A ju Kujtohen “ Kut e pingël”, “Kala Dibrançe”, “ Pëzet” dhe Lojra të Tjera Popullore ? Sa Perdoren Ato Sot per Argetim dhe Pergatitje Fizike te Femijeve?!

Dikur femijë e sot burra, me nipër e mbesa nëpër këmbë, kur mblidhen bashkë, gjirokastritë e të tjerë, kujtojnë edhe lojrat e fëmijërisë, të gjitha krejt ndryshe nga ato që luhen sot për argëtim, moderne, sic quhen.

Këto lojra ishin pjesë e argëtimeve pas shkollës e në veçanti të shtunave pasdite e të dielave dhe nisnin në mos me një top llastiku me bojra, edhe me “kut e pingël”, me “9 gropat”, “pëzet” per djem e vajza, “virat” për vajzat e disa të tjera që dhe i kemi harruar por që të gjitha për kalimin e kohes së lirë dhe te dobishme si për përgatitjen fizike dhe çlodhjen mendore.

Do donim të flisnim me radhë për të gjitha po do qëndrojmë në disa që na duken dhe më interesante siç ishte “lufta” me gurë, ajo me shkopinjë në vend të shpatave të vërteta që për herë të parë u panë me shumicë e disa lloje nga brezi i fëmijëve te viteve `50 e lartë kur në qytetin e Gjirokastres u xhirruan fragmente të filmit “ Skënderbeu”.

Nga ajo kohë lufta me shpata(me shkoponjë) mori gjallëri të madhe e luhej në të gjitha sheshet e lagjeve, si në Sheshin e Zemanit, në Sheshin e Kishës në Pazar të Vjetër, në Sheshin e Kokonës në Palorto, Sheshin e Bajraktarit në Hazmurat etj.

Një lojë sa e bukur dhe tërheqëse ishte dhe ajo me litar ” tërhiq e mos e këputë” , apo “ merr zjarr”, ecje me vrap dhe kthim prapa, në bazë ku, për të marrë forca të reja, kishe të drejtë të pushoje dhe pastaj të vazhdoje lojën.

Të privilegjuar ishin sidomos fëmijët e lagjes Palorto që bënin edhe “ski”. Nuk është për t`u çuditur por kjo është e vërtetë se kush e mban mend mirë  “Shpellën e Zekateve” që tani ka vite që ka lëvizur nga vendi, dikur, pllakë e madhe dhe e sheshtë, e lëmuar si faqet e një brisku, shërbente për skitë me “bithë” ku shumica pas shkisjeve dilte i “ fituar” me brekë të grisura.

Ju kujtohet loja “arabadaule’ apo siç edhe quhej ndryshe” kala dibrançe”, lojë shkathtësie dhe force që kush e kujton e di mire se ta luash atë duhet të ulësh kurrizin e të kapercejnë te gjithe njeri pastjetrit.

Sa për “ pëzet” të gjithë mund të flasin se s`ka njeri që nuk e ka luajtur në fëmijëri bile kjo lojë vazhdon edhe nga të rriturit. Ajo kujtohet si nje nga lojrat më të preferuara për të “ shkuar kohën”, fillon të zësh sytë me njerën dorë për të mos parë shokët dhe tjetrën e tendos nën sqetull, duke mbajtur prapa shuplakën të hapur lart mbi të cilën bie pëllamba e tjetrit në lojë dhe me sa fuqi që i ka krahu.

Janë kaq shumë këto lojra popullore të fëmijërisë dhe në ndonjë shkrim tjetër do të shkruajmë më shumë për lojrat e vajzave veçcse duam që me të gjithë ju miq të faqes tonë të marrim dhe një përgjigje:

A përdoren ato dhe a janë të preferuara nga fëmijët e sotëm ?

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com