it”. Fati i studimeve të mia, dhe jo vetëm i tyre, qëndronte në fije të perit: rrezikoja seriozisht të përjashtohesha nga fakulteti me një motivacion që do të ma bënte shumë të vështirë çeljen e portave të jetës. Por shpëtova paq me një paralajmërim për përjashtim nga fakulteti dhe shënim në kartën e studentit.

Por gjëja më interesante e asaj epoke qe zbulimi i shkrimit të fshehtë, apo shkrimit të fshehur. Në bodrumin me derë të ngallmuar të shtëpisë së gjyshërve të mi në qytetin e detit pata gjetur edhe dy libra të profesorit dhe mikut tim Vedat Kokona, të botuar para çlirimit dhe, pa dyshim, tashmë të ndaluar: “Dritë dhe hije” dhe “Yje të këputur”; i pari me poezi dhe tjetri me tregime. Vargjet e Kokonës qenë të mrekullueshme; të gjitha i këndonin dashurisë, në të gjitha format e saj, por kishte edhe shumë vargje të trishtuara dhe spleen-e të ndjera.

Qe koha kur nga lexuese librash të ndaluar hodha një hap të vogël brenda krijimit të mirëfilltë, në fillim brenda krijimit të fshehur: nisa të shkruaja vargje në frëngjisht sipas modeleve të poetëve të mi të parapëlqyer të asaj kohe: Verlaine-it, Rimbaud-it dhe Baudelaire-it, me pseudonimin “Jade magique”, dhe kjo vetëm për hir të nevojës së ngutshme për t’u shprehur lirshëm me anë të shkrimit të fshehur, pasi vargëzimet nuk më shkojnë së brendshmi dhe më është krijuar me kohë idengulitja se nuk jam në gjendje t’i ndërtoj: asnjëherë më vonë, kur nisa të merresha seriozisht me krijimin letrar, as nuk shkrova dhe as botova qoftë edhe një varg të vetëm në shqip.

Flitej se edhe Kadareja kishte shkrime të fshehura; nëpërgohej se kishte poezi të pabotuara, që i ruante larg syve të njerëzve në një bllok të numërtuar rreptë, të cilin pata mundësi ta shihja në vitet 1986–1987, kur punoja për përkthimin e poezive të tij në frëngjisht.

Leximi i ndaluar jo vetëm na mësoi të mos kishim frikë dhe të stërviteshin për të hyrë në ngrehinat e shpirtit, portat e të cilave na qenë mbyllur dhe vulosur frikshëm me dhunë, jo vetëm na bëri të ecim udhëve të vështira të mendimit tonë ndryshe dhe të padeformuar, por na vuri përpara syve edhe të vërteta të ngjizura në botën e lirë dhe të gatshme për të ushqyer mendjen tonë të lodhur, të mpirë dhe shpeshherë fort të mëdyshur.

Në veprën e tij “Mbi leximin” Proust-i ka një pasazh shumë interesant mbi efektet kurative të leximit, që mund të hedh dritë mbi këtë rol që vërtetshëm luajti, veç të tjerash, leximi i ndaluar në kohërat e liga të patologjisë së diktaturës që vuajti mendja jonë. Ai shpjegon se ky rol i librave do të qe i ngjashëm me rolin e psikiatrit pranë disa pacientëve nevrastenikë. Këta pacientë, ndonëse nuk kanë të prekur nga sëmundjet asnjë organ jetësor, që gëzojnë shëndet të mirë, por që për mungesë vullneti as nuk punojnë as dhe as nuk bëjnë dot asnjë aktivitet tjetër, janë të dënuar të mbarojnë, sikur një dorë e fuqishme të mos i ngrejë nga bataku ku kanë rënë. Njëlloj ka edhe mendje të cilat “ngathtësia”, “përtacia” i pengon të futen në thellësitë e vetvetes, ku fillon edhe jeta e vërtetë shpirtërore, dhe pa një ndërhyrje nga jashtë ato jetojnë në sipërfaqe, në një harresë të përhershme të vetvetes, në një lloj pasiviteti a depresioni shpirtëror. Dhe i vetmi shpëtim është që një ndërhyrje, një impuls që vjen nga një tjetër mendje, por në vetmi, ta trazonte ngrehinën e shpirtit dhe ta nxirrte nga topitja. Leximi mund ta bëjë këtë. Dhe ky qe saktësisht roli që luajti leximi i ndaluar kohërave kur mendja jonë qe mpirë dhe stepur ligsht nga terrori, frika dhe propaganda hipokrite dhe pati humbur çdo lloj identiteti. Në vetminë e komunikimit leximi i ndaluar, dhe më tej shkrimet e fshehura, qenë impulsi i fuqishëm që na nxori nga bataku i stepjes, që na ndihu të ndërtonim jetën tonë shpirtërore dhe të mbanim gjallë aftësitë tona krijuese.

Top Channel

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com