Situata e Covid 19 në Shqipëri,Kruja me 83 të infektuar, ja dhe zonat e tjera

Në Shqipëri sot u shënua numri më i lartë i të infektuarve me COVID 19 brenda 24 orëve. Të dhënat zyrtare njoftuan për 34 raste të reja, nga të cilat më shumë se gjysma në Krujë, vatra e cila e kishte burimin në një sipërmarrje fasonerie e që vijon prej disa ditësh të nxjerrë të prekur.

“Nga asnjë fasoneri tjetër nuk kemi deri më sot asnjë rast simptomatik. Kjo tregon qartë se në këtë përballje me coronavirusin, rolin kryesor e luan sjellja jonë në raport me rregullat”, deklaroi Genta Qirjako e Institutit të Shëndetit Publik. Gjithsej në Krujë janë 83 të infektuar, duke u bërë zona e tretë më e madhe për nga numri.

Rastet e tjera kanë qenë në 6 zona të tjera të vendit, ku hartës i shtohet edhe Mati, ndërsa rikthehen të prekurit në Berat i cili deri dy ditë më parë, së bashku me Mirditën ishte mes qyteteve ku të gjithë të prekurit ishin shëruar. “Edhe pse ka një numër të lartë të rasteve sot, pjesa më e madhe janë asimptomatikë, pra pa shenja të sëmundjes dhe kryesisht janë kontakte të rasteve positive të mëparëshme”, shpjegoi zonja Qirjako.

Ndërsa në fund të javës së shtatë të epidemisë, numërohen 712 të prekur, ditët e fundit ka patur një rritje të ndjeshmë të rasteve të reja. Që nga e diela e kaluar janë rregjistruar 164 të infektuar, ose 23 përqind (gati një e katërta) e totalit të personave pozitiv ndaj Covid 19, që prej 9 marsit.

Një rritje të lehtë ka shënuar dhe numri i të shtruarve në spitale, duke u ngjitur në 40 pacientë, ndonëse mbetet ende në nivele të qëndrueshme. Prej tyre 3 janë në gjendje të rënduar, ndërsa 5 të tjerë po ashtu në terapi intensive. “Në Shërbimin infektiv aktualisht janë 32 të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, nga të cilët 1 është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive nga të cilët 2 pacientë janë të intubuar”, tha zonja Qirjako.

Që prej pasdites së djeshme në të gjithë vendin është ndaluar qarkullimi dhe aktivitetet tregtare, deri mëngjesin e së hënës. Gjatë paradites së sotme, u lejuan të lëvizin deri në orën 11.00 vetëm pensionistët. VOA