Kujtojme Sportistin dhe humoristin e shquar Ramazan Njala

Ramazan Njala, figure publike ne sporte dhe estrade, mbush sot 38 vite që eshte ndare nga jeta.
Lindi në lagjen “Kala” të qytetit të Durrësit, më 20 shkurt 1922, në një familje të mesme qytetare dhe fillimet sportive të tij shënohen në vitin 1945, kur gjatë kohës së shërbimit ushtarak aktivizohet si futbollist me ekipin e Gjirokastrës, kohë në të cilën do të dilnin në pah edhe lidhjet e tij me humorin që i buronte së brendshmi e bëhej pjesë e shoqërisë. Meqenëse identifikohet si sportist me të ardhme, në vitin 1946 aktivizohet portier me ekipin e futbollit të Partizanit për 2 vjet rresht, vite kur ekipi ishte kampion i republikës.
Nuk mbetet vetëm te futbolli. Cilësitë e tij sportive vlerësohen dhe shfrytëzohen në lojërat e para ballkanike, ku ai shfaqet si volejbollist me ekipin kombëtar. E donte Durrësin, qytetin e tij dhe shpirti lokalist e kthen Ramazanin në vitin 1948 në qytetin e lindjes, ku për vite e vite me radhë aktivizohet me ekipin e Lokomotivës në volejboll, basketboll, not, vaterpolo, atletikë, hendboll, trajner me të rinjtë e gjyqtar deri i ndeshjeve të kategorisë së parë. Për aftësitë dhe cilësitë e mira që kishte e kanë quajtur si lojtari më i mirë i kohës, duke e vlerësuar me tituj e stimuj të ndryshëm, ku përmenden “Medalja e punës” dhe Urdhri “Naim Frashëri”. Në vitin 1956, për arritje të rezultateve të larta dhe normave sportive, ndër të parët sportistë merr titullin “Mjeshtër sporti”. Ramazan Njala është aktivizuar gjithnjë në pesëshen e parë, krahas sportistëve të tjerë të mëdhenj e me shumë emër.

Sot, Pallati i Sportit i qytetit bregdetar dhe një rrugë e hershme e Durrësit mbajnë emrin e tij.Ne vitin 2012 Presidenti Bamir Topi e dekoroi me Titullin “Mjeshtër i madh” ( pas vdekjes).Në vitin 2002 Këshilli Bashkiak i akordoi titullin “Nderi i Qytetit”.

Që nga krijimi i trupës së estradës profesioniste të Durrësit, Ramazani mori pjesë në 46 premiera të saj, me një galeri të tërë tipash e personazhesh në rreth 90 role, si fshatar, punëtor, intelektual, i sëmurë etj.

Ai u nda para kohe nga jeta, në moshën 60-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë, në 24 shtator të vitit 1982.