Vendi aziatik me 97 milionë banorë me asnjë viktimë nga Covid 19

Pavarësisht popullsisë prej rreth 97 milionë banorësh dhe një kufi tepër të gjatë me Kinën, Vietnami nuk ka regjistruar asnjë viktimë prej pandemisë. Sipas të dhënave, rastet me të infektuar, të regjistruar, janë vetëm 328.

Një studim i kryer nga një grup ekspertësh të shëndetësisë publike të vendit bëri të ditur se 43% e 270 rasteve të para me Covid-19 në vend ishin asimptomatikë.

Në Vietnam, i vizituar çdo vit nga miliona kinezë, sipas Bankës Botërore, janë 8 mjekë për 10 mijë persona.

Për skeptikët, të dhënat zyrtare janë tepër pozitive për të qenë të vërteta.

“Jam përditë nëpër reparte, i njoh rastet, e di që nuk ka pasur viktima”, -deklaroi për “Cnn” mjeku Guy Thwaites, ekspert i sëmundjeve infektive që punon në një ndër spitalet më të rëndësishme Covid në Ho Chi Minh.

Por, si ia kanë dalë? Si ishte e mundur që të ndodhte kjo mrekulli? Arsyet janë më shumë se një. Që nga reagimi i rrufeshëm i autoriteteve për të evituar përhapjen e virusit te masat rigoroze të evidentimit të të infektuarve si dhe karantina, por edhe një fushatë e gjerë dhe intensive, me mobilizim të aparatit të propagandës.

Vietnami kishte nisur të përgatitej për emergjencën që me dy rastet e para, më 23 janar. Menjëherë u bllokuan të gjitha udhëtimet për në Wuhan. “Nuk pritëm orientimet e OBSH-së”, -tha Pham Quang Thai, shefi i Infektivit dhe Epidemiologjisë në Hanoi. “Përdorëm të dhënat që vinin nga brenda dhe jashtë, për të reaguar dhe vepruar në avancë”.

Që në fillim të janarit kishte nisur kontrolli i temperaturës për pasagjerët që vinin me aeroplan nga Wuhan. Në mesin e muajit, shkruan “CNN”, zëvendëskryeministri Vu Duc Dam u kërkoi agjencive qeveritare “masa drastike” për të frenuar përhapjen e virusit. Më 1 shkurt u pezulluan të gjitha fluturimet me Kinën dhe u ndalua hyrja për të gjithë të huajt. Fushata informative që shfrytëzoi gazetat dhe TV gjithashtu kontribuoi në kontrollimin e infeksioneve.

Në fund të muajit prill, pas tre javësh bllokim, masat fizike dhe sociale të distancimit u revokuan. Zyrat janë rihapur. Shkollat dhe universitetet kanë rihapur këtë muaj. Jeta është kthyer gradualisht në normalitet. Sipas “Cnn”, nuk pati asnjë mrekulli: planifikim, kompetenca, koha.

*Ndalohet kopjimi apo riprodhimi i artikujve pa cituar burimin /GjirokastraOnline.com